Lajmet e kronikës së zezë janë ndër më të ‘suksesshmet’ në publik duke marrë gjithmonë vëmendje të lartë. Ky fakt ka sjellë për pasojë krijimin e artikujve dezinformues me temë personazhet e njohur të botës së krimit. I tillë është rasti i shpërndarjes së “fotove më të fundit” të Ervis Martinajt. Verifikimi i Faktoje zbulon se edhe pas zbardhjes së të vërtetës nga media të tjera, artikujt e gënjeshtërt vijojnë të mbeten në rrjet duke vijuar përhapjen e dezinformimit.
Jona Plumbi
Ngjarja e ndodhur në vitin 2018 në zonën e ish-bllokut në Tiranë ku mbeti i plagosur Ervis Martinaj, nisi një “telenovelë” të mirëfilltë mediatike mbi fatin e Martinajt, i cili sot është në kërkim ndërkombëtar të policisë. Pasi u arrestua në vitin 2018 dhe u lirua nga paraburgimi në maj të 2019-ës. Një vit më pas Ervis Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK pas dëshmive të Nuredin Dumanit, i penduar i drejtësisë, i cili e akuzoi se ka porositur vrasjen e Indrit Dokles kundrejt 500 000 eurove. Por sipas policisë ai ishte larguar tashmë nga vendi, me ndihmën e një oficeri të policisë së shtetit.
Nga momenti i shpalljes në kërkim të Ervis Martinajt, skenarë rrëmbimi, aksidenti, vrasjeje dhe zhdukjeje e nxitur edhe nga deklaratat e familjarëve të tij shfaqen herë pas here. I gjithë ky pështjellim informacioni ka sjellë një situatë ku lajmet mbi Martinajn, sado kontradiktore me njëra-tjetrën, gjejnë publik pasi faktet mungojnë dhe për rrjedhojë çdo teori mund të jetë e besueshme. Pikërisht kjo situatë ka prodhuar edhe lajme, të cilat dukshëm janë të gënjeshtërta, por që kanë për qëllim mbledhjen e klikimeve dhe jo informimin e qytetarëve.
Kështu mediat në vend në fund të muajit qershor 2023 shpërndanë një imazh duke pretenduar se personi në fjalë është Ervis Martinaj. Artikulli njofton se “sot nuk ka një version zyrtar nëse Martinaj është fshehur dhe mbase po përgatit hakmarrjen apo është eleminuar dhe zhdukur nga armiqtë e shumtë” – duke vijuar me publikimin e imazhit, të cilit Prapaskena ka siguruar dhe që ‘dyshohen si të fundit të Ervis Martinajt’.
Lajmi më pas është shpërndarë edhe nga media të tjera online si sot.com.al, opozita.com, gazetatema.net dhe Voxnews.al.
Pas shpërndarjes së kësaj fotografie si të ishte ajo e Ervis Martinajt, ka reaguar vetë personi në foto duke akuzuar mediat se po i përdorin imazhin për më shumë klikime. Disa media si Dosja.al dhe Noa.al e raportuan reagimin e tij që përgënjeshtron lajmin e publikuar nga Prapaskena.
Personi që reagoi duke thënë se është ai në foton e shpërndarë nga Prapaskena është një këngëtar me pseudonimin Grizzly.
Por edhe pse tashmë është ‘zbardhur’ identiteti i personit në foto nga vetë ai, portalet të cilat kanë shpërndarë imazhin e tij si të ishte i Ervis Martinajt, nuk kanë reflektuar në lajmet e tyre të vërtetën e zbuluar, duke i lënë lajmet keqinformuese të pandryshuara.
Nisur nga reagimi i personit në fotografinë e shpërndarë në media si të ishte ajo e të kërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj, mund të themi se informacioni i shpërndarë si “fotoja e fundit” e tij është i pavërtetë.
Shënim:
Data 17 korrik 2023 website woxnews.al e ka korrigjuar shkrimin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.