Pretendimi: Ish-kryeministri britanik Tony Blair pranon se identiteti digjital është i lidhur me mundësinë e vaksinimit të detyruar.
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————
Në rrjete sociale po qarkullon një video e ish-kryeministrit britanik Tony Blair në Forumin Ekonomik Botëror, shoqëruar me pretendimin se në të ai “pranon se identiteti digjital është i lidhur me mundësinë e vaksinimit të detyruar të popullsisë.”
Megjithatë, video në të cilën Blair pretendohet se ka bërë këtë deklaratë, çuditërisht, nuk ka zë.
Kështu, Faktoje vendosi të gjurmojë videon origjinale për të verifikuar nëse Blair e ka bërë vërtet një deklaratë të tillë në këtë klip.
Me anë të motorit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi është shkëputur nga një panel në takimin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, më 19 janar 2023. Video e plotë e panelit është ngarkuar edhe në Youtube.
Klipi që po qarkullon në rrjete sociale nis në minutën 36:45 të videos origjinale.
Tony Blair dëgjohet të thotë:
“Dhe unë mendoj gjithashtu se kjo çështje ka të bëjë me teknologjinë dhe infrastrukturën digjitale, dhe dua ta theksoj se sa e rëndësishme mendoj unë se është kjo. Sepse në fund të ditës, ke nevojë për të dhënat, ke nevojë të dish kush është vaksinuar dhe kush jo. Disa nga vaksinat që do shohim në të ardhmen do të jenë disafish, do të kenë disa doza. Kështu duhet të kesh, për arsye që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor më përgjithësisht, por sidomos për një pandemi, ose për vaksinat, duhet të kesh një infrastrukturë digjitale të qenësishme, dhe shumë shtete nuk e kanë këtë. Në fakt, shumica e shteteve nuk e kanë.”
Siç shihet, dhe dëgjohet, Blair nuk përmend në ndonjë moment vaksinimin e detyruar, madje as edhe kartën e identitetit digjitale, një projekt që, në fakt, ai ka propozuar për vite tashmë.
Propozimi i Blair është rikthyer ditët e fundit pasi ai e risolli identitetin digjital si një mundësi për të kontrolluar emigracionin në Britani. Në një shkrim të tij në Sunday Times, ish-kryeministri nënvizoi nevojën për një plan për të kontrolluar emigracionin dhe ulur dhe shpenzimet e lidhura me programet e asistencës ekonomike. E pyetur për këtë propozim, ministrja e Brendshme Yvette Cooper konfirmoi se kartat e identitetit nuk ishin në programin zgjedhor të partisë Laburiste dhe shtoi se: “Kjo nuk është qasja jonë”.