.

.

BallinaAktiviteteFaktoje prezanton gjetjet e raportit të monitorimit për bashkitë Durrës e Kavajë

Faktoje prezanton gjetjet e raportit të monitorimit për bashkitë Durrës e Kavajë

 

Të martën e 6 shkurtit Faktoje prezantoi në një takim të mbajtur në Durrës, rezultatet e raportit të monitorimit mbi transparencën dhe llogaridhënien, në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”. Ky projekt zhvillohet për të katërtin vit radhazi në bashkëpunim me organizatën amerikane National Endoëment for Democracy (NED).

Raporti u bazua në verifikimin e 16 indikatorëve që rrjedhin nga detyrimet ligjore për funksionimin e pushtetit vendor dhe ai për të drejtën e informimit.

Në prani të përfaqësuesve të Bashkisë Durrës dhe bashkisë Kavajë, gazetarëve lokalë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, Faktoje paraqiti gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer mbi punën e kësaj bashkie gjatë vitit 2023.

Monitorimi i Bashkisë Durrës, si pjesë e projektit “40 premtime, 10 bashki”, bëhet për të tretin vit radhazi, ndërsa për Bashkinë Kavajë për herë parë.

Ndër gjetjet kryesore të prezantuara janë ato për përmbushjen e 16 indikatorëve të monitoruar në lidhje me transparencën, ku Bashkia Durrës renditet e 5 me një nivel zbatueshmërie 81.2 përqind, ndërsa Bashkia e Kavajës renditet e fundit, në vendin e 10 me vetëm 18.7% të zbatueshmërisë së indikatorëve.

Faktoje prezantoi edhe rezutatet e verifikimit të 4 premtimeve për secilën bashki, ku në Durrës rezultojnë 2 premtime të pambajtura, një pjesërisht i mbajtur dhe vetëm një i mbajtur.

Nga 4 premtimet e verifikuara në Kavajë, rezulton se asnjëri nuk është përmbushur. Megjithatë, gjatë prezantimit të gjetjeve nga Faktoje, përfaqësues të Bashkisë Kavajë theksuan se ka nisur puna për pastrimin e qytetit (një nga premtimet e bëra nga kandidati fitues i zgjedhjeve vendore të majit 2023), ndërsa për premtimet që lidhen me ujësjellësin, ky është në tagrin e pushtetit qendror.

Premtimet e përzgjedhura janë për përmirësimin e infrastrukturës, parqeve, shkollave, pastrimin e qyteteve, procesi i rindërtimit, etj.

“Këto pamjet e kazanëve të papastruar, të pambledhur, të pasistemuar doli siç thotë Faktoje se ishin dhe diku tjetër. Nuk po them që qyteti im Durrësi është më mirë, por duhet kuptuar se nëse është dhënë si prioritet i parë nga kryebashkiaku aktual, duhet të kishte ndryshuar diçka dhe të mos dukej në atë formë” -deklaroi Mirjam Reçi, nga shoqëria civile.

Bashkitë e monitoruara në kuadrin e projektit “40 premtime në 10 bashki” janë ajo e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës, Dibrës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Kavajës dhe Himarës.

Analiza tregoi se nga 40 premtime elektorale të fushatës së Majit 2023 në të dhjetë bashkitë, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht dhe 11 pjesërisht. Ndërkohë, 24 premtime ose rreth 70% e premtimeve të bëra nga bashkitë apo kryebashkiakët e tyre nuk janë mbajtur.

Monitorimi i kryer nga gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile synon të masë nivelin e transparencës në institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri si dhe të nxisë ndarjen e informacionit për publikun si dhe llogaridhënien publike lidhur me vendimmarrjen, por edhe menaxhimin e punës së këtyre institucioneve. Premtimet u monitoruan në bazë të një metodologjie që përfshin analizën buxhetore, monitorimin e prokurimit publik si dhe vëzhgimet në terren. Ndër indikatorët e transprancës ishin programi e transparencës, konsultimi publik si dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit.

Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img