Emigrantët sirianë nuk thirrën “Allahu Ekber” në tregun e Krishtlindjeve

14

Pretendimi: Video tregon emigrantë myslimanë që thërrasin “Allahu Ekber”

Verdikti: I pavërtetë

Barbara Halla

Në një artikull të publikuar në 19 nëntor pretendohet se një grup myslimanësh krijuan rrëmujë përmes një tregu Krishtlindjesh në Gjermani duke brohoritur “Nuk ka zot tjeter përveç Allahut, Allahu Ekber (Allahu Akbar)”. Pamjet tregojnë një grup të madh njerëzish që mbajnë në duar flamuj sirianë dhe ecin përmes barakave prej druri të atij që ngjan me një treg të përkohshëm.

Para se të publikoheshin në shqip, këto lajme janë përhapur së fundi po ashtu dhe në media sociale të ndryshme, sidomos në Twitter/X, nga profile dhe grupe me narrativë kundër emigracionit në Evropë.

Sipas verifikimit të mëparshëm të Lead Stories, nuk bëhet fjalë për një video të re që ka ndodhur në nëntor 2025. Në fakt, kjo video është xhiruar në dhjetor 2024 në qytetin e Essen. Videoja tregon një grup emigrantës sirianë në Gjermani, të cilët festojnë rënien e diktatorit Bashar al-Assad. Njeriu që sundoi Sirinë për më shumë se dy dekada në një regjim gjakatar u detyrua të largohej në 8 dhjetor 2024 në Rusi duke ngjallur entuziasëm te emigrantët sirianë në të gjithë botën. 

Edhe atëherë, figura të të djathtës ekstreme e pretenduan se kjo video është një shenjë mosrespekti ndaj qytetarëve gjerman dhe një përpjekje për t’i frikësuar ata. 

Për më tepër, sipas analizës së Lead Stories, në video nuk dëgjohet thirrja “Allahu Akbar.” Në këtë video mund të degjohen brohoritje dhe këndime të ndryshme që janë shprehje gëzimi të zakonshme në rastin e komunitetit sirian. Pra, nuk bëhet fjalë për fraza fetare si “Allahu Akbar” (që zakonisht asociohet me figurat terroriste), dhe nuk ka as shprehje urrejtje. 

Në video mund të shihet po ashtu sesi pjesëmarrësit në festime mbajnë flamuj sirianë që tregon përsëri se videoja tregon një festim për  rënien e regjimit të Bashar al-Assadit, dhe nuk është një demonstratë kundër Krishlindjeve apo me motive për të frikësuar qytetarët gjermanë.