.

.

Home Projekte Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë Fshatrat Rrakull dhe Karpen në Kavajë pa rrjet ujësjellës

Fshatrat Rrakull dhe Karpen në Kavajë pa rrjet ujësjellës

0
Fshatrat Rrakull dhe Karpen në Kavajë pa rrjet ujësjellës

Banorët e fshatrave Rrakull dhe Karpen në Kavajë nuk kanë ujë 24 orë, siç u premtua nga kryebashkiaku Fisnik Qosja, madje në këto dy zona nuk ka fare rrjet ujësjellësi. Banorët thanë për Faktoje.al se përdorin ujin e puseve të hapur me shpenzimet e tyre, ndërkohë që duhet të paguajnë për të blerë ujë për të pirë. Ujësjellësi i Durrësit bën të ditur për Faktoje.al se projekti është ende në fazën e hartim-projektimit, duke mos dhënë një datë kur pritet të nisin punimet për projektin e premtuar.

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit 2024, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Kavajën, Fisnik Qosja premtoi zgjidhjen e furnizimit me ujë në fshatrat Rrakull dhe Karpen.

“Zgjidhja përfundimtare e çështjes së ujit… Ne kemi një projekt që përfshin bashkë me Karpenin edhe fshatin Rrakull, i cili do të mundësojë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm aq të rëndësishëm për banorët dhe turizmin!”, theksoi Qosja në 3 maj 2023, por pa dhënë afat konkret.

Postimi në Facebook i zotit Qosja

Në lidhje me këtë zotim të kryebashkiakut Qosja, Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Kavajës, ku e pyetëm konkretisht për fshatrat Karpen dhe Rrakull.

Institucioni në fjalë na vuri në dispozicion një tjetër plan investimi, që nuk lidhet në fakt me dy fshatrat Karpen dhe Rrakull.

 “Bashkia Kavajë është në fazë punimesh për objektin furnizim me ujë në zonat bregdetare Plazhi i Gjeneralit-Bardhor-Kareon-Synej variante 1, Loti 1”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Kavajë

Më tej thuhet se leja infrastrukturore për këtë objekt është lëshuar më 05.07.2021.

“Projekti parashikon ndërtimin e depove, stacioneve të pompimit, linjave të furnizimit dhe linjat e brendshme të ujësjellësit dhe hapjen e puseve të reja. Vlera e objektit është 188,549,796 lekë me TVSH. Punimet do të realizohen deri në datë 20.09.2024”, bën të ditur Bashkia e Kavajës.

Ndryshe nga Bashkia e Kavajës, Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës jep një përgjigje për çështjen në fjalë, por sqaron se procesi për dy fshatrat e sipërmendur është ende në fazën e studim-projektimit 

“Për projektin e furnizimit me ujë për fshatrat Rrakull dhe Karpen ju informojmë se procesi është akoma në fazën e studim-projektimit”, njofton UKD.

Verifikim në terren në fshatrat Rrakull dhe Karpen

Por, si është situata në terren? Faktoje.al ishte në fshatrat Rrakull dhe Karpen më 6 nëntor për të parë nga afër situatën e furnizimit me ujë në këto fshatra. Banorë të Rrakullit i thanë Faktoje.al se në këtë fshat nuk ka rrjet ujësjellësi dhe as nuk ka nisur puna për ndërtimin e tij. 

“Jam lindur e rritur këtu, sot jam 74 vjeç. Këtu nuk ka rrjet ujësjellësi. Për të pirë e blejmë ujin, për t’u larë me ujë pusi. Në fillim të demokracisë ka qenë hera e fundit që kemi pas ujë këtu. Ne po e vuajmë çdo ditë, por kush po pyet për ne”, tha për Faktoje një i moshuar, banor i fshatit Rrakull, që nuk pranoi të identifikohej.

E njëjta situatë ishte edhe në fshatin Karpen, pavarësisht premtimit të kryebashkiakut Qosja. Banorë të zonës thanë për Faktoje.al se nuk ka nisur asnjë investim.

“Një pjesë e blejnë ujin, një pjesë kanë hapur puse nga toka e vet. Po t’i bësh analizat uji i puseve nuk pihet, por ne çfarë të bëjmë?! Do e pijmë. Rrjet ujësjellës nuk ka. Kur vijnë me marrë votat premtojnë që do e bëjnë dhe nuk kanë bërë asgjë asnjëri”, ngre shqetësimin Mehdi Krasniqi, banor i fshatit Karpen.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që premtimin për projektin e furnizimit 24 orë me ujë të fshatrave Rrakull dhe Karpen, ta kategorizojmë deri tani të pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Previous article Përmbytjet në Spanjë nuk u ndikuan nga mbjellja e reve në Marok
Next article Iluzioni optik i një nofulle prehistorike nxit teorinë e gjigandëve të zhdukur
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.