.

.

BallinaPertejGjykata Kushtetuese si pengesë e integrimit në Bashkimin Europian

Gjykata Kushtetuese si pengesë e integrimit në Bashkimin Europian

Ngritja dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese po kthehet në problem jo vetëm për dinamikën e brendshme të vendit, por edhe për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Ky ishte një ndër argumentat e përdorur nga Holanda për votimin kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Sipas juristëve, bërja funksionale e këtij institucioni që sot ka 4 anëtarë, nuk do të ndodhë para zgjedhjeve të 25 prillit.


Një objektiv i rëndësishëm do të jetë nxitja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për bërjen funksionale brenda vitit 2020 të Gjykatës Kushtetuese deklaroi gjatë fjalës hapëse në sesionin e ri, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi më 7 shtator 2020.

Më herët edhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi se institucionet po punonin për të plotësuar kuorumet e nevojshme me qëllim ngritjen e Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti.

Ne duhet të fitojmë kohën, me qëllim që të kemi mundësi të kemi Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë të ngritur me kuorumet e nevojshme brenda këtij viti – deklaroi Gjonaj në 23 shtator.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 4 anëtarë nga 9 që duhet të kishte: Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji. Pesë anëtarë të tjerë priten të zgjidhen pas propozimeve nga Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë.

Mungesa e Gjykatës kushtetuese penalizon integrimin në BE!

Më 1 nëntor 2020, qeveria holandeze deklaroi zyrtarisht votën kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë, duke refuzuar edhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveriatare në muajin dhjetor. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese ishte ndër argumentat që qeveria holandeze raportoi pas votimit kundër për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Qeveria holandeze, ministri Blok qartazi deklaroi se Shqipëria nuk i përmbush parakushtet për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Problemet e diskutuara përfshijnë mungesat në Gjykatën e Larta, dënimin e krimeve të zyrtarëve të lartë dhe reforma zgjedhore, në veçanti pjesa e dytë e miratuar në mënyrë të njëanshme, – shkroi në një postim në Twitter deputeti holandez Pieter Omtzigt.

Gjykata Kushtetuese rrezikon të mos ngrihet para 25 prillit!

Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka në detyrë 4 anëtarë, pra nuk plotëson kuorumin për gjykimin e çështjeve sa i takon themelit të tyre. Në parim duhet edhe 1 anëtar që të plotësohet kuorumi i vendimarrjes, por në realitet Gjykata Kushtetues nuk do të jetë funksionale nëse nuk plotësohet me 9 anëtarë. Pse? Sepse Ligji “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” në nenin 72 pika 2 përcakton se vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të saj. Abstenimi nuk lejohet.

Siç kuptohet qartë nga dispozita edhe nëse do të kishim 5 apo 6 anëtarë, për shkak të formulës së emërimit të tyre dhe tensionit të lartë mes Ekzekutivit, Parlamentit dhe Presidentit probabiliteti që vota të ndahej në pro dhe kundër është e madhe e për pasojë vendimmarrja sërish do të bllokohej (kujtojmë se 3 anëtarë zgjidhen nga Parlamenti dhe 3 nga Presidenti ndërkohë që Gjykata e Lartë nuk ka kuorum). Vetëm plotësimi i kuorumit me 9 anëtarë do ta bënte realisht funksionale Gjykatën Kushtetuese. Bazuar në sa thashë më sipër, gjykoj se Republika e Shqipërisë nuk do e ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale të paktën deri në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021 edhe nëse kuorumi formalisht plotësohet më përpara – i tha “Faktojes”, avokati Adriatik Lapaj.

Riformatimi i KED vështirëson ngritjen e Gjykatës Kushtetuese!

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese bëhet edhe më e vështirë pasi vetë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka afat deri në fund të këtij viti për të mbyllur të gjitha procedurat. Ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, parashikon se KED është me mandat njëvjeçar dhe çdo vit përpara 5 dhjetorit, hidhet shortit për përbërjen e tij.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi më herët kualifikoi dy emra për t’i dërguar te presidenti, Altin Binaj e Sonila Bejtja. Por, gara për këtë vakancë do hapet sërish, sepse sipas ligjit është e përcaktuar që KED, Presidencës, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë duhet t’i dërgojë tri emra e më pas këto institucione duhet të zgjedhin njërin prej tyre.

Shqipëria pa Gjykatë Kushtetuese prej 2018-s!

Problemi nisi me fillimin e reformës në drejtësi, pasi disa gjyqtarë të saj dhanë dorëheqjen, për shkak të vetingut ose u mbaroi mandati dhe nuk u zëvendësuan.

Në prill të vitit 2016 gjyqtarit Vladimir Kristos i mbaroi mandati dhe u tërhoq. Edhe Sokol Berberi, vendosi të tërhiqej nga pozicioni, pasi i kishte mbaruar mandati që në vitin 2016. Të njëjtën rrugë zgjodhi dhe Besnik Imeraj, në vitin 2018, duke u dorëhequr “për arsye personale dhe shëndetësore”.

Kur kishin mbetur vetëm 6 anëtarë, anëtari Fatos Lulo, iu nënshtrua procesit të vetingut. Më 23 mars, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shpalli atë të papërshtatshëm, me argumentin se dispononte pasuri me burime të pajustifikuara. Vettingu më pas rrëzoi Altina Xhoxhajn, Fatmir Hoxhën dhe Gani Dizdarin. Vetë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, u konfirmua në hallkën e parë të vetingut, por u shkarkua më vonë për mospërputhje të pasurisë. Pas shkarkimit të 8 nga 9 anëtarët të Gjykatës Kushtetuese, dyert e kësaj gjykate, i ka mbajtur hapur Vitore Tusha, por edhe kësaj të fundit i ka mbaruar mandati nëntëvjeçar dhe tashmë është në pritje që të zëvendësohet.

Dosjet stok në pritje të ngritjes së Gjykatës Kushtetuese!

Gjykata Kushtetuese, prej gati 4 vitesh nuk ka kryer asnjë seancë. Numri i dosjeve që presin gjykimin ka shkuar rreth 200 me tendencë në rritje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img