BallinavideoFëmijët shqiptarë të traumatizuar nga imazhet televizive

Fëmijët shqiptarë të traumatizuar nga imazhet televizive

SIRMA MOLLA & JURGEN BAME & MERXHAN DACI

Shqiptarët shohin shumë televizion. Ky është fakt i vërtetuar edhe nga Instituti i Statistikave INSTAT në një anketim të fundit me 16-mijë persona ku u gjet se afro 90% e shqiptarëve shohin televizion së paku një herë në javë. Rrjedhimisht, një pjesë e kësaj audience janë edhe fëmijët të cilët shpeshherë ekspozohen ndaj pamjeve jo të përshtatshme për moshën e tyre.

Kodi i Transmetimit i miratuar në vitin 2017 thotë se televizionet duhet të zgjedhin orarin e transmetimit të programeve që mund të dëmtojnë zhvillimin mendor, fizik apo moral të fëmijëve duke e planifikuar ate per fashen orare 22:00 – 06:00

Në 24 korrik të vitit 2017 qytetari K.N u ankua tek Autoriteti i Medias Audiovizive në lidhje me orarin dhe përmbajtjen e serialit turk “Ertugrul” transmetuar në televizionin Klan. Sipas qytetarit, seriali përmban skena të rënda me prerje kokash dhe pamje trupash të ekzekutuar. Ai pretendonte se orari i transmetimit të serialit që nis nga 20:00, ishte i papërshtatshëm per për moshën e fëmijës së tij.

Pas kësaj ankese AMA doli me një reagim ku thoshte se nga vlerësimet e bëra nga agjensitë e huaja ky serial kishte vlerësime pozitive por gjithnjë këshillohet që fëmijët ta shohin vetëm me prezencën e prindërve.

Këshilli i Ankesave do e ndjekë shqetësimin tuaj por mbetet një debat më i gjerë ku duhen përfshirë më shumë aktorë në lidhje me cilësinë e transmetimeve audiovizuale që shpesh vuajnë nga cilësia e duhur.

Qëndrimi i AMA-s mbeti thjesht në nivelin e konstatimit, pasi programi në fjalë vijon në të njëjtin orar. AMA zgjedh t’u tërheqë vëmendjen mediave të cilat bëjnë shkelje nga më të ndryshmet në vend që të vendosë gjobat e parashikuara në ligj.

Një numër i madh ankesash në drejtim AMA-s janë dërguar nga Agjensia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, por edhe nga qytetarë të thjeshtë, audiencë e rregullt e televizionit.

Si përkthehen tek fëmijët pamjet e dhunshme apo pornografike

Andrea Nathanaili, profesor i ligjit të medias në Universitetin e Tiranës, tha për Faktoje se parimisht dhe me ligj, pamjet e papërshtatshme për fëmijët janë të sanksionuara.

Sipas ligjit dhe sipas Kodit të Transmetimit janë të ndaluara transmetimi i përmbajtjeve që dëmtojnë zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijëve. Është e ndaluar absolutisht jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën transmetimi i dhunës, seksit, pamjeve erotike apo përmbatje të tjera që dëmtojnë fëmijën”, tha Nathanaili.

Psikologia Dorina Hoxha vëren se një pjesë e madhe e hapësirës televizive shqiptare është e mbushur me dhunë.

Pjesa më e madhe e emisioneve trajtojnë problematika të dhunshme dhe sigurisht ata do të marrin pjesën më sipërfaqësore të atij informacioni dhe kjo do t’i bëjë ata më të irrituar dhe pse jo të veprojnë në mënyrë imituese ndaj asaj sjelljeje”, tha Hoxha për Faktoje.

Mirgit Vataj, drejtor ekzekutiv i Linjës Kombëtare e Këshillimit për Fëmijët “ALO 116”, kërkon ndërgjegjësim të prindërve në rastet kur në ekran transmetohen materiale të papërshtatshme.

Duhet që prindërit të flasin me fëmijët, t’u tregojnë se ka disa materiale të cilat ata nuk duhet t’i shohin sepse ka një impakt në psikologjinë e tyre. Çdo lloj materiali i papërshtatshëm që transmetohet në TV si reklama, telenovela apo emisione nuk duhet të shihet nga ata.”

I ngjashëm është rasti i qytetares A. B. e cila ka dërguar një ankesë në adresë të AMA-s duke shprehur shqetësimin për shkelje të etikës nga subjekti televiziv në emisionin e pasdites “Rudina”, në të cilin qytetarja shpjegon se është folur për seksin dhe lojërat seksuale, shoqëruar edhe me video, në orare jo të përshtatshme për një audiencë ku përfshihen edhe fëmijët.

Autoriteti i Mediave Audiovizive edhe për këtë ankesë u mjaftua sërish me tërheqjen e vëmendjes për median në fjalë, duke i kërkuar që të mos përsëriten raste të tilla.

Sipas Nathanailit, vetë media duhet ndalojë përhapjen e materialeve me përmbajte dëmtuese për fëmijët por nga ana tjetër pranon se ato nuk mund shmangen 100 përqind.

“Një mënyrë është dhe vendosja e sinjalave paralajmëruese të parashikuara në kod (pullë e kuqe, e verdhë, jeshile)”.

Ekspozimi i fëmijëve ndaj pamjeve të papërshtatshme nuk vihet re vetëm në programacionin televiziv por edhe në materialet publicitare apo edicione informative.

Gjatë hapësirave publicitare, transmetohen në mënyrë të përsëritur pjesë intime të trupit (në funksion të shitjes së produkteve kozmetike psh.) në orare kur edhe fëmijët mund të gjenden lehtësisht përpara ekranit të televizorit.

Së fundmi audienca është bërë pa dashur, protagoniste e ngjarjeve që përcjellin pamje tragjike të aksidenteve njerëzore ku janë ekspozuar gjymtyrë apo pjesë të ndryshme të ndryshme të trupit të coptuara, të përgjakura etj. Po kaq të rënda kanë qenë edhe pamjet e pacensuruara nga vrasje masive, të transmetuara në edicionet qëndrore informative.

Çështja është se media, përveç misionit informues dhe argëtues që ka, mbart edhe një rol edukues. Por a është ajo e gatshme dhe në atë nivel përgjegjshmërie sa të ruajë balancën mes këtyrë dy faktorëve, apo zgjedh të sakrifikojë standardet e vendosura, për hir të një audience më të lartë!?

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img