Pretendimi: Video tregon popullin spanjoll në mbështetje të Palestinës
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Dy video të shpërndara gjerësisht në Facebook pretendojnë të tregojnë mijëra qytetarë spanjollë në një protestë në mbështetje të Palestinës në rajonin jugor të Andaluzisë. Në fakt, videoja në fjalë nuk është nga një protestë, por një festim tradicional gjatë festivalit të San Fremín, që mbahet në qytetin e Pamplonës, midis datave 6 dhe 14 korrik çdo vit.

Kjo video ka qarkulluar prej kohësh në rrjet, ku i është atribuar eventeve të ndryshme përtej protestave pro-Palestinës. Për shembull, siç e verifikon gazeta austriake Heute, në platformë Twitter/X, i njejti imazh është shpërndarë me fjalën “Europa po zgjohet” nga një faqe e ekstremit të djathë, duke pretenduar se bëhet fjalë për një protestë kundër emigrantëve.
Videoja në fjalë është e vërtetë dhe është filmuar në Spanjë, por nuk ka të bëjë aspak me një ngjarje politike. Ajo vjen nga festivali veror i Pamplonës, i njohur në të gjthë botën për vrapimin e demave në rrugë (encierros), që tërheqin mijëra pjesëmarrës.
Një krahasim i skenave të videove me ato të publikuara në kanalin zyrtar të festivalit në Instagram tregon qartë se pamjet datojnë nga viti aktual dhe përkasin ngjarjes “Chupinazo,” e cila shënon fillimin zyrtar të festimeve më 6 korrik, nga ballkoni i bashkisë së qytetit. Në klip, nuk dëgjohen as thirrje politike apo slogane proteste, por kënga tradicionale baske “La Biribilketa”, e cila shënon momentin simbolik të nisjes së festimeve.

Pra, videot nuk tregojnë një protestë në mbështetje të Palestinës, por një ngjarje të trashëgimisë kulturore që zhvillohet çdo vit në Spanjë dhe që nuk ka lidhje me situatën në Lindjen e Mesme. Në Spanjë, ka pasur disa protesta dhe demonstrime për Palestinën, siç ndodhi me datën 15 shtator, por kjo video nuk është një prej tyre.