Lajmi se Google është paditur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë nga dy shqiptarë për mospërfshirjen e shqipes në gjuhët e mbështetura nga platformat e Google mbetet i pakonfirmuar. Gjykata e Lartë e Kalifornisë iu përgjigj “Faktoje” se në regjistrat e saj nuk ekziston ndonjë dosje me emrin e dy paditësve.
———————————————–
Javën e kaluar, mediat shqiptare raportuan në masë lajmin se kompania e teknologjisë Google ishte paditur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë nga shtetasi shqiptaro-amerikan Haki Dervishi dhe mjeku kosovar Dr. Neshad Asllani.
Sipas mediave, padia e quan diskriminim mospërfshirjen e shqipes si gjuhë e mbështetur nga platformat e reklamave Google Adsense dhe Google Admob.
Lexuesi skeptik do të stepej fillimisht nga pohimi se padia është depozituar në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë. Gjykatat e larta, në përgjithësi, zakonisht i marrin çështjet nën shqyrtim pasi ato kanë kaluar nëpër gjykatat e shkallëve më të ulëta, jo me anë të depozitimeve nga individë.
Kjo qendron edhe për Gjykatën e Lartë të Kalifornisë, siç shpjegohet edhe në faqen e saj zyrtare. Në një dokument të titulluar “Si vijnë çështjet në Gjykatën e Lartë” shpjegohet se “thuajse të gjitha çështjet në Kaliforni fillojnë në gjykatat e shkallës së parë”. Më pas, këto çështje mund të apelohen në Gjykatën e Apelit. Nëse një palë nuk është e kënaqur me përfundimin e Gjykatës së Apelit, ajo mund të kërkojë një rishqyrtim të çështjes në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë. Kjo bëhet me anë të një kërkese për rishqyrtim. Gjykata e Lartë e Kaliforinsë merr mijëra kërkesa te tilla në vit, dhe pranon më pak se 5% të tyre.
Kështu, skeptikë se padia e dy shqiptarëve ishte depozituar vërtet ne Gjykatën e Lartë të Kalifornisë, më 13 tetor Faktoje iu drejtua këtij institucioni për t’u interesuar për këtë çështje. Duke qenë se as mediat dhe as paditësit nuk kanë bërë publik ndonjë detaj identifikues të çështjes si numrin e saj, apo qytetin ku ajo është depozituar, e vetmja shenjë identifikuese mbeten emrat e dy paditësve, Haki Dervishi dhe Neshad Asllani.
Në përgjigjen e saj, përfaqësuesja mediatike e Gjykatës së Lartë të Kalifornisë, Merrill Balassone, na tha se nuk gjeti ndonjë çështje që është marrë nën shqyrtim deri tani nga gjykata me këto emra paditësish.
Nëse padia është depozituar fillimisht në një gjykatë të shkallës së parë, dhe është apeluar deri në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë, dy paditësit nuk e kanë deklaruar këtë historik.
Ndërkohë, sipas kolegëve të Kallxo, burimi për këtë lajm duket se ka qenë një komunikatë për mediat e dërguar nga Dr. Neshad Asllani në 13 tetor ku ai pretendonte se “gjiganti teknologjik Google është paditur në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë për mospërfshirjen e gjuhës shqipe në gjuhët e mbështetura nga Google.”
Duket se mediat janë mjaftuar me këtë komunikatë për ta marrë të mirëqenë vërtetësinë e këtij lajmi.
Megjithatë, Kallxo raporton se, kur i ka kërkuar Asllanit një kopje të padisë në fjalë, ai ka refuzuar t’ua dërgojë, pasi, sipas tij, është këshilluar nga avokatët të mos e ndajë atë me median. Asllani ka refuzuar gjithashtu t’u japë një kontakt të bashkëpaditësit të tij, Haki Dervishi.
Faktoje i është drejtuar me pyetje mbi këtë padi të pretenduar si kompanisë Google, edhe njërit prej paditësve, Dr. Neshad Asllanit. Deri në kohën e publikimit të këtij shkrimi nuk kemi marrë përgjigje.