BallinaPertejGazetarët protestojnë me heshtje për projektligjin që ‘u mbyll’ gojën mediave online

Gazetarët protestojnë me heshtje për projektligjin që ‘u mbyll’ gojën mediave online

FAKTOJE

#mosmaprekfjalën ishte hashtagu që përfaqësoi protestën e sotme të gazetarëve, që u mbajt para Kuvendit këtë të mërkurë. Ata kundërshtuan “Paketën Antishpifje” që qeveria planifikoi të miratojë po sot në Parlament.


Qeveria ka një vit që e ka shqyrtuar këtë paketë e cila parasheh gjoba të rënda për gazetarët dhe mediat ‘online’.

Këshilli i Europës përmes Komisioneres për të Drejtat e Njeriut Dunja Mijatoviç u shpreh dje se është shumë i shqetësuar për mënyrën si janë hartuar për “Paketën Antishpifje”.

“Unë i bëj thirrje anëtarëve të Parlamentit të Shqipërisë që të rishikojnë draftet aktuale dhe t’i afrojnë ato me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve të Këshillit të Evropës”, tha ajo.

Përfaqësuesit e Bashkimit Europian, OSBE, UNDP të cilët janë thirrur në komisionet ku është diskutuar ligji janë shprehur qartë se qasja e duhur duhet të jetë vetërregullimi i medias dhe jo dhënia e kompetencave të gjykatës AMA-s.

Organizatat europiane që mbrojnë lirinë e medias u grupuan kundër paketës së propozuar nga qeveria duke i bërë thirrje parlamentit të Shqipërisë të heqë dorë nga procesi i aprovimit të këtyre projektligjeve. Edhe shoqatat lokale të gazetarëve dolën hapur kundër paketës dhe ua kumtuan qëndrimin e tyre të prerë kundër draftit, në seancat e mbajtura në komisionet e kryesisë së Kuvendit. “Faktoje” intervistoi disa nga pjesëmarrësit në këtë protest të heshtur kundër miratimit të paketës “antishpifje”

Enton Abilekaj-Dosja.al

 

“Shqiptarët duan një derë ku të trokasin kur refuzohen nga qeveria dhe ajo derë ka qenë gjithmonë media. Edi Rama do t’u mbyllë derën shqiptarëve për t’u ankuar. Kjo është ideja. Pasi s’u jep të drejtën të votojnë, të protestojnë, as të jetëojnë, tani nuk do as të flasim.

Domethënë, kjo nuk është çështje vetëm e portaleve, duhet ta kemi të qartë. Kjo është një çështje e të gjithë mediave, as e televizoneve, është e të gjithë shqiptarëve, prandaj mendoj që duhet të bashkohen shqiptarët në këtë çështje. Kjo është një çështje e një njeriu që do të vendosë diktaturën në këtë vend që do të marrë të gjitha pushtetet. Media është pushteti i fundit që ka mbetur, nuk është çështje nenesh këtu dhe çështje teknikalitetesh. Kjo është situata, ne këtë duhet të shmangim sot dhe për këtë duhet të mblidhemi të gjithë se po e humbëm dhe këtë betejë atëherë s’kemi më çfarë të bëjmë. Skemi as lirinë e tubimeve as lirinë e shprehjes. Çfarë do të bëjmë atëherë, të ikim të gjithë në Gjermani dhe të bëhemi emigrant apo jo?”

Aleksandër Çipa-Kryetari i Unionit të Gazetarëve

 

“Ky draft si i tillë mbledh dy projektligje, këto janë projektligje që lidhen më së pari me dy entet rregulltore në nivel kombëtar, përkatësisht Autoriteti i Medias Shqiptare, ish Autoriteti I Mediave Audiovizive dhe AKEP. Këto dy ente rregullatore marrin atribute edhe të të gjitha mekanizmave vetërregulluese. Mënyra se si është konceptuar funksionimi midis bordit të medias, Autoritetit të Medias Shqiptare dhe Këshillit të Ankesave është e tillë që krijon dhe një konflikt interesi por nga ana tjetër edhe funksionin e një agjencie të çensurës. Nga ana tjetër në pjesën e këtij drafti ne refuzojmë nene që kanë të bëjnë me penalitete financiare të cilat edhe pse pretendohen që ruajnë proporcionaliltetin, në fakt nuk janë të tilla, janë masa të larta financiare duke marrë parasysh faktin që shumicën e mediave online në Shqipëri I posedojnë gazetarët dhe jo persona me asete financiare dhe aq më tepër oligarkët dhe duke qenë gazetarë ata I kanë shumë të reduktuara mundësitë financiare dhe kapacitetet financiare. Nga ana tjetër ky ligj pothuajse e eklipson plotësisht kapacitetin dhe mundësinë vetrregulluese që kanë gazetarët. Aq më tepër që është gjithpranuar që ne kemi një kod etike I cili është nga më të cilësishmit dhe që përfshin sikundër shumë pak vende të rajonit edhe mediat online”.

A ka bazë të mjaftueshme ligjore për ta rregulluar këtë, pa qenë e mjaftueshme të kalojë një ligj i ri?

Jo, ne e pranojmë dhe opsionin që ne kemi vakum ligjor, sidomos për mediat online, por jo për rastin kur legjislatorët tanë pretendojnë se ky ligj merr në mbrojtje edhe qytetarin që cënohet nga shpifja nëpërmjet mediave online. Në Shqipëri në Kodin Civil ka nene të posaçme të cilat e mbrojnë qytetarin ndaj shpifjes apo ndaj fenomeneve të tjera që lidhen me shkelje të parashikuar nga ky kod. Jo më shumë se para 10 – 15 ditësh në mediat shqiptare ka pas një raportim për një process gjyqësor ndaj 7 portaleve të cilat akuzohen dhe përderisa gjykata e kryen këtë funksionalitet, pse kërkon t’ia kalosh këtë atribut një agjencie e cila dhe pse pretendohet që është publike, në fakt është vetëm shtetërore”.

Flutura Kusari –Këshilltare e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias

“Me këto ndryshime ligjore mediat online do të rregullohen nga shteti në vend se të vetrregullohen. AMA do të ketë mundësinë që të shqiptojë sanksione dhe AKEP do të ketë mundësinë që të mbyllë portale pa urdhër gjyqësor. Ndryshimet e fundit që janë bërë mbrëmë në momentet e fundit janë kozmetike. Ato nuk pasqyrojnë ndryshimet e kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar dhe ne, 7 organizata globale kemi kërkuar nga parlamenti i Shqipërisë që të mos I aprovojë këto projektligje. Kam dalë sot në protestë këtu për t’i mbështetur gazetarët me shpresën që ajo do të jetë një alarm për anëtarët e parlamentit dhe shpresoj që ata do të reflektojnë dhe nuk do t’i votojnë ndryshimet ligjore.”

Mendon që ka aktualisht bazë të mjaftueshme ligjore për të rregulluar median online?

“Në qoftë se duhet bazë ligjore për të mbrojtur dikë nga shpifja, atëherë duhet bazë ligjore për të mbrojtur gazetarët nga shpifjet që i bëhen nga ana e qeveritarëve. Aktualisht ka mjaft bazë ligjore për të paditur gazetarët, kjo dëshmohet dhe nga fakti që ka gjykime dënuese nga ana e gjykatave përmes të cilave politikanët kanë marrë dëms6hpërblim.

Ndërsa çështja e lajmeve të rreme, meqë është përdorur kinse argument është problematikë globale. Qeveri të ndryshme janë duke u menduar se si të gjejnë zgjidhje dhe qeveria e Ramës duhet të presë pak, të ketë durim dhe të shikojë bashkë me komunitetin ndërkombëtar se si të gjejnë një zgjidhje të përgjithshme dhe jo vetëm një zgjidhje për Shqipërinë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img