Pretendimi: Drejtori i Institutit amerikan të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive Anthony Fauci e dinte për pandeminë Covid-19 që në 2017.

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————-

Video e ish-drejtorit të Institutit amerikan të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID) Anthony Fauci duke paralajmëruar për një shpërthim sëmundjesh infektive po përdoret nga konspiracionistët si provë se Fauci e dinte se në 2020 do të niste pandemia e Covid-19, e si rrjedhim, kjo e fundit ishte në fakt e planifikuar dhe e stisur.

Në fakt, klipi i mësipërm është i vërtetë dhe është filmuar gjatë një forumi mbi përgatitjen për pandemi në universitetin Georgetown më 10 janar 2017.

Studentët dhe ekspertët globalë të shëndetit u mblodhën për të inkurajuar administratën e atëhershme Trump që të “planifikonte siç duhet”, sipas Qendrës Mjekësore të Universitetit Georgetown.

“Nuk ka dyshim se do të ketë një sfidë për administratën e ardhshme në arenën e sëmundjeve infektive,” tha Fauci gjatë fjalimit të tij “Përgatitja për pandeminë në administratën e ardhshme”, mbajtur pak para inaugurimit të Trump më 20 janar. Ai shtoi: “Gjëja për të cilën jemi jashtëzakonisht të sigurt është se ne do ta shohim këtë në vitet e ardhshme.”

Gjatë fjalimit Fauci dhe ekspertë të tjerë shëndetësorë theksuan një listë të elementëve të nevojshëm për t’u përgatitur për një pandemi, si forcimi i mbikëqyrjes globale të shëndetit, rritja e investimeve në hulumtime dhe krijimi i fondeve të urgjencës.

Një pikë kyçe që theksoi Fauci ishte nevoja për një fond emergjence të shëndetit publik. “Ajo që na u desh të kalonim për Zika – ishte shumë, shumë e dhimbshme kur presidenti kërkoi 1.9 miliardë dollarë në shkurt dhe ne nuk e morëm atë deri në shtator,” tha Fauci.

Sipas ekspertëve që folën në forum, “përgatitja e SHBA për pandemitë kërkon financimin e duhur dhe fillon duke luftuar me shpërthimet e sëmundjeve jashtë shtetit”.

Fauci tha gjatë fjalimit të tij se një mësim i nxjerrë nga sëmundjet e reja ndër vite është se “duhet të angazhoni burime të konsiderueshme financiare dhe njerëzore”.

Megjithatë, Fauci nuk paralajmëroi në mënyrë specifike për Covid-19, por për një “shpërthim të papritur sëmundjesh infektive” në përgjithësi.

‘Parashikimi’ i tij kishte të bënte më pak me dijeni të së ardhmes sesa dijeni të së shkuarës. 

“Shpresoj se deri në fund të prezantimit tim relativisht të shkurtër do të kuptoni pse historia e 32 viteve të fundit që unë kam qenë drejtor i NIAID, do t’i tregojë administratës së ardhshme se nuk ka dyshim në mendjen e askujt që ata do të përballen me sfidat me të cilat u përballën paraardhësit e tyre,” tha Fauci