Europa po përvëlohet, por këto semaforë të shkrirë nuk janë pasojë e klimës

10

Pretendimi: Kjo video tregon semaforë të shkrirë nga vala e të nxehtit që përfshiu Europën në qershor 2026

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————————————

Një video që tregon semaforë të shkrirë qarkulloi në rrjetet sociale shqipfolëse në fund të qershorit 2026, shoqëruar me pretendimin se shkrirja ishte pasojë e temperaturave ekstreme që përfshinë Europën këtë vit.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamje të semaforit në video ishin botuar në një artikull të botuar më 28 qershor në gazetën italiane online Il Baco da Seta.

Gazeta shpjegon se vala e nxehtësisë nuk ka të bëjë me shkrirjen e semaforit. Në të vërtetë, më 23 qershor, një makinë u përfshi nga flakët në Lugagnano pikërisht nën atë semafor. Një flakë e madhe detyroi policinë vendase të devijonte trafikun dhe departamentin e zjarrfikësve të ndërhynte për të kontrolluar flakët dhe për të rivendosur sigurinë. 

E njëjta organizatë mediatike lajmesh kishte mbuluar më parë lajmin e zjarrit.

Verifikimi me pamjet nga Google Street View konfirmon se semafori në video ndodhet në vendin ku u dogj makina në Lugagnano

Më 1 korrik, përdoruesi Jhonny Puttini, i cili kishte postuar fillimisht videon e semaforit me pretendimin se ai ishte shkrirë si pasojë e temperaturave të larta, konfirmoi se semafori nuk ishte shkrirë për shkak të temperaturës, duke shpjeguar se qëllimi i videos së tij ishte ironik.

Semaforët janë bërë nga alumini ose polikarbonati me rezistencë të lartë, materiale me nivele shkrirjeje që tejkalojnë temperatura prej 150°C, duke e bërë të pamundur që një valë nxehtësie t’i shkrijë ato.

Sa i përket klipit të dytë, me semaforin që pretendohet se është shkrirë nga temperaturat e larta në Gjermani, vlen i njejti shpjegim.

Sipas kolegëve të DPA, semafori ndodhet në një kryqëzim në lagjen Friedrichshain-Kreuzberg të Berlinit, pranë lumit Spree. Kjo mund të përcaktohet nga ndërtesat në sfond.

Në cep të rrugës është ambienti i një klubi ku shpërtheu një zjarr në qershor 2025. Zona e jashtme ngjitur me rrugën u përfshi nga flakët, siç tregohet në videot e dëshmitarëve okularë të publikuara nga mediat berlineze.

Një zëdhënës i InfraSignal, kompanisë shtetërore përgjegjëse për semaforët e Berlinit, konfirmoi për DPA se ky ishte në të vërtetë shkaku i shkrirjes së semaforit në klipin e dytë.