Pretendimi: Presidenti turk Erdogan ka deklaruar së fundmi se Jeruzalemi i përket Turqisë
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————–
Ndërsa lufta në Gaza vijon prej mbi një viti, në rrjete sociale po qarkullon lajmi se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka pretenduar qytetin e Jeruzalemit për Turqinë.
Megjithatë, deklarata që postimi i mësipërm cilëson si të kohëve të fundit është mbi katër vite e vjetër.
Më 1 tetor 2024, në hapjen e vitit të ri legjislativ të parlamentit turk, pas një pushimi dy mujor, Erdogan tha në një fjalim të transmetuar në KararTV:
“Një krizë tjetër që vendi dhe kombi ynë ndjekin me kujdes është shtypja e Izraelit ndaj palestinezëve dhe praktikat indiferente që shpërfillin privatësinë e Jeruzalemit. Çështja e Jeruzalemit nuk është një problem i zakonshëm gjeopolitik për ne. Para së gjithash, pamja aktuale fizike e qytetit të vjetër, që është zemra e Jeruzalemit, është ndërtuar nga Sulejmani i Madhërishëm, me muret, pazarin dhe shumë ndërtesa. Paraardhësit tanë e treguan respektin e tyre në shekuj duke e mbajtur këtë qytet me nderim të lartë. Në këtë qytet që na u desh të braktisnim të përlotur gjatë Luftës së Parë Botërore, ende mund të hasim në gjurmë të rezistencës osmane. Pra, Jeruzalemi është qyteti ynë, një qytet nga ne. Kibla jonë e parë al-Aksa dhe Kupola e Shkëmbit në Jerusalem janë xhamitë simbolike të besimit tonë. Përveç kësaj, ky qytet është shtëpia e vendeve të shenjta të krishterimit dhe judaizmit. Edhe pse toka e popullit të Palestinës, që ka jetuar në Jeruzalem dhe në rajon për mijëra vjet, është pushtuar dhe janë shkelur të drejtat dhe ligjet, ne duhet të kemi shumë kujdes me këtë çështje. Ne e pranojmë si nder në emër të vendit dhe kombit tonë detyrën për t’i dhënë zë në çdo platformë popullit të shtypur të Palestinës, me të cilin kemi jetuar së bashku për shekuj. Me këtë mirëkuptim, ne do të ndjekim deri në fund si çështjen palestineze, e cila është një plagë e përgjakur në ndërgjegjen globale, ashtu edhe kauzën e Jeruzalemit.”
Në atë kohë deklarata e Erdogan u cilësua si provokative.
Perandoria Osmane sundoi mbi Jeruzalemin nga viti 1516 deri në vitin 1917, kur qyteti u pushtua nga trupat britanike. Që atëherë, Mbretëria e Bashkuar e menaxhoi qytetin nën mandatin e Lidhjes së Kombeve për disa dekada, deri në vitin 1948 kur u themelua shteti i Izraelit.