Faktoje mbajti një trajnim njëditor të mërkurën e 3 nëntorit, me studentët e gazetarisë në mjediset e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në qytetin e Elbasanit. Ky trajnim në kuadër të një projekti që organizata Faktoje ka në bashkëpunim me Ambasadën Britanike, u dha mundësinë studentëve të njihen me disa teknika të gazetarisë fact-checking, me qëllim luftën ndaj dezinformimit. Misioni i Faktojes, përtej verifikimit të deklaratave dhe premtimeve të funksionarëve publikë, është edhe edukimi dhe ndërgjegjësimi sidomos i studendtëve të gazetarisë dhe gazetarëve të rinj të dallojnë ‘fake news’ dhe të bëhen pjesë e luftës kundër përhapjes së këtij fenomeni.
*Studentët e gazetarisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”
*Studentët e gazetarisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”
Kryeredaktorja e Faktoje Viola Keta, i njohu studentët me shembujt më tipikë të dezinformimit në rastet e fatkeqësive natyrore, si tërmeti apo pandemia, periudha gjatë të cilave ‘fake news’ u kthye në një fushatë të mirëfilltë dezinformimi, i cili dha pasoja po aq të dëmshme për komunitetin sa edhe vëtë fatkeqësitë. Studentët u njohën edhe me metodologjinë e punës që secili nga gazetarët në Faktoje ndjek që me përzgjdhjen e zgjedhjen e deklaratave deri në publikimin e artikujve verifikues. Në vijim gazetarja e Faktoje Inva Hasanaliaj, prezantoi disa prej mekanizmave kryesore sesi të verifikojmë videot apo fotove të manipuluara, përmes disa motorëve të kërkimit. Kjo temë tërhoqi edhe më shumë vëmendjen e studentëve të cilët u njohën me shembuj konkretë ku edhe personalitete të politikës apo fushave të tjera kanë rënë pre ose janë bërë promotorë të këtij lloj manipulimi.
*Kryeredaktorja e Faktoje.al Viola Keta gjatë prezantimit
*Disa nga studentët pjesëmarrës në takim
Një risi për 15 të trajnuarit ishte njohja me përmbajtjen e ligjit për të drejtën e informimit dhe rëndësinë e tij në nxitjen e institucioneve dhe zyrtarëve publikë, për t’I dhënë llogari qytetarit për veprimtarinë e tij.
Trajnimi ndërthuri prezantimin përmes videove dhe materialeve në powerpont me përfshirjen në diskutim të vetë studentëve dhe zhvillimin e një ‘quizi’ për të matur njohuritë sa të përgatitur ishin ata për dallimin e lajmeve dezinformuese nga ato të vërteta, duke i mëshuar mesazhit se faktet shpëtojnë jetë.
Studentët u aktivizuan përmes bashkëbisedimit dhe pyetsorëve që ishin pregatitur nga stafi i Faktojes, për të kuptuar më konkretisht sesi dezinformimi ndikon jetën e çdokujt. Rasti I tërmetit dhe ai I pandemisë së Covid-19 ishin dy prej momenteve të cilat sollën konkretisht punën dhe rëndësinë e gazetarsë Fact-checking në vendin tonë.
*Pjesë nga materialet e ndara me studentët
Zhvillimi i këtij trajnimi u mirëprit dhe u mbështet nga stafi I përkushtuar I departamentit të gazetarisë në Universitetin e Elbasanit.