Komisioneri për Të Drejtën e Informimit dështon në marrjen e përgjigjeve për të bërë transparencë mbi dokumentacionin që vërteton udhëtimin e disa funksionarëve të lartë, të filmuar ndërsa po darkonin në restorantin “Nusr-Et Steakhouse Dubai”, në janar të këtij viti. Kryeministri Rama reagoi duke thënë se të gjitha shpenzimet e udhëtimit në Dubai, me përjashtim të biletës së udhëtimit, i mbuloi pala pritëse. Për të verifikuar këtë deklaratë, Faktoje kërkoi zyrtarisht nga Kryeministria, Ministria e Rindërtimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Bashkia Tiranë, të tregonin ftesën zyrtare dhe urdhërin për shërbim jashtë vendit për këtë vizitë. Kërkesa për informacion mbeti pa përgjigjen e kërkuar edhe pse u ankimua tek komisioneri, i cili u mjaftua me dërgimin e një përgjigjeje ‘copy-paste’ për të katër insitucionet. Vetëm Bashkia e Tiranës ktheu një përgjigje ku argumenton se nuk e disponon ftesën.
Më 9 janar 2021 u publikua një video ku shfaqeshin disa funksionarë të lartë të qeverisë duke darkuar në restorantin “Nusr-Et Steakhouse Dubai”, i cili njihet për çmimet e larta.
Pas qarkullimit të videos në rrjetet sociale dhe mediat shqiptare, kryeministri Rama, duke iu përgjigjur interesit të lartë të opinionit publik, reagoi në emisionin “Open” në Top Channel.
“Pala mikpritëse fton një delegacion të madh, ashtu e kanë ata mënyrën se si punojnë me të gjithë, me të gjitha shpenzimet të mbuluara, me hotele, me restorante, me të gjitha, dhe pala jonë ka shpenzuar vetëm për udhëtimin në biletën ekonomike, siç kanë udhëtuar në biletën ekonomike që nga dita e parë që unë jam bërë kryeministër, të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, përfshirë edhe mua, deri kur për arsye të OSBE etj. etj. ne bëmë një marrëveshje me Air Albania për të marrë një fluturim të dedikuar.” – u shpreh kryeministri në “Open” më 15 janar.
Por, dërgimi i funksionarëve publikë për shërbim jashtë shtetit rregullohet me aktet përkatëse ligjorë. Sipas pikës 3, të VKM nr. 870, datë 14.12.2011, “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit” dërgimi më shërbim jashtë vendit bëhet me urdhër të titullarit të institucionit qendror. Mbulimi i shpenzimeve nga pala pritëse duhet dokumentuar edhe për të garantuar pavarësinë e funksionarëve publikë në ushtrimin e detyrës si dhe në përputhje me kërkest e ligjit për menaxhimin financiar dhe kontrollin.”
Më 21 dhe 22 janar të vitit 2021, Faktoje u dërgoi kërkesa zyrtare për informacion secilit prej institucioneve, Kryeministrisë, Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Bashkisë Tiranë, përfaqësuesit e të cilëve ishin të pranishëm në darkën e shumpërfolur në Dubai. Dokumendacioni i kërkuar është i detajuar në nivel dokumenti zyrtar. Më poshtë komunikimet e Faktoje për secilin institucion.
1. Kryeministria
Kërkesa për informacion drejtuar Kryeministrisë
Më 28 janar, Kryeministria na ktheu një përgjigje në rrugë elektronikë e cila sugjeronte që informacionin e kërkur të gjenim në faqen zyrtare të Kryeministrisë ku shpalosen aktivitetet e kryera nga kryeministri.
Ky e-mail nuk i dha përgjigje asnjërës prej kërkesave të paraqitura nga Faktoje, më 21 janar.
Më 23 shkurt, ne e ankimuam këtë kërkesë tek Komisioneri për Të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave personale.
Pas ankimimit, Komisioneri u përgjigj, duke i vendosur kryeministrisë si afat datën 5 mars 2021 për të dhënë qëndrimin në lidhje me pretendimin e ngritur nga ankuesi si dhe sqarime në lidhje me disponimin e dokumentacionit të kërkuar.
Në 4 mars 2021, Kryeministria ktheu një përgjigje ku konfirmon se nuk i disponon dokumentet e kërkuara nga Faktoje.
Pas kësaj përgjigjeje nga ana e Kryeministrisë, edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dërgoi një e-mail, ku e konsideronte të përfunduar shqyrtimin e ankesës sonë.
2. Ministria e Shtetit për Rindërtim
Të njëjtën kërkesë për informacion Faktoje ia dërgoi edhe Ministrisë së Rindërtimit, titullari I të cilës, Ahmetaj ndodhej në darkën e Dubait.
Kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin
As Ministria e Shtetit për Rindërtimin nuk u përgjigj, ndaj edhe kjo kërkesë I ankimua tek Komisionieri për të Drejtën e Informimit, më 23 shkurt 2021.
E njëjta procedurë u ndoq nga Komisioneri që i kërkonte ministrisë së Rindërtimit të shprehte qëndrimin e saj në lidhje me pretendimin e ngritur nga ankuesi (Faktoje).
Deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje nga Ministria e Shtetit për Rindërtimin për këtë aktivitet në Dubai.
3. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
Kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë na u përgjigj më 3 shkurt duke kërkuar më shumë kohë në dispozicion për të sjellë informacionin.
Më 16 shkurt iu drejtuam sërish kësaj Ministrie për një përgjigje lidhur me kërkesën e dërguar që më 21 janar.
Në mungesë të përgjigjes, e ankimuam edhe këtë kërkesë pranë Komisionerit për Të Drejtën e Informimit, më 23 shkurt.
Përgjigjja që na ktheu Komisioneri ishte identike me atë të ardhur për Kryeministrinë dhe Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin.
Edhe pas skadimit të afatit të vendosur nga Komisioneri, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka kthyer përgjigjeje.
4. Bashkia Tiranë
Kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë
Më 22 janar 2021, të njëjtën kërkesë për informacion ia dërguam edhe Bashkisë Tiranë, duke kërkuar dokumentacionin përkatës. Pas përfundimit të afatit ligjor prej 10 ditë pune për të kthyer përgjigje, ne iu drejtuam Komisionerit për Të Drejtën e Informimit më 26 shkurt 2021.
Edhe për Bashkinë Tiranë, Komisioneri ktheu të njëjtën përgjigje, ku kërkoi që institucioni në fjalë të jepte sqarime në lidhje me pretendimin e ngritur nga ankuesi brenda datës 10 mars 2021.
Pas ankimimit tek Komisioneri për Të Drejtën e Informimit, Bashkia Tiranë na ktheu përgjigje në rrugë elektronike. Krahas sqarimit se ftesa për vizitën në Emiratet Arabe të delegacionit shqiptar është dërguar fillimisht nga pala pritëse në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe në Ministrinë e Shtetit për Rindërtim, Bashkia Tiranë thekson se të gjitha shpenzimet e vizitës kanë qenë të mbuluara nga pala pritëse dhe kanë efekt financiar zero në buxhetin e Bashkisë.
Bashkëngjitur Bashkia Tiranë na ka dërguar edhe Memon Nr. 461. Ky document është firmosur nga funksionarët përkatës, përfshi kryetarin e Bashkisë, zotin Erion Veliaj, vetëm një ditë përpara se të fillonte prezantimi i projekteve sipas axhendës, I cili sipas dokumentit do të mbahej në datat 7-11 janar. Ky informacion saktësohet në Memo, në kërkesën që i është dërguar kryetarit të Bashkisë Tiranë për vizitën e punës në Emiratet e Bashkuara. Kjo kërkesë ka datë protokolli 06.01.2021, saktësisht një ditë përpara se të fillonte vizita e punës.
Edhe pse bashkia Tiranë ktheu një përgjigje, ndryshe nga 3 institucionet e tjera, sërish ftesa e dërguar nga pala pritëse për udhëtimin në Dubai të zyrtarëve të lartë dhe Urdhëri “Për dërgim jashtë shteti”, nuk na u vendos në dispozicion.