KLEVIS PALOKA
Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese është bërë jo pak herë shkak për debate mes politikanësh, ekspertësh e zyrtarë të tjerë të lartë. Shumë deklarata apo afate kohore janë përmendur në lidhje me vënien në funksion të saj por deri tani asnjë nuk është realizuar. Deputeti socialist Ulsi Manja është një prej atyre që ka deklaruar më shumë se tre herë se kjo Gjykatë deri tani duhet të ishte gati.
………………………………………………………….
Jo pak debate ka patur lidhur me vënien në funksion të Gjykatës Kushtetuese e cila tani ka mbetur me vetëm një anëtar, pasi anëtarët e tjerë nuk kanë arritur ta kalojnë procesin e vetting-ut.
Përveç debateve, të shumta kanë qenë edhe deklaratat se kur do të jetë funksionale kjo gjykatë. Një prej tyre që ka folur mbi këtë temë ka qënë edhe deputeti i Partisë Socialiste Ulsi Manja, i cili është edhe kryetari i komisionit parlamentar për çështjet ligjore.
“Faktoje” listoi disa nga deklaratat që ka bërë Manja gjatë vitit të fundit se kur do jetë funksionale Gjykata Kushtetuese.
Deklarata e parë e bërë nga socialisti Manja ka qënë gjatë emisionit “Debati në Channel One” në 6 nëntor të 2018-s ku u shpreh se Gjykata Kushtetuese do të ishte funksionale brenda tremujorit të parë të vitit 2019.
“Brenda tremujorit të parë të vitit 2019, ne do kemi Gjykatë Kushtetuese. Në mars besoj gjithçka do jetë e zgjidhur”, është shprehur Manja.
Duke qenë se Gjykata Kushtetuese nuk u bë funksionale brenda tremujorit të parë të 2019-s, kryetari i komisionit parlamentar për çështjet ligjore foli sërish për këtë temë, ku theksonte se kjo gjykatë do të ishte funksionale brenda qershorit.
“Unë duke njohur procesin dhe mekanizmin ligjor jam besimplotë që Gjykata do të plotësohet me numrin e nevojshëm të anëtarëve brenda qershorit”, deklaronte Manja në emisionin “Tempora” në 23 Prill 2019-s.
Të njëjtën gjë deputeti socialist e përsëriti edhe gjatë fjalës së tij në seancën plenare të 8 majit.
“Brenda qershorit 2019, ne do të kemi të plotësuara vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, por edhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë”, shprehej Manja.
Ndërsa në fund të majit në emisionin “ Provokacija”, Manja jepte një tjetër afat për plotësimin me numrat e nevojshëm të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Unë them që jo brenda korrikut po e po, por unë shpresoj që brenda 20 korrikut ta kemi funksionale Gjykatën Kushtetuese” kështu theksonte Manja.
As brenda këtij afati, premtimi i dhënë më shumë se një herë nga Ulsi Manja nuk u përmbush. Jemi pothuajse në fund të korrikut dhe Gjykata Kushtetuese ende nuk është funksionale.
Duke qënë se deri tani, Gjykata Kushtetuese nuk është akoma funksionale, deklaratat e Manjës do t’i kategorizojmë “ Gënjeshtra”.