Ulja e avionëve luftarakë të NATO-s në Kuçovë këtë të hënë, shënjoi çeljen e bazës së parë taktike ajrore të Aleancës në Shqipëri. Baza fillon veprimtarinë e saj në dekadën më të rrezikshme për rajonin dhe Evropën, për shkak të kërcënimit rus, siç deklaron qeveria shqiptare. Ekspertë të sigurisë e konsiderojne hap strategjik këtë nismë. Në shtesë të bazave ushtarake detare dhe ajrore amerikane në Greqi, kjo bazë mund të shërbejë si njësi e avancuar operacionale për mbështetjen e forcave të NATO-s me njësi të forcave speciale.
Esmeralda Topi
Katër avionë luftarakë, dy helikopterë ‘Black Hawk’ dhe një dron ‘Bayraktar’ mbi qiellin e Kuçovës këtë të hënë, shënjuan ceremoninë zyrtare të hapjes së bazës së parë taktike ajrore të NATO-s në Shqipëri.
“Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve NATO, mbrojtësve të qiejve tanë, në dekadën më të rrezikshme të historisë moderne të rajonit dhe të mbarë Europës.”- deklaroi gjatë përurimit ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, teksa paralajmëroi se ‘gjithçka pritet nga fronti i lindjes’.
“Ne duhet të jemi të përgatitur të mbrohemi me të vetmen formulë fituese në tavolinë: bashkimin e forcave dhe kapaciteteve tona mbrojtëse. Dhe ju siguroj se Shqipëria do të jetë aty, e gatshme për të bërë pjesën e saj nëse koha do ta kërkojë.” – u shpreh Peleshi.
Ish baza e epokës komuniste e ndërtuar me punë vullnetare në 1952, shtatë dekada më pas do t’i shërbejë operacioneve të Aleancës Atlantike, me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë.
“Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor i cili e dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse.”- deklaroi kryeministri Edi Rama.
Kjo është deklarata e dytë në pak ditë e kryeministrit Edi Rama mbi rrezikun rus në rajonin e Ballkanit. Një javë më parë, në samitin e Ukrainës, deklarata e përbashkët e pjesëmarrësve, theksonte se “agresioni i paprovokuar ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh ndaj sigurisë evropiane dhe paqen ndërkombëtare”.
Rëndësia rajonale e bazës së NATO-s
Investimi me vlerë 50 milionë euro nisi në janar të 2022. U deshën dy vite që NATO të hapte zyrtarisht bazën ajrore taktike të Kuçovës.
- Po çfarë rëndësie ka kjo bazë për Shqipërinë dhe rajonin?
Më herët, një zyrtar i NATO-s i tha Faktoje se baza ajrore do të ketë avantazhe operacionale.
“Baza do të luajë një rol të rëndësishëm për të lehtësuar operacionet ajrore të NATO-s (si aktivitetet e policisë ajrore greke dhe italiane dhe mbështetja e misioneve të Forcave të Paralajmërimit të Hershëm dhe Kontrollit Ajror të NATO-s mbi territorin shqiptar).”, NATO për Faktoje.
Edhe Kolonel Dritan Demiraj, ish komandant i Forcave Speciale, e vë theksin tek rëndësia rajonale e bazës.
“Në gjykimin tim, rëndësia e kësaj baze është e madhe, për arsye se në shtesë të bazave ushtarake detare dhe ajrore amerikane në Greqi, kjo bazë mund të shërbejë si bazë e avancuar operacionale për mbështetjen e forcave të NATO-s me njësi të forcave speciale, për të cilën Shqipëria ka edhe SOTG-në e NATO-s për këto misione” – Kolonel Dritan Demiraj.
Sipas tij, baza e Kuçovës mund të shërbejë gjithashtu edhe për furnizimin e mjeteve të ndryshme ajrore të NATO-s en-route në vende të tjera në afërsi të vendeve të konfliktit, organizimin e Task-Forcave Ajrore të njesive speciale (ASOTU), mjeteve ajrore të cilat mund të jenë në misione Kërkim-Shpëtimi, por jo vetëm.
Një tjetër element i rëndësishëm sipas kolenelit është fakti që ngritja e bazës forcon rolin e Shqipërisë në Aleancë, dhe për rrjedhojë edhe mbështetjen e saj politike ndërkombëtare.
Baza ajrore e Kuçovës do të luajë një rol të rëndësishëm për të lehtësuar operacionet ajrore të Aleancës Atlantike. Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri thotë se ngritja e kësaj baze 15 vite pasi Shqipëria iu bashkua NATO-s shkon përtej interesit të një shteti.
“Si një shtet anëtar i Aleancës më të madhe Politiko-Ushtarake, shteti shqiptar dhe FARSH me këtë investim që po realizohet, do t’i ofrojnë NATO-s një bazë ajrore me infrastrukturë dhe kapacitete moderne si dhe standarde bashkëkohore të cilat do të bëjnë të mundur dislokimin e mjeteve ajrore të Aleancës apo edhe mjeteve tona ajrore, në situata të ndryshme qoftë për operacione stërvitore apo edhe për detyra të tjera në interes të Aleancës”, argumenton Ministria e Mbrojtjes për Faktoje.
Vendimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore u njoftua në verë të 2018-s. Me inagurimin e saj këtë fillim marsi, qeveria shqiptare ka shprehur ambicien për ngritjen e bazës detare të NATO-s në Porto Romano.