.

.

BallinaRajoni përmes fakteveGjithë premtimet për riparimin e plotë të rrugës së shkatërruar Strugë – Qafë Thanë mbeten fjalë boshe

Gjithë premtimet për riparimin e plotë të rrugës së shkatërruar Strugë – Qafë Thanë mbeten fjalë boshe

SHEFKIJE ALLASANI

Rruga magjistrale Strugë-Qafë Thanë që e lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë, është ndërtuar në kohën e ish Federatës së Jugosllavisë. Riparimi i kësaj rruge, gropat e shumta të së cilës vetëm arnohen sipërfaqësisht, premtohet vite me radhë nga partitë politike por asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret dhe më gjithëpërfshirës për përmirësimin e gjendjes, shkruan Portalb.mk.


Me vite të tëra, ndërtimi i rrugës Strugë-Qafë Thanë, mbetet premtim bosh elektoral. Edhe përkundër rëndësisë së saj strategjike e cila e lidh Maqedoninë me Shqipërinë, magjistralja Strugë – Qafë Thanë vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme. Përveç arnimit të dhjetëra gropave dhe çarjeve të asfaltit, magjistralja e ndërtuar në kohën e ish Federatës Jugosllave nuk është ri-konstruktuar tërësisht asnjëherë deri më sot. Rruga madje nuk ka as sinjalistikë dhe ndriçim bazik, një gjë e tillë jo vetëm që vështirëson lëvizshmërinë por shpesh është bërë shkak i shumë aksidenteve rrugore.

Arnim gropash “sa për sy e faqe”

U premtua se në shtator të këtij viti do të fillojë ndërtimi i plotë i aksit rrugor Strugë- Qafë Thanë, por ky premtim nuk u realizua. Makineritë që zbarkuan në rrugë bënë vetëm arnimin e gropave gjigande në magjistrale.

Gjendja e rrugëve para mbulimit të disa gropave:

Gropa në rrugën Strugë – Qafë Thanë

Rruga e dëmtuar Strugë – Qafë Thanë

Rruga e dëmtuar Strugë – Qafë Thanë

Rruga e dëmtuar Strugë – Qafë Thanë

Pas sanimit të gropave, fotografitë janë shkrepur më 18 shtator 2020:

Mbulimi i gropave në rrugën Strugë – Qafë Thanë

Mbulimi i gropave në rrugën Strugë – Qafë Thanë

Mbulimi i gropave në rrugën Strugë – Qafë Thanë

Mbulimi i gropave në rrugën Strugë – Qafë Thanë

Premtime me dekada, realizim aspak!

Për ndërtimin e kësaj rruge është folur dhe premtuar me dekada e megjithatë nuk ka pasur asnjëherë projekt dhe veprim konkret. (BDI prezanton projektet në infrastrukturë, kryefjala te Korridori 8). Madje edhe procesi i rehabilitimit dhe mbushja e gropave është zvarritur e stër-zvarritur nga autoritetet përkatëse.

Një vit më parë, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut, Goran Sugareski, u shpreh se kanë filluar punimet për rehabilitimin e rrugës Strugë – Qafë Thanë. Disa ditë më vonë, banorët e asaj zone e përgënjeshtruan deklaratën e ish ministrit. Banorët e fshatrave që gravitojnë në aksin rrugorë Strugë-Qafë Thanë deklaruan se nuk ka asnjë aktivitet për ndërtimin e rrugës dhe se makineritë në rrugë thjeshtë po pastrojnë kanalet e ujit anash rrugës.

Tre muaj më vonë, në fund të dhjetorit nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore njoftuan se shteti nuk do e rindërtojë aksin rrugor në fjalë por vetëm do bëjë sanimin e gropave. Banorët e fshatrave që gravitojnë në këtë rrugë, të lodhur nga premtimet dhe të irrituar nga neglizhenca e autoriteteve u kërcënuan me protesta.

Në muajin mars 2020, drejtori i Ndërmarrjes për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov tha se për 20 ditë do të shpallet tenderi. Megjithatë, edhe gjatë muajve në vijim nuk pati asnjë lëvizje.

Në fund të muajit maj të vitit 2020 nga ky institucion thanë se tenderi akoma nuk është gati dhe se për 10 ditë dokumentacioni do të jetë gati. As pas 10 ditësh nuk pati asnjë tender për përmirsimin e gjëndjes së rrugës në fjalë.

Në korrik 2020, i pyetur nga gazetarët se kur do të shpallet tenderi për rehabilitimin e rrugës ndërkombëtare Strugë-Qafë Thanë, Goran Sugareski, tanimë ish ministër për Transport dhe Lidhje, tha se tenderi pritet të shpallet së shpjeti.

“Projektimi është nga fundi dhe ne presim që tenderi të shpallet sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të fillojë ndërtimi i saj. Ne qëndrojmë prapa asaj që kemi thënë. Mund të ketë ndonjë vonesë, por do të ndodhë në këtë periudhë. Unë nuk do të jap një afat kohor” – tha Goran Sugareski, ish ministër për Transport dhe Lidhje.

Edhe pse së fundi u premtua se punimet për ndërtimin e kësaj rruge do të fillonin në vjeshtë, më 6 shtator 2020 ministri i ri i Lidhjeve dhe Transportit, Bllagoja Boçvarski, u shpreh para gazetarëve se akoma nuk është i njoftuar për gjendjen e aksit rrugor Strugë – Qafë Thanë.

“Kur do të njoftohem saktë me këtë pjesë do iu njoftojmë për gjendjen me këtë pjesë dhe do të bëjmë gjithçka që të vazhdojë me realizim dhe të punohet për fillimin e ndërtimit të kësaj pjese “, deklaroi Bllagoja Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Në programin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore dy vite flitet vetëm për dokumentacion

„Nëse sigurohen fondet në vitin 2020 planifikohet të fillojnë këto projekte: Përgatitja e dokumentacionit të projektit për autostradën A2, pjesa Strugë-Qafë Thanë.” (Programi vjetor për vitin 2020, fq. 24)

Edhe përkudër premtimeve të shumta të Qeverisë, në programin vjetor të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, nuk është parashikuar fond për ndërtimin e aksit rrugor Strugë – Qafë Thanë.

Për këto dy vitet e fundit aksi rrugor në fjalë, hyn vetëm në kategorinë e projekteve për të cilët përgatitet dokumentacioni i nevojshëm.

Në programin vjetor të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore për vitin 2020 mes tjerash thuhet:

„Nëse sigurohen fondet në vitin 2020 planifikohet të fillojnë këto projekte: Përgatitja e dokumentacionit të projektit për autostradën A2, pjesa Strugë-Qafë Thanë.” (Programi vjetor për vitin 2020, fq. 24).

Ndërsa në programin vjetor të një viti më parë (2019) të këtij institucioni gjithashtu përmendet rruga Strugë-Qafë Thanë në faqen 14. (Programi vjetor për vitin 2020, fq. 14)

Në programin vjetor të një viti më parë (2019) të këtij institucioni gjithashtu përmendet rruga Strugë-Qafë Thanë në faqen 14.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img