Pretendimi: Kjo video tregon pamje nga zjarret e fund-prillit 2025 në Izrael

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale pretendohet se tregon pamje nga zjarret e pranverës 2025 në Izrael.

Zjarre shpërthyen në periferi të Jeruzalemit më 30 prill 2025 dhe çuan në evakuimin e tre komuniteteve dhe mbylljen e një autostrade kryesore.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar në rrjet të paktën që në 1 prill 2025. 

Video shfaqet në një version më të plotë në një postim në Twitter ku pamjet përshkruhen si të jenë nga një “zjarr masiv në tubacionin e gazit në Putra Heights, Malajzi.”

Video është postuar edhe në rrjete të tjera sociale më 1 prill, shoqëruar me përshkrime që e vendosin atë në Malajzi.

Më 1 prill 2025, afërsisht në orën 8:08 të mëngjesit, një incident i madh industrial ndodhi në Putra Heights, Subang Jaya, Selangor, Malajzi, kur një rrjedhje në tubacionin e gazit Petronas shkaktoi një shpërthim dhe më pas zjarr. Një total prej 150 personash u plagosën dhe evakuime emergjente u kryen brenda një rrezeje prej 290 metrash nga vendi i ngjarjes.

Video e mësipërme me gjasa tregon zjarrin që pasoi shpërthimin e një tubacioni gazi në Malajzi. Eshtë e sigurt, megjithatë, se duke qenë se ajo është postuar në rrjet që në 1 prill, nuk mund të tregojë pamje të zjarreve në Izrael që nisën gati një muaj më pas, më 30 prill 2025.