.

.

BallinaAktiviteteFaktet shpëtojnë jetë...

Faktet shpëtojnë jetë…

Askush prej nesh nuk do e besonte se në 2020 jeta e gjithë njerëzimit do të ishte kaq e pambrojtur përballë një armiku “të padukshëm ” që nuk njeh kufij. Faktoje dhe qindra gazetarë në 78 vende të botës, përfshirë vendet e Ballkanit, kanë shkrirë kufijtë dhe janë bërë bashkë për të luftuar infodeminë. Ne besojmë se faktet shpëtojnë jetë.


Data 2 prilli e këtij viti, dita ndërkombëtare e “Verifikimit të fakteve”, e gjen botën në situatë pandemie, ndaj dhe “Faktoje” në këtë newsletter e vendosi fokusin tek historitë “fact-check” që kanë lidhje me të. Në kohën kur pandemia ecën paralelisht me infodeminë, “Faktoje” si organizata e parë dhe vetme faktverifikuese deri më sot në Shqipëri, ka kënaqësinë që në këtë kohë sfidash, të informojë me standardet më të larta audiencën. Sot “Faktoje”,  është një organizatë e pavarur dhe e mbështetur nga USAID, pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar të Organizatave Faktverifikuese (International Fact Checking Network). “Faktoje” ka nisur të angazhohet në projekte të përbashkëta brenda dhe jashte kufijve per të qenë në vijën e parë të luftës ndaj “fake news”.

Që prej shpalljes së pandemisë nga koronavirusi i ri COVID-19, “Faktoje” ka zgjeruar fokusin e saj, përtej verifikimit të deklaratave të funksionarëve publikë, duke treguar një vigjilencë të shtuar për lajmet, fotot apo videot e rreme të cilat u shërbejnë si “armë” atyre që abuzojnë duke dezinformuar. Pre e këtyre lajmeve, gjatë kohës së pandemisë u vërtetua se kanë rënë edhe zyrtarë të lartë, përfshirë edhe kryeministrin në Shqipëri. Ekipi i “Faktojes”, i përbërë prej 5 gazetarësh profesionistë, është sy e veshë ndaj çdo zhvillimi në Shqipëri, rajon dhe më gjerë, pasi kjo periudhë më shumë se ndonjëherë,  ka bashkuar të gjithë në të njëtin shqetësim: Si të shmangim keqinformimin dhe ta orientojmë audiencën drejt informacionit të shëndetshëm! Për këtë qëllim “Faktoje” i përmbahet rigorozisht metodologjisë së standardeve më të larta, të këshillluara edhe nga IFCN si dhe respektimit të kritereve të gazetarisë profesionale, paanshmërisë dhe depolitizimit. “Faktoje” udhëhiqet nga faktet dhe jo nga opinionet, ndaj sfida e saj është që të orientojë edhe audiencën në këtë drejtim. Duke qenë se sfida të ngjashme hasin edhe kolegët tanë në rajon, “Faktoje” po bëhet e pjesë e nismave të përbashkëta në Ballkan, siç është krijimi i Rrjetit Ballkanik kundër Dezinformimit (Anti-Disinformation Network for the Balkans).

Për ekipin e “Faktoje”, parësor është edukimi i audiencës për të zgjedhur “rrugën” e duhur dhe të zgjuar për t’u informuar dhe verifikimi i fakteve është mjeti me të cilin ne, në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e organizatave faktverifikuese jemi të bindur se do t’ia dalim!

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img