Garda Kombëtare nuk refuzoi nderimin e presidentit Biden

574

Pretendimi: Garda Kombëtare refuzoi të nderonte Joe Biden gjatë betimit të tij në 2021

Verdikti: E pavërtetë

Me afrimin e ceremonisë së betimit të presidentit të zgjedhur Donald Trump, në rrjete sociale në vendin tonë është rifshfaqur një video ku pretendohet se ushtarët e Gardës Kombëtare nuk nderuan Joe Biden gjatë betimit më 20 janar të vitit 2021. Si provë për këtë sillen disa sekuenca nga një filmim i trupave të Gardës Kombëtare katër vite më parë.

…Asnjë anëtar i Gardës Kombëtare nuk e përshëndeti paradën presidenciale të Joe Biden… Me të drejtë…”- shkruhet në postimin që shoqëron videon në profilin “Patriotët e botës së re” në Facebook.  

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Në videon e xhiruar nga një automjet në lëvizje duken ushtarët e Gardës Kombëtare të kthyer me kurriz nga rruga ku po kalojnë mjetet ku ndodhet kamera. Përdoruesit pretendojnë se Garda Kombëtare i ka “kthyer shpinën” Biden, si një shenjë për të treguar pakënaqësinë e tyre ndaj Biden.

Ne bëmë një kërkim të këtyre pamjeve, duke përdorur mjetet e verifikimit të imazheve ku rezulton se video është publikuar në janar të vitit 2021, në ditën e inaugurimit të Biden si president, nga reporterja e ABC, Ines de La Cuetara, e cila  shkruante: “Pamja nga autokolona e Bidenit teksa shkonte në Kapitol”.

Pamjet i përkasin momentit kur autokolona po largohej nga Varrezat e Arlingtonit dhe drejtohet në rrugën 15-të ku presidenti Biden filloi të ecte drejt ceremonisë.

Ndryshe nga çfarë aludohet, në pamjet e mëtejshme të ceremonisë duke iu afruar Kapitolit, autokolona nderohet nga ushtarakët e vendosur në të dyja krahët e rrugës. Edhe një video e publikuar në janar të vitit 2017 gjatë inaugurimit të Donald Trump, tregon të njëjtin pozicionim të ushtarëve. Edhe gjatë inaugurimit të ish-presidentit Barack Obama shihen ushtarët në të njëjtin qëndrim.

Zyrtarë të medias në Gardën Kombëtare gjithashtu konfirmuan për kolegët e Reuters, që verifikuan këtë pretendim, se video tregon protokollin rutinë për këtë detyrë. Pozicionimi i ushtarëve të Gardës Kombëtare është pjesë e detyrave për të kontrolluar perimetrin e sigurisë dhe ata nuk ishin pjesë e ceremonialit të betimit të presidentit.

Më shumë se 26,000 trupa të Gardës Kombëtare u mobilizuan asokohe për të mbrojtur ndërtesën e Kongresit gjatë ceremonisë së betimit të presidentit Biden, si një masë e mundshme sigurie pas sulmit të dhunshëm të 6 janarit nga mbështetësit republikanë.

Artikulli paraprakE kotë të prisni janarin për zbulimin e shtretërve çudibërës mjekësorë
Artikulli tjetërE manipuluar video ku Zelensky bie në gjunjë para Donald Trump
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.