.

.

Home Projekte Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë Fermerët në Maqellarë pa ujë për vaditjen e tokave

Fermerët në Maqellarë pa ujë për vaditjen e tokave

0
Fermerët në Maqellarë pa ujë për vaditjen e tokave

Zona e Maqellarës në Dibër vijon të vuajë mungesën e ujit për vaditjen e tokave bujqësore. Edhe pse kjo është një ndër problematikat më të mëdha që kjo zonë ka prej 3 dekadash, projekti i premtuar nga kryebashkiaku i Dibrës, duket ende larg. Bashkia e Dibrës thotë se projekti është ende në fazë hartimi dhe nuk ka ende një datë kur mund të nisë zbatimi i tij.

Më 26 prill 2023, kryebashkiaku i Dibrës, Rahim Spahiu foli për projektin që do t’i jepte zgjidhje problemit të vaditjes së tokave bujqësore në Maqellarë. Duke e cilësuar si një prej prioriteve të ngutshme, zoti Spahiu u zotua për nisjen e projektit.

“Ndër prioritetet e ngutshme është padiskutim projekti që do të adresojë vaditjen e 500 ha tokave bujqësore në Maqellarë!”-bëri të ditur zoti Spahiu.

Postimi i kryebashkiakut të Dibrës në Facebook

Kur ka kaluar më shumë se një vit nga ky premtim, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Dibër, për të pyetur në lidhje me ecurinë e projektit. Zyrtarisht, Bashkia Dibër sqaroi se projekti është akoma në fazën e hartimit.

“Në këtë projekt përfitojnë 10 fshatra të Njësisë Administrative Maqelllarë. Vaditet një sipërfaqe toke bujqësore prej 800 hektarë. Nga informacionet që disponon Drejtoria e Bujqësisë në Bashkinë Dibër ky projekt është akoma në fazën e hartimit të tij”, bën të ditur Bashkia e Dibrës.

Faktoje bëri një verifikim të Maqellarë më 30 gusht. Ajo që binte në sy ishin sipërfaqe të mëdha toke të lëna pa mbjellë. Sipas fermerëve, shkak për këtë është mungesa e vaditjes, por edhe braktisja e fshatit nga rinia.

“Ujë nuk ka asnjë pikë, plehrat kimike janë shtrenjtë, makineritë po ashtu janë të shtrenjta. Nuk na e mban të mbjellim. Dhe të rinj nuk ka më, kush do punojë, ne 70 vjeç?’, shprehet i shqetësuar Miftari, banor i Maqellarës.

Fermerë të tjerë thonë që e kanë gjetur zgjidhjen me puse uji për vaditje dhe kultivojnë të mbjella që nuk duan shumë ujë.

“Ne kemi pas ujë, tani nuk kemi, ku e di unë. Përpara po, e kemi pas, të gjitha kanalet vaditeshin, tani nuk ka. Për të vaditur kemi hapur puse, me vështirësi të mëdha. Mbjellim zakonisht, grurë, misër, patate”, thotë Ismaili, fermer në Maqellarë.

Në një artikull të publikuar në dhjetor të 2023, Faktoje raportoi se prej më shumë se tre dekadash, kjo zonë nuk ka ujë për vaditje.

Nisur nga verifikimi i kryer në terren dhe informacioni i grumbulluar edhe në rrugë zyrtare, premtimin për dhënien zgjidhje të problemit të vaditjes në Maqellarë do ta kategorizojmë ende të pambajtur.

https://www.facebook.com/reel/1813310162493159

* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Previous article Video e kryeministrit Rama nën efektin e drogës e gjeneruar nga AI
Next article Tesera e anëtarësimit të Kamala Harris në partinë komuniste është e rreme
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.