Një foto që tregon një person të mbështjellë me çarçaf si një kufomë duke përdorur telefonin po shpërndahet në rrjete sociale si të kishte lidhje me konfliktin në Gaza. Verifikimi i Faktoje zbuloi se foto është nga Tajlanda dhe tregon një fëmijë të veshur me kostum për festën e Halloween.

—————————————————–

Në rrjete sociale po qarkullon foto e një njeriu të mbështjellë me çarçaf të bardhë, duke përdorur telefonin. Foto është përdorur për të pretenduar se vdekjet në Gaza janë të inskenuara apo të fryra. Nga ana tjetër, ajo është sjellë edhe si ‘provë’ për të pretenduar se Izraeli po tallet me fëmijët palestinezë të vrarë duke i vendosur në pozicione të tilla kufomat e tyre.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se foto e mësipërme nuk ka të bëjë aspak me konfliktin në Gaza.

Ajo është postuar fillmisht në Facebook më 29 tetor 2022 nga një media tajlandeze.

Foto ishte pjesë e një postimi që prezantonte ide të thjeshta që prindërit mund të krijojnë për fëmijët e tyre me rastin e festës së Halloween. Në fotot e tjera që shoqërojnë postimin mund të shihet edhe kostumi i plotë i fëmijës i veshur si i vdekur, plotësuar edhe me një arkivol të bërë nga një kuti kartoni.

Kostumi i fëmijës në foto (djathtas)

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë palestineze raporton se gati 10 mijë njerëz kanë vdekur në Gaza brenda këtij muaji. Thuajse gjysma e tyre, 4 mijë, janë fëmijë.