3 Maj, 2023

Deklaratë për shtyp

Fjala është e lirë dhe vërtetësia e saj duhet mbrojtur, jo helmuar

3 maji është një ditë kujtese dhe vlerësimi për gazetarët, të cilët janë kërcënuar, sulmuar apo edhe kanë humbur jetën gjatë punës së tyre. Gjithashtu, kjo Ditë Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, shërben si një moment reflektimi për të gjithë ne gazetarët mbi sfidat për të garantuar lirinë e shtypit, por edhe për të siguruar një gazetari etike dhe profesionale.

Ne, më shumë se kushdo, duhet të kuptojmë dhe bëjmë të ditur për të gjithë aktorët dhe publikun se fjala është e lirë dhe vërtetësia e saj duhet mbrojtur dhe jo helmuar.

Edhe sipas indeksit  të lirisë së medias e Reporterëve pa kufij kjo ditë ndërkombëtare e gjen sërish në një pozitë të rrezikuar lirinë e medias në Shqipëri. Gazetarët dhe media përballen jo vetëm me kërcënimet dhe censurën, por së fundi edhe me disinformimin dhe propogandën “zhurmuese” që vjen nga mjedisi politik dhe ai i biznesit. Mungesa e transparencës dhe bllokimi i informacioneve zyrtare vijon të mbetet një sfidë për gazetarët që kërkojnë të informojnë saktë, në formë të pavarur dhe cilësore. Kur na ndajnë pak ditë nga zgjedhjet vendore, materialet e fushatës zgjedhore vijojnë të përgatiten në zyrat e shtypit të institucioneve. Mediat transmetojnë mesazhe të parapërgatitura duke i penguar gazetarët të kryejne detyrën e tyre kryesore, informimin e saktë të qytetarëve.

“Faktoje” është e vetmja media që verifikon në mënyrë periodike premtimet e politikanëve dhe zyrtarëve lokalë duke ofruar një mënyrë të besueshme verifikimi për votuesit.

Përgjatë 12 muajve të fundit, kemi verifikuar 285 deklarata dhe 84 premtime të zyrtarëve publikë, sipas metodologjisë së unifikuar ndërkombëtarisht si firmëtarë të Kodit të Parive të IFCN, ku prevalon interesi i publikut.

Nga 285 deklaratat 20 janë kategorizuar të vërteta dhe 129 të pavërteta. Nga 84 premtime 73 janë verifikuar si të pambajtur dhe vetëm 11 të mbajtura. Edhe pse, vetëm këta tregues mjaftojnë për të provuar përmbushjen e misionit për të mbajtur përgjegjegjës zyrtarët publikë dhe të mirinformuar qytetarët. Faktoje kontribuon paralelisht në edukimin mediatik në shkolla, universitete dhe institucione publike. Përmes projekteve gjithëpërfshirëse synohet zhvillimi i të menduarit kritik tek audienca, e cila është bombarduar nga lajmet e rreme dhe teoritë konspirative copy-paste. Të paketuara me tituj sensacionalistë e të pavërtetë, sidomos në periudha krizash si tërmeti, pandemia apo lufta në Ukrainë, ato u shndërruan në infodemi duke rrezikuar sigurinë dhe shëndetin e publikut.

Për të siguruar informacionin e nevojshëm përballemi gjithmonë e më shpesh me administratën hermetike apo përgjigje që përpiqen të fshehin të vërtetën. Kemi vendosur kështu të jemi përballë pushtetit, jo për interesin e dikujt tjetër që pret të vijë në pushtet, por për të siguruar përgjegjësinë e duhur dhe transparencën për publikun.

Tranzitimi i konsumit të medias në platforma në internet, nga mediat sociale deri në platformat e mesazheve, përkon me fenomene sikundër janë dezinformimi online, retorika e urrejtjes dhe e manipulimit elektoral, të cilat kanë çuar në ulje të besimit në burimet serioze të medias, por edhe në institucionet demokratike. 

“Faktoje”, si  e vetmja  organizatë e verifikimit të fakteve në Shqipëri[1], pjesë e rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve IFCN, ka nisur në vitin 2022 bashkëpunimin me kompaninë META, me qëllim verifikimin e lajmeve të rreme në portale të ndryshme. Verifikimet e dizinformimit ndaj luftës në Ukrainë apo teorive konspiracioniste që vënë në dyshim legjitimitetin e autoriteteve në Shqipëri dhe aleatët tanë euro-atlantikë, ngjallin shpesh intimidime dhe sulme personale ndaj ekipit të “Faktoje”nga media,portale apo  edhe personat të prekur nga denoncimi i lajmeve të rreme.

Ekipi i “Faktoje” verifikon lajmet desinformuese dhe i ofron çdo portali mundësinë të korrigjojë lajmet e rreme, në mënyre që të ulë disinformimin, teoritë konspirative, apo lajmet e prodhuara vetëm për klikime.  Deri më sot, asnjë media nuk ka pretenduar se lajmet e verifikuara nga “Faktoje” janë vlerësuar si të rreme pa të drejtë dhe të ndjekë rrugën e apelimit pranë META. Për fat të keq, rruga e zgjedhur është ajo e sulmit ndaj gazetarëve dhe përbaltjes për të gjetur tjetërkund arsyet e bllokimit të lajmeve të rreme.

Për fat të keq, përveç politikës dhe biznesit, tashmë ndodhemi edhe përballë këtyre portaleve shantazuese, që nën kostumin e heronjve të fjalës së lirë po kërcënojnë më tej një media të pavaruar dhe profesionale.

Gazetaria është një mision për t’i shërbyer të vërtetës dhe qytetarëve, zëri i të cilëve nuk ka forcë të dëgjohet. Kështu ajo i shërben forcimit të demokracisë dhe zhvillimit të vendit. Andaj, ndalimi i dizinformimit që guxon të shfaqet hapur në portale anonime, në emër të lirisë së fjalës, është sot një mision edhe më i rëndësishëm. Ne vijojmë të besojmë se publiku dhe aktorët e tjerë profesionistë mediatikë, do të gjejnë forcën e duhur për mos qëndruar indiferentë ndaj mediave që përdoren si mjete propagande dhe shantazi.


[1] ““Faktoje”” ka si qëllim kryesor të punës, verifikimin e premtimeve, deklaratave dhe si shpenzohen paratë publike nga zyrtaret e lartë. Ajo zbaton një metodologji verifikimi që mbron pavarësinë editoriale, e cila synon rritjen e transparencës dhe forcimin e llogaridhënies ndaj insititucioneve publike.