“Kur dyshojmë se një informacion nuk është i vërtetë, lajmin e kontrollojmë shumë media”,- ishte një nga përgjigjet e para të dhëna nga të rinjtë dibranë, gjatë trajnimit që Faktoje zhvilloi më 13 Prill, me qëllim për të infromuar ata për se si mund të luftonin informacionet e rreme.
Rreth 20 nxënës të gjimnazeve dhe shkollave 9-vjeccare, ishin pjesë e trajnimit të radhës që Faktoje mbajti në kuadër të projektit “Youth Reporting Albania Program”, në bashkëpunim me IREX.
Disa prej nxënësve ndanë me gazetarët e Faktoje, raste konkrete kur lajme të pavërteta ishin shpërndarë në media për familjarë të tyre.
“Babit tim i doli emri sikur po kandidonte për kryetar bashkia të Dibrës. Ishte një portal, që kishte nxjerr edhe foton. Familja ime e kontaktoi për ta hequr artikullin, por shumë njerëz e kishin shpërndarë dhe e merrnin babin në telefon për ta pyetur se pse nuk kishte thënë gjë më përpara”– u shpreh një nga nxënëset pjesëmarrëse në trajnim.
*Pjesë nga trajnimi me nënësit dhe gjimnazistët e disa shkollave në Dibër
Gjatë sesionit, Faktoje u shpjegoi nxënësve disa nga metodat më të zakonshme që gazetarët verifikimin e lajmeve, fotografive apo videove gjatë punës që bëjnë.
*Pjesë nga prezantimi I trajnimit me nxënësit
Të rinjtë shfaqën interes për mënyrën se si ata vetë mund të verifikojnë nëpërmjet mjeteve online, informacione që mendojnë se nuk janë të vërtëta, e që vetë ata të mos jenë burim i disinformimit.
*Nënësit duke plotësuar pyetsorin
Gjithashtu ata na njohën me premtimet dhe deklaratat e zyrtarëve lokalë, ose kryetarëve të bashkive, të cilat ata nuk i kishin parë të realizoheshin.
Të rinjtë sollën tematika nga jeta e përtitshme, si kushte më të mira për shkollat, laboratore apo salla sportive, aktivitete jashtëshkollore, bullizmi ndërmjet të rinjvë, si disa nga çështjet që ata do të kishin dëshirë të ndiqnin me shkrime.
Në fund të trajnimit ata u shprehën të kënaqur për orët që kaluan pasi mësuan informacione të cilat nuk ishin paraqitur asnjëherë në mënyrë aq të detajuar. “Unë tani realisht mendoj se dëshiroj të shkruaj diçka në lidhje me disa problematika që I shoh shqetësuese për mua dhe të rinjtë e tjerë të moshës time “- u shpreh Kesjana, nxënëse e vitit të dytë në gjimnaz.
Faktoje po vijon serinë e trajnimeve me 300 të rinj nga #Korça, #Kurbini, #Vlora, #Librazhdi, #Kamza, #Peshkopia, #Durrësi dhe #Shkodra, në kuadër të projektit “Youth Reporting Albania Program”, me qëllim nxitjen e tyre për të patur një mendim kritik, për të qënë më të kujdesshëm në informacionet që lexojnë dhe shpërndajnë.