.

.

BallinaFaktometerPa kategoriFillon vaksinimi i mësuesve, por a përfundoi vaksinimi i stafit mjekësor?

Fillon vaksinimi i mësuesve, por a përfundoi vaksinimi i stafit mjekësor?

Fundjavën që lamë pas nisi vaksinimi i stafit të mësuesve në Tiranë, për të vijuar më pas me qytetet e tjera, siç u zotua kryeministri dhe ministrja e Shëndetësisë. Por nga një verifikim i Faktojes nëse ka përfunduar vaksinimi i të gjithë stafit mjekësor ashtu siç është deklaruar zyrtarisht, rezultoi se mbi 6600 persona nga ky komunitet nuk janë vaksinuar.


Pas ardhjes së 38 400 dozave vaksinë të Astra Zeneca me datë 13 mars në aeroportin e Rinasit kryeministri Rama dhe ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu shprehën se do niste menjëherë procesi për vaksinimin e mësuesve:

“Nesër ne do nisim menjëherë vaksinimin e mësuesve dhe të pedagogëve. Do ta shtrijmë me shpejtësi në të gjithë territorin e vendit duke i kthyer shkollat në pika vaksinimi në një pjesë të konsiderueshme.”

Më 14 mars, filloi injektimi i vaksinës tek 250 mësuesit e parë në kryeqytet.

“Kemi filluar sot me 6 shkollat e para në Tiranë, të koordinuara me drejtorinë arsimore të Tiranës. Tashmë ka filluar procesi, është bërë regjistrimi paraprak i mbi 250 mësuesve. Kemi filluar me Tiranën dhe dita e hënë fillojmë me shpërndarjen e vaksinave në njësitë e kujdesit shëndetësor në të gjithë vendin dhe nga e marta fillon vaksinimi i të gjithë mësuesve.” – u shpreh ministrja Manastirliu.

Faktoje kërkoi të dinte se cila do jetë strategjia që do ndiqet për vaksinimin e mësuesve,sa është numri i tyre etj.

Kërkesa për informacion drejtuar MASR.

Ne jemi ende në pritje të përgjigjes nga MASR.

Por, a ka mbaruar vaksinimi i bluzave të bardha?

Më datë 11 mars, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha:

“Ne kemi injektuar më shumë se 22.000 doza. Mjekët nuk kanë refuzuar, por mjekët të cilët e kanë kaluar virusin, pra kanë antikorpe kanë shprehur dëshirën për t’u vaksinuar në një moment tjetër.”

Numri i mjekëve të vaksinuar nuk u qartësua nga zonja Manastirliu.

Faktoje me datë 3 shkurt i kishte dërguar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë për numrin e të vaksinuarve nga radhët e bluzave të bardha deri në atë ditë.

Kërkesa dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ktheu përgjigje më shumë se një muaj më vonë, deri me datë 9 mars ishin kryer 20.911 vaksinime (injektime) ku përfshihen personel shëndetësor dhe personat e moshuar mbi 80 vjeç.

Përgjigjja nga Ministria e Shëndetësisë.

Duke llogaritur që një vaksinë ka dy doza, del se numri i të vaksinuarve deri në atë datë është më i vogël se 20 911. Por sa është stafi mjekësor në Shqipëri?

Kërkesa dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas një përgjigjeje zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në fillim të këtij viti, sistemi shëndetësor në Shqipëri ka 18 139 personel mjekësor dhe numri total i personelit mjekësor dhe mbështetës në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë është 25 476.

Përgjigjja nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas raportimit të MSH që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 24,887 doza të vaksinës.

“Janë vaksinuar 18,822 personel shëndetësor dhe staf mbështetës si dhe 5065 të moshuar dhe arsimtarë.”-shkruhet në faqen zyrtare të ministrisë.

Po të krahasosh numrin e stafit mjekësor, që sipas MSH është 25 467 me numrin e të vaksinuarve që po sipas MSH është 18 822, mbetet një diferencë prej 6645 personash.

25.476 (personel shëndetësor në Shqipëri) -18.822(personel shëndetësor të vaksinuar sipas raportimit të MSH) = 6.654 (personel shëndetësor të pavaksinuar).

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img