Pretendimi: Gjykata Ndërkombëtare e ka shpallur entitetin sionist një shtet të paligjshëm.

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————–

Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) e ka shpallur Izraelin një shtet të paligjshëm.

Lajmi shoqërohet me një video që tregon Ministrin e Jashtëm palestinez Riyad Al-Maliki duke folur për shtypin pasi ICJ publikoi ​​opinionin e saj këshillues mbi luftën në Gaza më 19 korrik. Maliki u tha gazetarëve se opinioni ishte një “moment vendimtar për Palestinën, për drejtësinë dhe për ligjin ndërkombëtar.”

“Pushtimi izraelit është shpallur i paligjshëm nga Gjykata, e cila ka përcaktuar se duhet të përfundojë plotësisht dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjykata gjithashtu konstatoi se pushtimi i paligjshëm izraelit shkel Kartën e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare. Gjykata më tej deklaroi pa mëdyshje se të gjitha vendbanimet izraelite në territorin e pushtuar palestinez janë të paligjshme dhe duhet të çmontohen dhe se të gjithë kolonët izraelitë duhet të evakuohen”, tha ai.

ICJ thotë se pushtimi i vazhdueshëm i territoreve palestineze nga Izraeli është kundër ligjit ndërkombëtar. Në qershor 1967, pas një lufte gjashtë-ditore me fqinjët e tij arabë, Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, në atë kohë të aneksuar nga Jordania, Golanin nga Siria dhe Rripin e Gazës dhe gadishullin e Sinait nga Egjipti.

Izraeli më pas filloi të vendoste kolonë në territorin e pushtuar. Në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime ku strehohen rreth 700,000 hebrenj që nga viti 1967. Gjykata tha se vendbanimet ishin të paligjshme.

ICJ vuri në dukje politikat e Izraelit, si ndërtimi i vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Jeruzalemin Lindor, duke përfshirë përdorimin e burimeve natyrore të zonës, aneksimin dhe vendosjen e kontrollit të përhershëm mbi tokat dhe legjislacionin diskriminues kundër palestinezëve, duke thënë se ato shkelin ligjin ndërkombëtar.

Pra, opininoni i ICJ ka deklaruar të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze pas luftës së 1967, dhe jo ekzistencën e Izraelit si shtet.

Territori i Izraelit, me ngjyrë të gjelbër, përpara luftës së 1967 (majtas) dhe pas 1967 (djathtas)

opinionin e plotë të publikuar nga Gjykata më 19 korrik 2024 nuk përmendet termi “shtet i paligjshëm.” Presidenti i ICJ Nawaf Salam deklaroi se “shteti i Izraelit e ka detyrim t’i japë fund pranisë së tij të paligjshme në territorin e pushtuar palestinez sa më shpejt që të jetë e mundur.”