Pretendimi: Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër për arrestin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————

Një numër mediash shqipfolëse kanë raportuar në fund të muajit prill se Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka lëshuar një urdhër-arrest për kryministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Gjykata Ndërkombëtare Penale është një gjykatë e përhershme ndërkombëtare e vendosur në Hagë, Hollandë. Ajo ka kompetencën për të gjykuar individë që kanë kryer krime me interes ndërkombëtar si genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. ICC e merr tagrin ligjor nga Statuti i Romës i 1998, në të cilin aderojnë 124 shtete.

Më 20 maj, prokurori i ICC Karim Khan i kërkoi Gjykatës të lëshonte urdhëra arresti për kryeministrin izraelit Netanyahu dhe Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, nën akuzën e “krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit”  në Rripin e Gazës duke filluar nga 8 tetori 2023. Prokurori kërkoi gjithashtu urdhër arresti për liderët e Hamas Yahya Sinëar, Mohammed Deif, Ismail Haniyeh dhe Diab Ibrahim Al Masri për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit” të kryera në Izrael dhe Rripin e Gazës duke filluar nga 7 tetori 2023.

Kërkesa e prokurorit do të vlerësohet nga gjyqtarët e ICC. Tre gjyqtarë të procedurës paraprake do duhet të vendosin nëse provat e prezantuara janë të mjaftueshme për të lëshuar urdhëra arresti. Kjo mund të zgjasë me javë ose muaj të tërë.

Për shembull, më 22 shkurt 2023, Prokurori Khan kërkoi dy urdhër arreste për krime lufte për presidentin rus Vladimir Putin dhe për Maria Lvova-Belova, Komisionere për të Drejtat e Fëmijëve në Zyrën e Presidentit rus, lidhur me luftën në Ukrainë. Vendimi i gjyqtarëve për të lëshuar dy urdhër-arrest kundër Putin dhe Belov u mor më 17 mars 2023, gati një muaj pas kërkesës së prokurorit.

Urdhër arresti për autokratin sudanez Omar al-Bashir u kërkua më 14 korrik 2008. Urdhëri i parë i arrestit kundër tij u lëshua më 4 mars 2009, 8 muaj më vonë.

Vlen të përmendet që as Putin dhe as al-Bashir nuk janë arrestuar deri më sot.

Më tej, Izraeli nuk është shtet anëtar i ICC, kështu që, edhe nëse urdhërat e arrestit lëshohen, Netanyahu dhe Gallant nuk kërcënohen nga rreziku i ndjekjes penale. Megjithatë, kërcënimi i arrestimit mund ta bëjë më të vështirë që ata të udhëtojnë jashtë vendit.

Izraeli po përballet gjithashtu me një çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, gjykatën më të lartë të OKB, në të cilën Afrika e Jugut e ka akuzuar shtetin izraelit për genocid.