Projekti i shndërrimit të ish-stacionit të trenit në një terminalit modern të autobusëve në Fier ka mbetur ende në letër, edhe pas 6 vitesh që u premtua nga kryebashkiaku Armando Subashi. Faktoje bëri një verifikim në terren më 20 shtator, ku konstatuam se në vend të terminalit modern gjendet thjesht një vendparkimi për autobusë, ndërsa godina e vjetër e ish-stacionit të trenit, e parashikuar si pjesë integrale e projektit, është vetëm një ndërtesë e rrënuar.
……..
“Stacioni i trenit do të kthehet në terminal modern të autobusëve”. Ky premtim u bë nga Armando Subashi në vitin 2015, kohë kur ai kandidoi për herë të parë për postin e Kryebashkiakut të Fierit.
Projekti synonte ndërtimin e një terminali të ri në sheshin pranë stacionit të trenit, ku brenda objektit të terminalit do të vendoseshin agjencitë e udhëtimit, ndërsa në pjesën e jashtme do të kryheshin nisjet e autobusëve.
Një vit më parë, saktësisht më 13 nëntor të vitit 2020, Faktoje bëri publike fakte ku dëshmohej se ky terminal nuk kishte përfunduar.
Terminali në Fier, tetor 2020
Ajo çfarë Faktoje verifikoi një vit më parë ishte se investimi i bërë, konsistonte në një platformë metalike, ndërsa sheshi i terminalit ishte një parkim i improvizuar. Veç kësaj, hapësirat e dedikuara për qytetarët apo për biletat që gjenden në çdo terminal normal, nuk ekzistonin.
Asgjë nuk ka ndryshuar edhe një vit më pas. Nga një verifikim i bërë nga Faktoje në terren më 20 shtator 2021, rezulton se terminali nuk ekziston, ndonëse kanë kaluar 6 vite nga premtimi i bërë nga kryebashkiaku Subashi.
Terminali në Fier, 20 shtator 2021
Stacioni shërben vetëm për linjën interurbane të autobusëve që nisen nga Fieri drejt Tiranës, por nga ajo që ne vumë re është se përdorej edhe si parkinm nga automjetet private. Qytetarë na konfirmuan se nuk ka një terminal të mirëfilltë.
Terminali në Fier, 20 shtator 2021
“Këtu nisen autobusët për Tiranë. Nuk ka vend ku blihen biletat, i paguajmë kur hipin në autobus. Asgjë nuk është bërë. As godina e vjetër e ish-stacionit të trenit nuk është prekur”, – tha për Faktoje një qytetare e Fierit, rreth 50 vjeçe.
Terminali në Fier, 20 shtator 2021
Ndërkohë, brenda ambienteve ku është premtuar të ngrihet terminali, ishte edhe një zyrë që përdorej për të aplikuar për pasaporta dhe karta identiteti.
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Fier lidhur me përmbushjen e premtimit për kthimin e ish-stacionit të trenit në terminal modern autobusësh dhe deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgjigje.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Fier
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Fier, projekti (nëse do realizohet) do të sjellë një sërë lehtësirash për qytetarët.
“Ky investim i jep fund jo vetem problematikës së kësaj rruge, por edhe stacionit të trenit. Është një projekt i plotë që përfshin kanalizimet e ujërave të zeza, sistemine ujësjellësit, ndriçim, gjelbërim, trotuare, fasada, ridimensionim të kateve të para të pallateve, deri te ndërtimi i një mini terminali për autobusët”, thuhet në njoftim.
Nga vëzhgimi në terren dhe informacioni i grumbulluar, premtimi i kryebashkiakut të Fierit për terminalin, konsiderohet I PAMBAJTUR.