Në fjalimin e saj më të fundit për gjendjen e Bashkimit Europian, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, paraqiti një axhendë ambicioze që preku sferat kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme të Evropës: nga forcimi i mbrojtjes, pavarësia në prodhim dhe investimet në teknologji, tek agjenda e gjelbërt dhe mbështetja për Ukrainën. 

Ndërkohë që retorika ishte e fuqishme, ekspertët vënë në dukje për Faktoje se realizimi i këtyre objektivave përballet me pengesa të konsiderueshme, si brenda BE-së ashtu edhe në kontekstin global.

Ushtria europiane

Një nga pikat më të theksuara gjatë fjalimit të Von der Leyen ishte domosdoshmëria që Europa të sigurojë vetë mbrojtjen e hapësirës së saj dhe sigurinë. Koncepti për një ushtri të përbashkët europiane që ka qarkulluar për dekada, së fundi u risoll në vëmendje pas  deklaratave të Donald Trump gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, që ngritën dyshime sa i përket qëndrueshmërisë së NATO-s. Gjithësesi kjo ide asnjëherë nuk ka marrë formë konkrete. 

Ilir Kalemaj thekson se pavarësisht propozimeve të vazhdueshme për një ushtri europiane, që kanë ardhur kryesisht nga presidentët francezë si Chirac, Sarkozy apo Macron, asgjë nuk ka ndodhur për shkak të NATO-s dhe mungesës së mbështetjes panevropiane.

Për shkak të nevojës për fuqizim të NATO-s, thellim të partneritetit euro-atlantik, shpenzimet që duhet të shkojnë deri në 5% të PBB-së të vendeve anëtare deri në vitin 2035, mendoj se do ishte gati i pamundur krijimi i një ushtrie të BE në këto kushte

Ilir Kalemaj – Studiues dhe lektor në Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime të BE-së

Madje të panevojshëm e vlerëson Kalemaj krijimin e një ushtrie të tillë.

Për ish-komandantin e Forcave Detare, Artur Meçollari, ideja e pavarësisë ushtarake të Evropës vjen si pasojë e situatës globale. Kjo nënkupton pavarësi nga SHBA-ja, gjë që duket tejet e vështirë për BE-në për shkak të disa faktorëve sipas tij

“Ende (BE) nuk ka një kuptim të përbashkët mbi kërcënimin rus, ka përplasje interesash të forta midis anëtarëve lidhur me buxhetin e mbrojtjes dhe ndihmën ndaj Ukrainës, dhe për më tepër BE nuk ka një shtet lider, fuqia e të cilit të krijojë ballanca të brendshme unifikuese.  Kjo, mund të ilustrohet me shprehjen se ‘NATO nuk mund të ekzistojë pa SHBA

Artur Meçollari, ish-komandant i Forcave Detare

“Ende (BE) nuk ka një kuptim të përbashkët mbi kërcënimin rus, ka përplasje interesash të forta midis anëtarëve lidhur me buxhetin e mbrojtjes dhe ndihmën ndaj Ukrainës, dhe për më tepër BE nuk ka një shtet lider, fuqia e të cilit të krijojë ballanca të brendshme unifikuese.  Kjo, mund të ilustrohet me shprehjen se ‘NATO nuk mund të ekzistojë pa SHBA”, argumenton Meçollari.

Realizimi i një ushtrie të tillë përballet edhe me kufizime të mëdha praktike në këndvështrimin e Ledion Krisafit, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo sepse, sipas tij, Evropa ka mungesa të mëdha ushtarake, dhe ekonomikisht është në vendnumëro krahasuar me SHBA-në dhe Kinën

“Madje edhe teknologjikisht [Europa] është shumë mbrapa SHBA-ve dhe Kinës. Nuk ka asnjë kompani të madhe teknologjike që të jetë në Europë. Vështirë që pa zhvillim ekonomik, pa zhvillim teknologjik dhe me një emigracion masiv që po shpartallon strukturën sociale dhe demografike të vendeve evropiane, të arrijë të realizojë reforma të tilla në 4 vitet e ardhshme”

Ledion Krisafi – ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare

Marrëdhënia BE – SHBA

Një skenar më realist dhe i mundshëm është një bashkëpunim mes Washingtonit dhe Bashkimit Europian në forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë së kontinentit të vjetër. E ndonëse ideja e një ushtrie europiane mund të duket si kërcënim, në fakt ajo mund të jetë thjesht një formë presioni mbi SHBA-në që të rishikojë angazhimin e saj për sigurinë në Europë.

Nëse Washingtoni do e shohë vizionin e shprehur nga Presidentja Von der Leyen si marrje të më shumë përgjegjësive të shteteve anëtare, duke ruajtur rolin e NATO-s dhe SHBA në sigurinë Europiane, atëherë jemi përpara një zhvillimi pozitiv sipas Artur Meçollarit.

Për Ilir Kalemajn, Washingtoni është i interesuar dhe e ka shprehur që kërkon që vendet europiane të investojnë më shumë brenda NATO-s, dhe nëse BE-ja e ka mundesinë, kapacitetet dhe aftësinë për të zhvilluar dhe një ushtri paralele evropiane, kjo nuk do të përbënte shqetësim real për Washingtonin.

Edhe Ledion Krisafi nuk e sheh të “kërcënuar” aleancën euro-atlantike nga Europa. Sipas tij, BE-ja mbetet e varur nga SHBA për sigurinë e saj, në kushtet e mungesës së një ushtrie të përbashkët dhe të aftësive të kufizuara. “Rritja e buxheteve të mbrojtjes dhe forcimi i mekanizmave europianë është një hap drejt autonomisë, por jo një kërcënim real për NATO-n”, vlerëson ai.

Në fjalimin e saj, Von der Leyen e theksoi disa herë nevojën për të mbështetur fortë Ukrainën dhe kërkoi mobilizim të fondeve për rindërtimin e vendit. Ekspertët vënë në dukje se zhvillimet në Ukrainë do të jetë sprova e madhe jo vetëm që do të tregojë sa e angazhuar është  SHBA-ja në mbrojtjen e Europës, por edhe se sa i qëndrueshëm është Bashkimi Europian në vetvete.

“Nëse lufta në Ukrainë vazhdon, BE do të jetë e detyruar të ndërhyjë më shumë. Kjo situatë mund të vërë në dyshim të ardhmen e Bashkimit Europian,” vlerëson Krisafi.

Impikimet për Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë

Sesi këto ambicie politike të Bashkimit Europian do të ndikojnë mbi politikat e zgjerimit dhe mbi të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kjo do të shihet me kohën, vlerësojnë ekspertët.

Ajo që dihet deri më sot, si vijshmëri e proceseve të mëparshme historike të BE-së qysh prej fillimeve të saj, sipas Ilir Kalemajt, është se anxhendat e thellimit, ku përfshihen edhe mekanizmat e mbrojtjes dhe sigurisë, shkojnë në drejtim të kundërt me përpjekjet për zgjerim.

Në anën tjetër, një nga pasojat e mundshme të politikave të parashtruara nga Von der Leyen sipas Ledion Krisafit është hapësira për kompromis më të madh ndaj vendeve kandidate për anëtarësim në BE.

Zgjerimi në fund të fundit ka qenë gjithmonë një vendim politik. As Bullgaria e Rumania në 2007-ën nuk ishin gati për në BE, por u pranuan. E njëjta gjë më shumë mundësi do ndodhë dhe me Shqipërinë apo Malin e Zi. Po bëhen 12 vjet nga anëtarësimi i Kroacisë dhe 15 e më shumë vite që vendet e Ballkanit Perëndimor janë kandidate për në BE dhe një periudhë kaq e gjatë kohe mund të dekurajojë shumë nga këto vende”,  argumenton Krisafi. 

Përfundim: Ambicie dhe realitet

Analiza e ekspertëve tregon se, me gjithë retorikën ambicioze të Von der Leyen, realizimi i objektivave të saj mbetet i kufizuar nga kapacitetet reale të BE-së. 

Objektivat që shpalosi Von der Leyen janë gati të pamundura për tu realizuar, duke marrë parasysh buxhetin e Komisionit dhe fuqinë politike të saj, veçanërisht kur disa grupe në Parlamentin Europian kanë kërkuar mocion mosbesimi”, vëren  Ilir Kalemaj.

Megjithatë, fjalimi shërben si orientim strategjik, duke treguar drejtimin e Komisionit Europian dhe duke sinjalizuar nevojën për një pavarësi më të madhe në fushën e mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Sipas ekspertëve, sfidat janë të mëdha, por qasja e qartë dhe ambicioze e Von der Leyen mund të shërbejë si motor për diskutime dhe reforma të nevojshme në dekadën e ardhshme.