Nevila Gjata
Shkrimtari i njohur George Orwell në faqet distopike të “1984”, analizon se gjuha dhe manipulimi i saj kanë luajtur rol thelbësor në ndërtimin e realitetit. Sipas tij, kushdo që kontrollon gjuhën mund ta kontrollojë edhe historinë duke e treguar, manipuluar dhe rishkruar sipas dëshirës.
A ka vend ky postulat edhe në terrenin shqiptar?
“Niveli i ligjërimit politik ndërvaret nga niveli i elitave politike (elitat tona politike kanë formim të para viteve 90 kur kundërshtari politik shihej si armik dhe qëllimi politik ishte eliminimi personal i tij), varet nga niveli i demokracisë (Shqipëria është vend hibrid dhe me natyrë të personalizuar të institucioneve dhe jetës politike) dhe nga kultura politike (konflikti, sulmi personal, gjuha e ashpër preferohet dhe është ushqim për militantët e median, pra politikanët nuk kanë presion nga jashtë tyre për të ndryshuar, përkundrazi pëlqehen dhe kanë ndjekës fanatikë për shkak të kësaj gjuhe që përdorin)
Për sa kohë politika bazohet në qëllimin e vetëm fitorja e pushtetit dhe mbajtja e tij, dhe për sa kohë pushteti identifikohet me liderin, këta të fundit shohin kërcënim për pushtetin dhe mirëqenien personale çdo kritikë, çdo zë kundër…”, thotë Afrim Krasniqi drejtor i Institutit të Studimeve Politike në një prononcim për Faktoje.al
Krasniqi vëren se, politikanët nuk janë ende të gatshëm të debatojnë. “Debati ndërvaret nga bilanci i punës dhe ata në përgjithësi nuk janë modele suksesi, ndaj edhe zgjedhin gjuhën denigruese dhe të personalizuar, konfliktin permanent dhe në bllok, sepse kështu i shmangen debatit dhe llogaridhënies”, thotë ai.
Në raportin “Kuvendi dhe deputetët: Roli kushtetues, bilanci dhe Kodi i Sjelljes”, Shtator – dhjetor 2022, janar 2023, ISP del në përfundimin se, sesionet parlamentare janë dominuar nga retorika e ashpër politike, ligjërimi denigrues dhe i personalizuar, bullizmi dhe devijimi i fjalimeve nga çështjet e rendit të ditës në sulme të personalizuara ose kolektive ndaj rivalëve politikë.
ISP vëren se drejtuesit më të rëndësishëm të dy palëve politike janë edhe bartësit kryesor të kësaj retorike, një zhvillim edhe më negativ në krahasim me sesionet e mëhershme parlamentare.
Në një tjetër raport “Parlamenti që (s)duam: Bilanci parlamentar 2023. Gjetje dhe rekomandime”, përgatitur po nga ISP, tipar dallues i sesionit parlamentar ishte gjuha e ashpër dhe denigruese në ligjërimin parlamentar, incidentet e shumta dhe fizike, si dhe shifra rekord e penaliteteve të deputetëve, (63 në dy muaj), më e larta në të gjithë historinë e parlamentit prej vitit 1924.
“Dhuna verbale dhe denigruese u përdor kryesisht nga politikanët kryesorë, drejtues të opozitës dhe të mazhorancës, të cilët vijuan të jenë katalizatorët kryesorë të konfliktualitetit politik”, thuhet në raport.
“Nëse heqim sharjet e deputetëve në fjalimet e tyre në debatet kryesore politike në parlament, rezulton se realisht ata bëjnë politikë dhe debatojnë për reforma vetëm në 10-15% të fjalimeve të tyre, pjesa tjetër 85-90% është retorikë konsumi, propagandë, pa asnjë dobi politike dhe institucionale për vendin”, thotë Krasniqi
Ky fenomen ndodh edhe në rastet e debateve (jashtë Kuvendit) me karakter sa personal aq edhe politik kur për qëllim devijimi të problemit apo në mungesë të një përgjigje të drejtpërdrejtë, kundërshtari (që pretendon se ka fakte) stigmatizohet, me synimin se ajo që mbetet në mendje është pikërisht e keqja, ofendimi që buron nga padurimi për të gjetur ‘fajtorin’ dhe shkakun, por jo të vërtetën.
Afrim Krasniqi e sheh fenomenin shumë më kompleks kur paralajmëron se përdorimi i një gjuhe të tillë mbart një rrezik edhe më të madh sesa përbaltja e ditës.
Sipas tij, të dy palët, në qeveri dhe opozitë e përdorin gjuhën radikale edhe në rastet për të shmangur mundësinë që ndonjë zë kritik moderator brenda partive të tyre të marrë peshë, ‘përmes idesh, reforma apo masa që cenojnë pushtetet e liderit dhe rrethit besnik të tij’.
*Ky shkrim është realizuar si pjesë e projektit “Thuaj po dashurisë, jo gjuhës së urrjetjes”, që mbështetet nga iniciativa rajonale e Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP.
Opinionet e shprehura këtu janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e UNFPA dhe UNDP.