Një imazh që qarkullon në internet që në 2015 pretendon se futbollisti argjentinas Lionel Messi ka origjinë shqiptare. Verifikimi i “Faktoje” shpjegon se kjo foto është një montazh, versione të ndryshmëm të së cilit janë përdorur për kauza të ndryshme përgjatë viteve.
—————————————————–
Me Kampionatin Botëror të 2022 u ringjall përsëri një teori e vjetër se futbollisti argjentinas Lionel Messi ka prejardhje shqiptare. Një foto që po qarkullon në Facebook së fundmi paraqet Messin duke treguar një fanellë me shqiponjën dykrenare, dhe shoqërohet me tekstin: “Quhem Lionel Mesi, lindur në Rozario Argjentinë 24-6-1987. Jam me origjinë shqiptare (Arbëresh) stërnip i Anxhelo Mesit dhe të parët e mi emigruan nga Ankona në Argjentinë në SHEK XIX, ku ekzistojnë shumë arbëreshë dhe kryepeshkopi i qytetit është Aleksandri… JAM KRENAR PëR ORIGJINëN TIME!”
Kaq është dashur që të vërshojnë një lumë komentesh entuziaste nga komentuesit. Ka edhe nga ata komentues që shprehin kënaqësinë për vërtetimin e një fakti “tashmë që ekziston edhe kjo foto me flamurin shqiptar”.
Nga verifikimi i “Faktoje” në programin TinEye, fotoja e mësipërme me shqiponjën dykrenare ka qarkulluar nëpër internet të paktën që në 2015. Ndërsa foto të ngjashme janë publikuar që në 2013, të modifikuara për të lënë të duket se futbollisti mbështet një shumëllojshmëri kauzash, nga ‘Palestina e Lirë’ tek shteti i Izraelit.
Fotoja origjinale është e vitit 2011, kur Messi u emërua Ambasador Botëror për qytetin e tij të origjinës, Rosario. Në foton origjinale ai po mban një fanellë me shkrimin “Rosario 2019” për të promovuar qytetin e Rosario në përpjekjen e tij të atëhershme për të mbajtur Lojërat Pan-amerikane në 2019.
Fotoja origjinale, 2011
Foto nga po e njejta ceremoni, 2011
Vetë futbollisti nuk ka dhënë ndonjëherë ndonjë deklaratë se ka origjinë shqiptare apo arbëreshe. Në biografinë e tij, gjurmohen rrënjët e futbollistit deri në Itali, në zonat e Recanati dhe Ancona, por nuk përmendet ndonjë prejardhje arbëreshe, megjithëse përmendet se Messi ka edhe gjak spanjoll.