Një publikim në rrjetet sociale ngre pretendimin se një zyrtar i brendshëm i World Economic Forum ka deklaruar se ata ‘janë zota dhe kushdo që i ndërpret rrugën do eleminohet’. Verifikimi i Faktoje tregon se videoja në fjalë i përket Richard Seed, fizikant dhe sipërmarrës amerikan, i njohur për nxitjen e debatit mbi klonimin njerëzor në fund të viteve 1990, video e cila qarkullon prej thuajse 10 vitesh në rrjet.
Jona Plumbi
Një publikim në rrjetet sociale ka ngritur pretendimin se një zyrtar i brendshëm i World Economic Forum ka bërë një deklaratë video ku deklaron se [ata] do të bëhen zota dhe se kushdo që mundohet t’i ndalojë do të përballet me probleme. “Do të ketë luftë” – dëgjohet në videon që shoqëron pretendimin.
Publikuesi i videos ka bërë edhe një përkthim të minutave të para të videos.
“Një burim i brendshëm i Forumit Ekonomik Botëror ka deklaruar se elita globaliste do të bëhet perëndi dhe se ndërhyrja në proces do të rezultojë në probleme të mëdha. Sipas globalistëve, mënyra e vetme për t’i penguar ata të bëhen “zota” është t’i vrisni, dhe para se ta bëni këtë, ata do t’ju vrasin…
Doni me troç ?” – shkruhet mes të tjerave në postim.
Një kërkim në rrjet lidhur me këtë deklaratë të publikuar në formatin video tregon se edhe pse videoja është e vërtetë, ajo i përket viteve ’90-të dhe është bërë nga Richard Seed. Ky i fundit nuk ka asnjë lidhje me Forumin Ekonomik Botëror, dhe njihet si fizikanti amerikan, i cili ndezi një debat në Shtetet Bashkuara të Amerikës lidhur me klonimin.
Në rrjet gjendet videoja origjinale ku Richard Seed, cilësuar si fizikant dhe hulumtues i klonimit të njeriut, dëgjohet të thotë deklaratën “ne do të bëhemi zota”. Si duket edhe nga vetë krahasimi i videos, personi, zëri dhe deklaratat janë të njëjta.
Richard Seed, i diplomuar në Harvard, ndërroi jetë në vitin 2013. Ai deklaronte se “klonimi është vepër e zotit” në intervista të dhëna për mediat amerikane të kohës ku pretendonte se do të ndryshonte rrjedhën e evolucionit njerëzor. Një kronikë e vitit 1998 e CNN bën një përmbledhje të këtij personazhi.
Ai ka qenë subjekt i studimeve dhe shkrimeve si përshembull ai i titulluar “Nga shkencëtari i çmendur në shkencëtar i keq: Richard Seed si ngjarje bioqeveritare”.
Jeta dhe karriera e Richard Seed
Seed lindi në Çikago dhe u diplomua në shkollën e mesme Oak Park dhe River Forest në Illinois përpara se të ndiqte Universitetin e Harvardit, duke fituar diplomën e tij universitare atje në 1949. Më vonë mori një diplomë master, si dhe një doktoraturë në fizikë nga Harvardi në vitin 1953. Interesat e tij shpejt u zhvendosën në kufirin e ri të biomjekësisë.
Në vitet 1970, Seed bashkëthemeloi një kompani që komercializoi një teknikë për transferimin e embrioneve në bagëti. Më vonë, ai dhe vëllai i tij, kirurgu i Çikagos, Randolph Seed, krijuan një kompani tjetër, Fertility & Genetics Research Inc., për të ndihmuar gratë jopjellore të kenë fëmijë duke përdorur të njëjtën teknikë. Këto përpjekje për të transplantuar një embrion njerëzor nga një grua tek një nënë zëvendësuese jopjellore u botuan në vitin 1984. Procedura e rëndë përfshinte nxjerrjen e embrioneve nga mitra e dhuruesit të vezëve – dhe shpejt u eklipsua nga fekondimi in-vitro. Në fund të fundit sipërmarrja dështoi.
Më 5 dhjetor 1997, Seed njoftoi se planifikonte të klononte një qenie njerëzore përpara se të miratohej ndonjë ligj federal për të ndaluar procesin. Njoftimi i Seed nxiti debatin etik mbi klonimin njerëzor që ishte ndezur nga krijimi i deleve Dolly nga Ian Wilmut, kloni i parë i marrë nga qelizat e të rriturve. Planet e Seed ishin të përdorte të njëjtën teknikë të përdorur nga ekipi skocez. Njoftimi i Seed shkonte kundër propozimit të Presidentit Clinton të vitit 1997 për një moratorium vullnetar privat kundër klonimit njerëzor. Seed u nderua me çmimin Ig Nobel 1998 në ekonomi, vlerësim satirik i njohur edhe si çmimi i “Hulumtim i pamundur” dhe nderon arritjet që ‘i bëjnë njerëzit të qeshin, dhe pastaj të mendojnë’.
Nisur nga këto të dhëna mund të themi se informacioni i ofruar në rrjetin social Facebook është i nxjerrë jashtë konteksti pasi Richard Seed nuk është një zyrtar i brendshëm i World Economic Forum dhe deklarata e tij është nxjerrë plotësisht jashtë kontekstit.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin