Jona Cenameri
Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje.al, prezantoi sot në Fier gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer përgjatë një viti mbi punën e Bashkisë Fier.
Prezantimi u zhvillua përpara përfaqësuesve të Bashkisë Fier, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Ky monitorim u realizua në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), i cili prej gjashtë vitesh mat performancën e pushtetit vendor në Shqipëri.
Monitorimi
Për vitin 2025, monitorimi përfshiu 10 bashki: Shkodër, Lezhë, Elbasan, Korçë, Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Kavajë dhe Sarandë.
Vlerësimi është bazuar në dy elementë kryesorë:
• nivelin e transparencës së pushtetit vendor,
• përmbushjen e premtimeve elektorale të kryetarëve të bashkive.
Transparenca
Sipas gjetjeve të raportit, Bashkia Fier shënon një nivel transparence prej 81.25%, duke u renditur në grupin e bashkive me performancë mesatare në publikimin e informacionit dhe respektimin e standardeve minimale të transparencës.
Kjo përqindje është llogaritur përmes 16 indikatorëve të matjes së transparencës, që rrjedhin nga kuadri ligjor vendas dhe standardet minimale të informimit publik.
Anëtarët e Këshillit Bashkiak vlerësuan kontributin e monitorimit të Faktoje.al, në përmirësimin e transparencës, duke qenë se kjo e fundit pati një rritje të vazhdueshme që prej fillimit të monitorimit në vitin 2020.









Mbajtja e premtimeve në Bashkinë Fier
Nga 4 premtime elektorale të verifikuara në Bashkinë Fier:
• asnjë premtim nuk është përmbushur plotësisht,
• 3 premtime janë realizuar pjesërisht,
• 1 premtim rezulton i pambajtur.
Premtimi i pambajtur lidhet me ndërtimin e një tregu bashkëkohor për tregtimin me shumicë të produkteve bujqësore. Punimet për ndërtimin e tij nuk kanë nisur dhe projekti është lënë pezull nga Bashkia me argumentin e mungesës së kërkesës.
Tre premtimet e tjera janë vlerësuar si pjesërisht të mbajtura.
Rehabilitimi i lumit Gjanica dhe ndërtimi i shëtitores përkrah tij vijon të jetë në proces, me punime të papërfunduara dhe me afat përfundimi të parashikuar në vitin 2026.
Rehabilitimi i qendrës së Libofshës ka avancuar vetëm në disa elementë të projektit, si pedonalja dhe një segment rrugor, ndërsa pjesë të tjera mbeten të parealizuara dhe procesi i shpronësimeve vijon prej vitesh.
Ndërkohë, rehabilitimi i rrugëve dhe kanaleve kulluese në njësinë administrative Levan mbetet i pjesshëm, me ndërhyrje të kufizuara në infrastrukturë, mungesë ndriçimi dhe sinjalistike në disa zona, si dhe me kanale kulluese të bllokuara që pastrohen shpesh nga vetë banorët.
Anëtarë të PS në Këshillin Bashkiak Fier theksuan se kryetari i Bashkisë Armando Subashi është duke vijuar me projektet e nisura. Këto projekte janë ambicioze, kërkojnë kohë dhe buxhete, por duke pasur dhe mbështetjen e pushtetit qendror, anëtarë të Këshillit Bashkiak u shprehën optimist për realizimin e tyre.
Raporti
Në total, raporti i Faktoje për 10 bashkitë e monitoruara tregon se nga 40 premtime elektorale:
• vetëm 5 janë realizuar plotësisht,
• 12 janë realizuar pjesërisht,
• ndërsa 23 mbeten të pambajtura.
Kjo do të thotë se 57.5% e premtimeve elektorale nuk janë mbajtur, duke evidentuar një hendek të thellë mes angazhimeve publike dhe veprimit konkret në nivel vendor.
Premtimet u monitoruan përmes analizës së buxheteve, ndjekjes së prokurimeve publike dhe vëzhgimeve në terren.
Monitorimi i realizuar nga gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile synon rritjen e transparencës, ndarjen e informacionit me publikun dhe forcimin e llogaridhënies së pushtetit vendor ndaj qytetarëve.






