BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëFier/Ish-stacioni i trenit edhe pas 6 vitesh, shumë larg një terminali modern autobusësh

Fier/Ish-stacioni i trenit edhe pas 6 vitesh, shumë larg një terminali modern autobusësh

Projekti i shndërrimit të ish-stacionit të trenit në një terminalit modern të autobusëve në Fier ka mbetur ende në letër, edhe pas 6 vitesh që u premtua nga kryebashkiaku Armando Subashi.  Faktoje bëri një verifikim në terren më 20 shtator, ku konstatuam se në vend të terminalit modern gjendet thjesht një vendparkimi për autobusë, ndërsa godina e vjetër e ish-stacionit të trenit, e parashikuar si pjesë integrale e projektit, është vetëm një ndërtesë e rrënuar.

……..

“Stacioni i trenit do të kthehet në terminal modern të autobusëve”. Ky premtim u bë nga Armando Subashi në vitin 2015, kohë kur ai kandidoi për herë të parë për postin e Kryebashkiakut të Fierit.

Projekti synonte ndërtimin e një terminali të ri në sheshin pranë stacionit të trenit, ku brenda objektit të terminalit do të vendoseshin agjencitë e udhëtimit, ndërsa në pjesën e jashtme do të kryheshin nisjet e autobusëve.

Një vit më parë, saktësisht më 13 nëntor të vitit 2020, Faktoje bëri publike fakte ku dëshmohej se ky terminal nuk kishte përfunduar.

Terminali në Fier, tetor 2020

Ajo çfarë Faktoje verifikoi një vit më parë ishte se investimi i bërë, konsistonte në një platformë metalike, ndërsa sheshi i terminalit ishte një parkim i improvizuar. Veç kësaj, hapësirat e dedikuara për qytetarët apo për biletat që gjenden në çdo terminal normal, nuk ekzistonin.

Asgjë nuk ka ndryshuar edhe një vit më pas. Nga një verifikim i bërë nga Faktoje në terren më 20 shtator 2021, rezulton se terminali nuk ekziston, ndonëse kanë kaluar 6 vite nga premtimi i bërë nga kryebashkiaku Subashi.

Terminali në Fier, 20 shtator 2021

Stacioni  shërben vetëm për linjën interurbane të autobusëve që nisen nga Fieri drejt Tiranës, por nga ajo që ne vumë re është se përdorej edhe si parkinm nga automjetet private. Qytetarë na konfirmuan se nuk ka një terminal të mirëfilltë.

Terminali në Fier, 20 shtator 2021

“Këtu nisen autobusët për Tiranë. Nuk ka vend ku blihen biletat, i paguajmë kur hipin në autobus. Asgjë nuk është bërë. As godina e vjetër e ish-stacionit të trenit nuk është prekur”, – tha për Faktoje një qytetare e Fierit, rreth 50 vjeçe.

Terminali në Fier, 20 shtator 2021

Ndërkohë, brenda ambienteve ku është premtuar të ngrihet terminali, ishte edhe një zyrë që përdorej për të aplikuar për pasaporta dhe karta identiteti.

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Fier lidhur me përmbushjen e premtimit për kthimin e ish-stacionit të trenit në terminal modern autobusësh dhe deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgjigje.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Fier

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Fier, projekti (nëse do realizohet) do të sjellë një sërë lehtësirash për qytetarët.

“Ky investim i jep fund jo vetem problematikës së kësaj rruge, por edhe stacionit të trenit. Është një projekt i plotë që përfshin kanalizimet e ujërave të zeza, sistemine ujësjellësit, ndriçim, gjelbërim, trotuare, fasada, ridimensionim të kateve të para të pallateve, deri te ndërtimi i një mini terminali për autobusët”, thuhet në njoftim.

Nga vëzhgimi në terren dhe informacioni i grumbulluar, premtimi i kryebashkiakut të Fierit për terminalin, konsiderohet I PAMBAJTUR.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img