Lajmet për futjen e alkolit në mënyrë të fshehtë në stadiumet e Botërorit “Katar 2022” nuk është i saktë. Një foto e disa muajve më parë e një kanoçeje birre të maskuar si Coca-Cola ka ushqyer lajmin e rremë se “tifozët kanë gjetur mënyrën për të futur birrat në stadium”.
Jona Plumbi
Pas ndalimit që shteti i Katarit i bëri pijeve alkolike në ambjentet e stadiumeve që do të përdoren gjatë kampionatit botëror të futbollit “Katar 2022”, në rrjet kanë qarkulluar lajme që pretendojnë se tifozët po i thyejnë rregullat e vendosura nga autoritetet. Kështu lajmëron edhe artikulli i publikuar nga portali “Shqip” me titull “Alkooli u ndalua në “Katar 2022”, por tifozët me ide “gjeniale” gjejnë mënyrën për t’i futur birrat në stadiume”.
Artikulli e bazon pretendimin mbi një fotografi të publikuar në rrjet, e cila tregon një kanoçe birre të kamufluar si ajo e Coca-Cola-s.
“Faktoje” verifikoi pretendimin dhe rezulton se fotografia nga e cila ka marrë shtysë shkrimi, në fakt është ndarë për herë të parë në rrjetin social Twitter në Qershor 2022, pesë muaj përpara se të fillonte kampionati i futbollit në Katar. Ndaj, kjo fotografi nuk vërteton aspak pretendimin e artikullit se “tifozët kanë gjetur një mënyrë për t’u futur në tribuna me alkool”.
Burim i kësaj ngatërrese duket të jetë bërë një profil në Twitter, i quajtur “FIFA World Cup 2022”, që ka shpërndarë fotografinë në fjalë me tekstin “si të marrësh alkool në stadiumet e Katarit”. Por ky profil nuk është ai zyrtar i FIFA’s ndaj nuk mund të konsiderohet si burim I besueshëm informacioni.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin