ELISA GJERANI
9 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, për mijëra familje të dëmtuara duket sikur koha ka mbetur në vend. Ato i kaluan të gjitha stinët nëçadra, konteinerë, ose në kërkim të një banese me qira, duke pritur nisjen e rindërtimit. Pandemia e Covid 19 e vështirësoi edhe më shumë gjendjen e tyre, madje shumë familje dëshmojë se nuk kanë marrë as ndihmat bazike gjatë periudhës 12 mars-23 qershor 2020. Edhe pse qeveria dhe pushteti vendor thonë se i kanë ndihmuar kategoritë në nevojë, shifrat zyrtare që nuk përputhen dhe dëshmitë ngrenë dyshime të forta se në shumë familje, ndihmat e premtuara nuk mbërritën kurrë.
Durrësi dhe Kruja, jetesa mes dëmeve nga tërmeti dhe pandemisë së Covid 19
Irena Canaj,është 28 vjeçe, por puna e rëndë e fshatit dhe hallet që i kanë rënëherët në moshë, i pasqyrohen në fytyrë. Familja Canaj ka 4 anëtarë dhe jeton në fshatin Bizë të njësisë administrative Ishëm në Durrës.Prej 9 muajsh kjo familje me dy vajza të moshës 3 dhe 5 vjeçe e ndan jetën mes çadrës dhe konteinerit.
“Jemi akoma në çadër që nga momenti kur ndodhi tërmeti i 26 nëntorit e deri më tani. Ata që marrin bonus nuk përfitojnë dëmshpërblim për shtëpinë, na kanë thënë nga njësia administrative, madje më thanë edhe që ke konteiner, e s’të duhet gjë bonusi ty. Por konteinerin ma kanë sjellë aktivistët, jo bashkia apo komuna”-tregon Irena e revoltuar, pasi i është mohuar e drejta për bonus qiraje.
Shtëpia e familjes Canaj është vlerësuar me dëmtimtë shkallës DS4 dhe ështëplanifikuar të shembet. Por pavarësisht përpjekjeve dhe interesimit nga ana e bashkëshortit, procesi i shembjes ende nuk ka filluar për banesat në fshatra.
“Kemi shkuar edhe para 3 javësh tek njësia administrative në mënyrë që të interesohemi, por na kanë thënë që shumë shpejt do të vijnë të ndërhyjnë për prishje, ndaj duhet të lirojmë shtëpitë nga orenditë shtëpiake. Por s’ka ardhur asnjë dhe s’kemi asnjë urdhër për prishje, s’janë bërë më të gjallë!”- tregon Irena për Faktojen.
Dy vajzat e familjes Canaj.
Por nëse jetesa ishte e vështirëfill pas tërmetit, me shfaqjen e pandemisë së Covid 19 duket sikur familjes i humbën edhe ato pak shpresa për rimëkëmbje.
“Vetëm Kryqi i Kuq na ka sjellë dy herë ushqime. Ndërsa në fillim të pandemisë shteti na ka sjellë një pako ushqimore, e cila përmbante 3 kg sheqer, 2 oriz dhe 1 shishe vaj. Asgjë më pas kësaj, sikur gjënë më të vogël jo. Por në fakt këtu në fshatin tonë nuk jam vetëm unë kështu, por nuk ka marrë asnjëri. S’ke kujt t’i kërkosh. Imagjinoje se sa mund të mbahet një familje me 4 anëtarë me ato ushqime, përsa ditë mund t’ia dalësh?!”-tregon 28-vjeçarja thuajse e përlotur.
“Jam përpjekur të mbahem me ndonjë spinaq e perime që kam mbjellë në kopsht si dhe me pula e derra që i rrisim vetë. Përkrahje sociale nuk marrim, pasi im shoq ka toka, megjithëse vuajmë për ujë vaditës e s’mbjellim dot gjë. Bukë e vezë më shumë i kam dhënë fëmijëve.”-shton ajo.
Përpjekjet për të mbijetuar nuk kanë munguar as nga i shoqi i Irenës, i cilika punuar edhe gjatë karantinës, duke shkuar për peshkim në 3 të mëngjesit. Por edhe pse mund të kapte ndonjë kg peshk ishte e pamundur ta shiste gjatë asaj periudhe, ndaj e konsumonin vetë më së shumti.
“Ja kështu ia kemi dalë gjatë pandemisë me të keq dhe me ndonjë lekë borxh. Kisha shpresa tek shteti, pasi ne kishim shumë nevojë. Kur flisnin për pagën e luftës ne s’kishim sigurime.Im shoq ka filluar punë në Shëngjin me varka, por sërish është pa sigurime”-ankohet Irena.
Çadra në të cilën jeton familja Canaj.
Gjatë ditës familja qëndron në çadër, ndërsa në darkë megjithëse kanë vapë futen në konteiner nga frika e ndonjë gjarpri.
“Te çadra që qëndrojmë gjatë verës,gjarpri gjatë ditës hyn lirshëm, ndërsa i frikësohem atij, pasi mund të më mbysë vajzat.”- përfundon e dëshpëruar ajo.
Donika Tila, 60 vjeçe banon në Manzë dhe që pas tërmetit të 26 nëntorit, shtëpi ka një çadër. Jeta për të ka qenëngaherë e vështirë dhe me stërmundime të mëdha. Ajo rrëfen se nuk ka marrë bonus qiraje, pasi nuk kishte ku të shkonte, ndaj ka preferuar të qëndrojë nëçadër, pranë shtëpisë së rrënuar që pret të shembet për t’u rindërtuar.
Çadra në të cilën jeton familja Tila.
“Jam vet i 7-të, kam djalin invalid 38 vjeç dhe 3 fëmijët e tij. Ai ka bërë aksident dhe e ka prerë një këmbë. S’gjetëm dot shtëpi me qira. Na sollën konteiner, ndërsa bashkia çadër. Një shoqatë i dhuroi djalit 1 lopë dhe me atë po mbahemi. Shkuam para një jave tek ish komuna dhe na thanë qëdo të fillojnë shpejt shembjet”-rrëfen Donika.
“Bashkia njëherë solli një pako ushqimore me 3 kg sheqer dhe nuk na pa më, a jemi gjallë a jemi vdek!
97 mijë lekë të vjetra e marr pensionin e çunit, ndërsa unë s’kam dalë ende në pension, por edhe kur të dal, 16 vite punë në kooperativë kam, s’më del më shumë se 10 mijë lekë. Burri punon roje dhe merr 20 mijë lekë dhe me ato jetojmë!”- thotë ajo e përvuajtur, por pa e humbur shpresën dhe ëndrrën për një jetë më të mirëtë paktën për të birin e nipërit.
Familja e Donika Tilës, banues në Manzë
Kruja ishte një tjetër zonë e cila u godit rëndë nga dëmet e tërmetit në 26 nëntor e sikur të mos mjaftonte kjo, edhe Covid-19 gjeti ‘terren të përshtatshëm”, për t’u përhapur edhe në komunitet, kryesisht mes punonjësve të fasonerive. Nga ana tjetër familjet në zonat periferike ku edhe dëmet e tërmetit janë më të dukshme dhe sot, janë në pikë të hallit.Ndërsa jetojnënëçadra, mes vështirësive të mëdha për të fituar kafshatën e bukës, ata kanë muaj që luftojnë për të mbijetuar pasi u mungojnë deri edhe ushqimet apo sendet bazike.
Shpëtim Shullazi, prej 1 viti e gjysmë është shndërruar në baba dhe nënë për dy djemtë e tij. Gruaja e tij ndërroi jetë disa muaj para tërmetit tragjik, duke lënë pas dhimbje dhe vështirësi në familjen Shullazi. Për Shpëtimin të gjitha ngjarjet e fundit të jetës së tij në këto 2 vite ia kanë pakësuar durimin dhe shpresën.
Kontejneri ku jeton Shpëtim Shullazi me dy djemtë e tij.
“Jetoj në konteiner, kështu janë kushtet që nuk mund të largohem nga këtu. Kam si ndihmëse edhe kunatën që i bën hyzmet djalit paraplegjik. Ne aktualisht jetojmë 3 meshkuj në familje dhe është e vështirë ta menaxhoj këtë situatë larg të afërmve të mi që më janë bërë krah. Bonusin e marr, por ende qëndroj në konteiner. U bënë9 muaj nga tërmeti dhe ende çështja jonë nuk ka marrë zgjidhje”– tha ai i përlotur ndërsa vë theksin tek ngadalësia me të cilën po menaxhohet procesi i rindërtimit të banesave.
Djali i familjes Shullazi.
“Bubqi ka një zonë të përcaktuar, por vetëm ura është bërë deri më sot. Shteti nuk ka bërë ende shpronësimet që firma të fillojë punën normalisht. Procesi i pajisjes tonë me shtëpi do të shtyhet”- thotë pa asnjë dyshim Shpëtimi.
Kontejneri, shtëpia e tij për gati 9 muaj.
Sipas tij, gjatë pandemisë ka marrë një pako ushqimore si bamirësi nga një bankë e nivelit të dytë dhe asgjë nga shteti.
“Unë jam pensionist dhe bashkë me KEMP-in e djalit ia dalim, ndërkohë që kam çunin tjetër për master shkencor në juridik dhe shkolla do lekë, madje megjithëse e ka merituar në këto 5 vite as bursën nuk i ka dhënë shteti.”-përfundon ai me zërin që i dridhet.
Bujar Kaçorri banon në fshatin Cudhi në Bashkinë e Krujës dhe familja e tij pwrbwhet nga 7 anëtarë. Ata mbetwn nw qiell tw hapur pas twrmetit tw 26 nwntorit.Pavarësisht se arriti tw marrw bonusin e qirasw, tani s’ka ku të gjejë një shtëpi. Për këtë e pengoi pandemia dhe lëvizjet e kufizuara, ndërsa pas karantinës buxheti i familjes Kaçorri është rrudhur gjithnjë e më shumë.
“S’po gjej shtëpi me qira, se bonusin e fitova nga njësia administrative. Kam marrë një stallë bagëtish dhe aty po jetoj, por edhe tek kjo rrezikohemi pasi është dëmtuar nga tërmeti gjithashtu!”- thotë Bujari i lodhur nga hallet dhe premtimet.
Familja Kaçorri e cila jeton në zonën e Krujës.
Bonusi i qirasë prej 20 mijë lekësh në këto 4 muaj,sipas tij, i ka shërbyer për t’u ushqyer, pasi jo vetëm që nuk e ndihmoi njeri, por pavarësisht se punonte 2-3 turne kishin probleme me likuiditetin në paga.
“Nuk kam marrë pako ushqimore fare. Kam qenë i detyruar të shkoj në punë 2-3 turne që t’ia dalim gjatë pandemisë, financiarisht flas. Ka dy vite që punoj si punëtor i thjeshtë tek një lavatriçe betoni, aty vijoj ende”- tregon ai.
Por si këto familje ka edhe shumë të tjera, që pavarësisht se duhet të ishin përfituese të ndihmave gjatë pandemisë, nw realitet nuk kanë përfituar gjë. Në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.236, dt. 19.03.2020 “Për marrjen e masave për ofrimin e asistencës në banesë ndaj shtresave në nevojë, në kushtet e epidemisë së shkaktuar nga COVID -19”, disa nga kategoritë e përcaktuara për ndihmë ishin edhe familjet e prekura nga tërmeti, ku ishte përcaktuar qartë ‘familjet që kanë humbur banesën për shkak të tërmetit’.
Në pikën 2 të vendimit thuhej se: “Ofrimi i asistencës, sipas këtij vendimi, do të konsistojë në dërgimin e pagesave mujore qësubjektet përfitojnë nga programi i mbrojtjes sociale nga sigurimet shoqërore dhe në dërgimin e produkteve, ushqimore e joushqimore, barnave të rimbursueshme dhe atyre me kërkesë, për përballimin e situatës apo në kryerjen e furnizimeve me produktet e mësipërme, për llogari të tyre” .
Duke u nisur nga ky vendim, Faktoje kërkoi informacion në Bashkinë Durrës në lidhje me shpërndarjen e pakove ushqimore gjatë pandemisë globale të Covid 19 në vendin tonë, ku deklarohet se pakot janë shpërndarë për të gjitha familjet në nevojë.
“Pakot ushqimore të shpërndara nga fillimi i pandemisë 11 mars-23 qershor është 4920 pako. Të gjitha familjet kanë përfituar nga një herë pako me ndihma ushqimore dhe jo ushqimore. Pakot me ndihma ushqimore kanë pasur në përbërjen e tyre ushqime si: oriz, miell makarona, aj sheqer, lëngje frutash, produkte mishi etj., ndërkohë pakot jo ushqimore kanë pasurnë përbërje të tyre detergjentë dhe produkte të cilat janë në funksion të mbajtjes së higjienës.Gjithashtu, Bashkia Durrës krahas kategorive në nevojë të cilat janë përcaktuar dhe në aktet ligjore si vendimi nr.236, dt. 19.03.2020 ‘Për marrjen e masave për ofrimin e asistencës në banesë ndaj shtresave në nevojë , në kushtet e epidemisë së shkaktuar nga “COVID -19’, ka ndihmuar dhe familjet e tjera të cilat nuk kanë qenë të përfshira në skemat e parashikuara”- thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni.
Po sipas kësaj përgjigjeje, Bashkia ka alokuar nga buxheti i saj fondin me vlerë: 8.607.162 lekëpër paketa ushqimore,.
Edhe Bashkia Krujë deklaron se ndihma kanë përfituar të gjitha kategoritë në nevojë.
“Gjatë Covid 19, në Bashkinë Krujë janë shpërndarë 2974 pako ushqimore. Ka qenë një Vendim Këshilli Ministrashmbi kategoritë prioritare 1) Pensionistët e vetmuar 2)Ndihma ekonomike , 3) Të prekurit nga tërmeti që janë në vështirësi ekonomike, ndaj këto kategori janë ndihmuar”-deklarohet nga Bashkia Krujë.
Por, si Bashkia e Krujës, ashtu edhe ajo e Durrësit, në përgjigjet e tyre nuk pranojnë të japin detaje, duke deklaruar se janë ndihmuar të gjithë të paktën një herë me ndihma, megjithëse, rastet e konstatuara nga Faktoje tregojnë të kundërtën.
Si e vlerësojnë‘performancën’ e bashkive, aktivistët e shoqërisë civile
Problemet me shpërndarjen e ndihmave i vënë në dukje edhe aktivistët e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve të margjinalizuara, pavarësisht se siç thonë ata, kanë ndërmjetësuar rast pas rasti qëfamilje në nevojë të ndihmohen nga institucionet përgjegjëse me pako ushqimore dhe ndihma të tjera shëndetësore ose higjeno-sanitare.
Fatjon Kaca ka më shumë se 5 vite si aktivist i të drejtave të njeriut, veçanërisht tëkomunitetit rom dhe egjiptian. Rastet e servirura nga terreni gjatë pandemisë së Covid 19-ës në vendin tonë kanë qenë sa të ndryshme, aq edhe dinamike.
“Që në ditët e para të mbylljes prej pandemisë, kanë qenë me dhjetëra familjet të cilat na kanë kontaktuar për ndihmë ushqimore. Nuk e kishin të qartë nëse ishin përzgjedhur për të marrë ndihma ushqimore, kur do e merrnin dhe a do ishte e mjaftueshme për familjen e tyre. Nga kontaktet që kemi pasur me familjet në terren, muajin e dytë dhe të tretë të pandemisë, të shqetësuar dhe të zhgënjyer ankoheshin se nuk kishin marrë asnjë lloj ndihme, pasi ose ishin të papunë dhe nuk përfitonin nga paga e luftës, por nga ana tjetër nuk ishin as të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe për rrjedhojë nuk figurojnë fare në lista për t’u ndihmuar me ndihma ushqimore, dhe jo më të merrnin çdo dy javë siç u deklarua nga qeveria”- thotë aktivistiFatjon Kaca.
Qendra për Advokim Social u angazhua që prej fillimit të kësaj situate si ndërmjetësuese midis bashkive dhe familjeve në nevojë duke bërë që këto të fundit të mund të aplikonin përformularin standard online për ndihmën që kërkonin nga bashkia përkatëse.
“Përgjatë periudhës së pandemisë, dolën më shumë në pah vështirësitë që hasin familjet e varfëra dhe mbi të gjitha ato familje që janë të papuna. E tillë ishte situata dhe për familjet rome dhe egjiptiane, por jo vetëm, të cilat prej vitesh të ardhurat i sigurojnë nga puna informale, siç janë mbledhja e mbetjeve të riciklueshme dhe shitja e rrobave të përdorura. Ndihmat që u shpërndanë nga bashkitë ishin jo të mirëmenaxhuara dhe kjo nxiti një qëndrim nga ana e familjeve të varfëra të cilat dolën duke protestuar për pako të pamjaftueshme ushqimore, pasi ata nuk siguruan minimumi ushqimet bazë për familjet e tyre”- tha për FaktojenRomina Sefa, përfaqësuese e Qendrës për Advokim Social.
Shumë bashki grumbulluan pakot ushqimore nga biznesi dhe OJF-të e më pas i shpërndanë gjatë periudhës së parë të pandemisë, vetëm 1 herë tek familjet në nevojë, ndërkohë që sasia e tyre ishte për një konsum nga 5-7 ditor në varësi të numrit të anëtarëve për familje.
“Në disa bashki, këshillat bashkiakë kanë rishikuar buxhetet për të akorduar buxhet për pako ushqimore, por ky buxhet nuk ka mundur të plotësojë nevojat. Problemi tjetër ishte sasia e pakove të shpërndara, të cilat në disa bashki ishin qesharake pasi nuk plotësonin as minimumin e sasisë së ushqimit dhe detergjenteve, të paktën për 3 ditë jetesë.
Problemi tjetër i konstatuar nga ne si aktivistë, ka të bëjë me periudhën që u shpërndanë, mund të themi se u shpërndanë pasi një numër i konsiderueshëm i familjeve kishte javë që nuk siguronte dot ushqimi”- tregon Gentjan Serjani jurist dhe aktivist i të drejtave të komunitetit Rom dhe Egjiptian.
Kakofonia me shifrat
Mospërputhja e shifrave lidhur me familjet e ndihmuara gjatë pandemisë vihet re edhe tek të dhënat që japin institucione të ndryshme. Kryeministri Rama ishte një prej zyrtarëve që publikoi të dhëna për pakot ushqimore të shpërndara nga bashkitë që nga fillimi i pandemisë në muajin mars deri në fund të muajit maj, kur përfundoi kufizimi i liridaljes. Gjatë kësaj kohe, kryeministri raportoi mbi 400 mijë familje të ndihmuara me ushqime dhe pako jo ushqimore. Por nga të dhënat e mbledhura nga bashkitë rezulton se kjo shifër është pothuajse sa gjysma e shifrës së publikuar nga kryeministri Rama. Sipas të dhënave nga Drejtoria për Çështjet Vendore dhe Prefekturat pranë Ministrisë së Brendshme rezulton se numri i familjeve që morën asistencë ushqimore dhe jo ushqimore nga fillimi i marsit deri në fund të muajit maj ishte 233,248.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/195779624812471/
linku i fundit i Ramës për shpërndarjen e ndihmave
(Shënim: Të dhënat nga kryeministria janë marrë duke ndjekur të gjitha publikimet e Kryeministrit Rama të publikuara në faqen e tij të FB për shpërndarjen e ndihmave. ) Të dhënat nga Ministria e Brendshme janë marrë konfidencialisht, si dhe bashkangjitur raporti i Bashki të Forta.
Kurse të dhënat e bashkive dhe prefekturave janë marrë disa me kërkesa për indo dhe disa në biseda telefonike në 61 bashki të vendit.)
Referuar të dhënave të mbledhura nga bashkitë, kjo shifër rezulton edhe më e vogël. Sipas shifrave të mbledhura nga 61 bashkitë në vend, rezulton se gjatë së njëjtës periudhë janë shpërndarë rreth 178 mijë pako ushqimore. Pra tre institucione japin tre shifra të ndryshme, duke mos rakorduar mes tyre dhe duke i vënë në dyshim informacionet zyrtare mbi sasinë e ndihmave të shpërndara dhe familjet e ndihmuara gjatëpandemisë së Covid 19.