Xhamia e Namazgjasë në kryeqytet duhet të kishte hapur dyert që në vitin 2017, e madje në ditën e festës së Bajramit, sipas premtimit të artikuluar nga kryebashkiaku Veliaj në vitin 2016. Por deri më sot, kur kanë kaluar 7 vite dhe disa afate të shkelura, Xhamia e Namazgjasë, një investim i Turqisë prej 30 milionë eurosh, ende nuk është hapur. Nga një verifikim në terren, punimet për objektin thuajse kanë përfunduar, por ndërtesa është e rrethuar dhe me sinjalistikën e një kantieri ndërtimi, ku ndalohet hyrja.
Në korrik të vitit 2016, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, ku premtoi se brenda dy viteve ky objekt kulti do të ishte gati për besimtarët myslimanë.
“Besoj që shumë shpejt, në mos Bajramin tjetër, atë fill pas do të ketë një shtëpi të besimtarëve që është dinjitoze, që akomodon dhe besoj që i ofron qytetit shumë më shumë shërbime se shërbimet që kemi pasur deri më tani”, deklaroi Veliaj.
Faktoje bëri një verifikim në terren më 20 prill, një ditë para festës së Fiter Bajramit, të cilin besimtarët myslimanë mund ta kishin falur pikërisht në Xhaminë e Namazgjasë. Ajo që vumë re ishte se objekti ende i rrethuar dhe me sinjalistikën e një kantieri ndërtimi, ku ndalohej hyrja e personave të paautorizuar.
Xhamia e Namazgjasë, 20 prill 2023
Ndërkohë, nga jashtë dukej se kishte përfunduar pjesa më e madhe e punimeve dhe infrastruktura përreth Xhamisë, mirëpo, dukej qartësisht se ajo nuk do jetë e hapur për besimtarët për festën në 21 prill.
Xhamia e Namazgjasë, 20 prill 2023
Dëshira e besimtarëve që xhamia të hapet sa më parë, është e madhe dhe kjo shprehet edhe nga të rinjtë.
Geni, një 18-vjeçar, i cili prej nje viti e gjysmë ka nisur të praktikojë ritet fetare myslimane thotë për Faktoje: “Mezi po e presim që të hapet. Është bërë shumë e bukur dhe do ishte një dhuratë e madhe për të gjithë ne besimtarët”.
Xhamia e Namazgjasë, 20 prill 2023
65-vjeçarja Neta uron që Xhamia e Namazgjasë të jetë gati të paktën Bajramin tjetër, që ta kryejnë faljen në këtë objekt kulti.
“Ëndërr e kemi ta shohim këtë xhami, ishalla po e hapin Bajramin tjetër të paktën, që të bëjmë faljen aty”, shprehet Neta.
Teksa besimtarët myslimanë festojnë Fiter Bajramin e shtatë jashtë mureve të këtij objekti, që prej premtimit të bërë nga kryebashkiaku Veliaj, Faktoje kërkoi zyrtarisht informacion në lidhje më arsyet përse nuk është hapur Xhamia e Namazgjasë.
Ne iu drejtuam gjithashtu me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Tiranës, ku ndër të tjera e pyetëm se kur pritet të jetë gati “shtëpia” e madhe e lutjeve për besimtarët myslimanë, të cilt sipas censusit të viti 2011, përbëjnë rreth 56 përqind të atyre që kanë deklaruar përkatësinë fetare.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Tiranës, 18 prill 2023
Deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi marrë një përgjigje nga ky institucion dhe jemi në pritje, në respektim të afateve ligjore për të Drejtën e Informimit.
Sa herë u premtua hapja e Xhamisë së Namazgjasë
Në gusht të vitit 2018, gati dy vite pas premtimit të parë, gjatë inspektimit të punimeve në këtë xhami, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj përsëriti se Bajramin e ardhshëm besimtarët do ta festonin në xhaminë e ‘Namazgjasë’.
Në muajin qershor të vitit 2019, Veliaj tha se Xhamia do të përfundonte brenda atij viti.
Në lidhje me këtë çështje kryeministri Edi Rama në tetor 2022 u shpreh se përurimin e Xhamisë së Madhe nuk e ka në dorë qeveria e Shqipërisë dhe nuk merr dot asnjë vendim se kur do të hapen dyert.
Ne u interesuam edhe pranë Komunitetit Mysliman se kur do të hapet kjo xhami dhe jemi ende në pritje të një përgjigjeje. Në faqen zyrtare të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë artikulli i fundit në lidhje me Xhaminë e Namazgjasë i përket 2015-s, vit kur nisi edhe ndërtimi i saj, saktësisht më 13 maj si një investim i Turqisë, me vlerë 30 milionë euro.
Falja në shesh
Prej vitesh, besimtarët myslimanë në Tiranë e kryejnë faljen e Fiter Bajramit në sheshin ‘Skënderbej’, për shkak të mungesës së një xhamie të madhe.
Faktoje raportoi në një artikull të muajit tetor 2022 reagimin e qeverisë shqiptare në lidhje me punimet e xhamisë së Namazgjasë.
Nga ana tjetër, përfaqësues të Komunitetit Mysliman kanë deklaruar se ka një shtim të numrit të personave që kanë përqafuar fenë islame dhe që agjerojnë gjatë muajit të Shenjtë të Ramazanit.