Imazhi i një grupi ushtarësh të vdekur pranë flamurit izraelit po qarkullon në rrjet si foto e trupave izraelite të shpartalluara nga rezistenca e Hamas. Verifikimi i Faktoje zbuloi se imazhi, në të vërtetë, është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
———————————————–
Në 27 tetor, pas disa javëve bombardimesh, ushtria izraelite nisi pushtimin nga toka në Gaza. Ky operacion u pasua nga një sërë informacionesh të pavërtetuara në rrjete sociale.
Konkretisht, një imazh që duket se tregon një grup ushtarësh të vdekur, krahas një flamuri izraelit po prezantohet si foto e humbjeve në trupa që ka pësuar Izraeli gjatë kësaj mësymje.
Lexuesi skeptik do të vërejë se flamuri i Izraelit në imazh është tejet i pastër, gati rrëzëllitës, për të qenë pjesë e një masakre të tillë.
Për më tepër, një sërë përçudnimesh të imazhit, specifikisht detajeve si fytyrat, gjymtyrët dhe duart, janë treguesit e zakonshëm të imazheve të krijuara me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Për të vërtetuar këtë dyshim, Faktoje përdori programin AI or Not. Ky program konfirmoi se imazhi i mësipërm është gjeneruar me anë të AI.
Ndërkohë, sipas ushtrisë izraelite, që në 27 tetor janë vrarë 30 ushtarë izraelitë.
Konflikti në Gaza është shoqëruar me një valë dëzinformimi në rrjete sociale. Faktoje ka përgënjeshtruar një pjesë të tyre këtu.
“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë imazhe të gjeneruar me AI që janë marrë për të vërteta në rrjete sociale.