Sebi Alla Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje.al, prezantoi të hënën dhe të martën në datat 16 dhe 17 shkurt gjetjet e raportit të monitorimit për dy bashki të rëndësishme në Jug të vendit, Vlorë dhe Sarandë. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkive, këshillave bashkiakë, shoqërisë civile dhe medias lokale, në qendër të diskutimeve ishin kryesisht matja e transparencës së pushtetit vendor, përmbushja e premtimeve elektorale si dhe fondi social.
Bashkia Vlorë
Nga 16 indikatorët e transparencës, Bashkia Vlorë përmbushi 13. Niveli i transparencës për Bashkinë Vlorë rezultoi i përmbushur 81.25%, me performancë mesatare të saj. Bashkia Vlorë rezulton se nuk ka realizuar detyrimin për publikimin në faqen zyrtare të urdhërave dhe vendimeve të kryetarit të bashkisë; nuk ka vendosur në faqen zyrtare të internetit njoftime lidhur me zhvillimin e dëgjesave publike nga këshilli bashkiak dhe e nuk ka publikuar raportet për monitorimin për zbatimin e buxhetit vetëm për periudhën Janar – Prill 2025. Gjatë diskutimeve në sallë, përfaqësuesit e bashkisë u shprehen se shpesh herë informacioni për qytetarët gjendet afishuar në faqen zyrtare, por u pranua, që materialet nuk janë të publikuara në kategoritë e duhura dhe se shpesh herë kjo sjellë vështirësi në gjetjen e tyre.
4 premtimet e Vlorës
Faktoje mori në shqyrtim edhe katër premtimet kryesore të Bashkisë Vlorë, si çështja e ujit të pijshëm; trajtimi i mbetjeve në vendgrumbullimin e vjetër; ngritja e qendrave sociale për të moshuar në katër rajone dhe ndërtimi i terminalit të autobusëve interurbanë. Nga verifikimet në terren, rezultoi se të katër premtimet janë të pambajtura. Përfaqësues të bashkisë, premtimet për realizimin e veprave publike i cilësuan në tre raste si në proces ose në pritje të projekteve dhe finacimit, ndërsa për terminalin e autobusëve pranuan se nuk ka ende projekt dhe nuk përfshihet në veprat publike afatmesme.





Bashkia Sarandë
Në paraditën e 17 shkrtit në ambientet e Këshillit Bashkiak të Sarandës u zhvillua takimi për prezantimin e gjetjeve të raportit për transparencën, procesin e konsultimit publik dhe mbajtjen e premtimeve elektorale. Me interes të shtuar, përfaqësues të Bashkisë Sarandë, Këshillit Bashkiak nga dy forcat politike, pozitë-opozitë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediat lokale u njohën me gjetjet e raportit përgjatë vitit 2025.
Transparenca
Nga 16 indikatorët e matur, Bashkia Sarandë rezulton se i ka të përmbushura të gjitha, në masën 100 % të transparencës. Publikimi i buxhetit, vendimeve dhe procesverbaleve të Këshillit Bashkiak, njoftimin paraprak të mbledhjeve dhe publikimin dhe raporteve të zbatimit të buxhetit konsiderohen si të përmbushura dhe janë të afishuara në faqen zyrtare të bashkisë.
“Ky rezultat na nxit që të punojmë më shumë dhe të mundohemi të sigurojmë sa më shumë transparencë ndaj qytetarëve”, u shpreh nënkryertari i bashkisë Sarandë, Florjan Sali.
Por në diskutimet e hapura, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë lokalë ngritën shqetësimin se edhe pse bashkia publikon informacionin në faqen zyrtare, përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje mbetet e kufizuar, ndërsa kanë munguar dëgjesat publike, sidomos në vendimet e marra në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Një nga vendimet lidhej me projektin e parkut fotovoltaik në Nivicë, ku banorët që e kundërshtojnë, thanë se u penguan nga policia për të marrë pjesë në mbledhje. Ky projekt u miratua me 22 vota pro dhe asnjë votë kundër në korrik të vitit të kaluar.
4 premtimet e Sarandës
Faktoje mori në shqyrtim dhe verifikoi në terren katër premtimet kryesore të drejtuesit të Bashkisë Sarandë që lidhen kryesisht me infrastrukturën rrugore si: ndërtimi i rrugës së gjashtë; ngritja e katër parkimeve në qytet; ndërtimi i plotë dhe në kohë i rrugëve të brendshme në Sarandë dhe Ksamil si dhe ndërtimi i terminalit të autobusëve. Të katër premtime elektorale rezultojnë të pambajtura.
Nënkryetari i Bashkisë Florjan Sali, u shpreh se pengesë për realizimin në kohë të këtyre projekteve kryesisht ka qenë ndërprerja e punimeve përgjatë sezonit turistik.
Ky proces është pjesë e projektit “40 premtime, 10 bashki”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), që prej gjashtë vitesh mat performancën e pushtetit vendor në Shqipëri. Pjesë e monitorimit për vitin 2025 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda.






