Bashkitë në Shqipëri e kanë rritur transparencën duke i vënë në dispozicion publikut më shumë informacione online, edhe pse jo të gjitha vendimet apo urdhrat e kryetarëve të tyre janë publikuar, ndërsa shumë pak premtime elektorale janë mbajtur.
Ky është rezultatit i monitorimit të kryer nga Qendra Faktoje gjatë vitit 2021 në 15 bashki të vendit, ku ka monitoruar dy elemete si: transparencën dhe mbajtjen e premtimeve.
Performanca e institucioneve të pushtetit vendor në Shqipëri u testua në kuadër të projektit “65 premtime – 15 bashki” zbatuar nga Qendra Faktoje dhe mbështetur nga organizata National Endowment for Democracy (NED).
Nga 65 premtime të bëra përpara publikut në të 15 bashkitë e monitoruara, vetëm 12 janë mbajtur plotësisht. Të vetmet bashki që kanë mbajtur dy premtime janë ajo e Shkodrës dhe e Lezhës. Rreth 50 për qind e premtimeve të bëra nga bashkitë apo titullarët e tyre nuk janë mbajtur dhe 30 për qind e tyre janë mbajtur pjesërisht.
Raporti vë në dukje se bashkia me performancën më të lartë është ajo e Shkodrës që ka realizuar kërkesat e legjislacionit lidhur me transparencën në nivel maksimal (100 për qind). Ajo ndiqet nga Bashkia e Korçës dhe ajo e Vlorës.
Bashkia me performancën më të dobët ishte ajo e Kurbinit, ku niveli i transparencës është vetëm 13,3 për qind.
Këtu do të gjeni raportin: RAPORTI I MONITORIMIT