Pretendimi: Në Lezhë do të shikojmë skena të emigrantëve afrikanë të dhunshëm ashtu si në Spanjë

Verdikti: Mungon konteksti

—————————–

Marrëveshja me qeverinë italiane për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve të paligjshëm ka ende shumë paqartësi për funksionimin e saj. Në anën tjetër të Adriatikut ka zëra kritikë për shkeljen e të drejtave të njeriut apo një zgjidhjeje të shtrenjtë dhe jo efikase të problemeve me emigracionin nga qeveria e djathtë e kryeministres Meloni.

Ndërsa në pjesën shqiptare, dyshimet mbi ngritjen e këtyre qendrave janë duke u fokusuar në problemet me sigurinë që mund të sjellin për komunitetin në zonë emigrantët që udhëtojnë nga vendet afrikane dhe në konflikte.

Një video e një grabitjeje të dhunshme, ku është përfshirë një mashkull afrikan dhe një grua e bardhë, po ndahet në rrjetin Facebook, e shoqëruar me tekstin: “Së shpejti në Shëngjin apo Lezhë. Pamja në një qytet në Spanjë ku ka emigrantë që presin vendime gjyqësore”.

Video e postuar në platformën Facebook

Video shfaq një mashkull me tipare afrikane që hyn në një dyqan dhe shtrëngon nga qafa shitësen, duke përdorur duart e tij të fuqishme, për ta detyruar të hapë kasën ku ndodhet xhiro. Video ka marrë mbi 4300 shikime dhe dhjetra komente që shprehin shqetësimin për problemet që do të sjellin emigrantët afrikanë. Pamje të tilla të dhunshme ku përfshihen emigrantët kanë ngjallur nota të forta racizmi në Evropë dhe rezultat i tyre janë dhe rritja e forcave të djathta konservatore në votimet e fundit për Parlamentin Evropian.

Duke verifikuar më tej me motorin e kërkimit Google Image zbulojm se video i përket një grabitjeje të ndodhur në prill të këtij viti në Ciudad Jardin, në Malaga, Spanjë. Policia konfirmoi se grabitësi, një 40-vjeçar me origjinë nga Kameruni, sulmoi kasieren me origjinë nga Paraguai, duke i marrë paratë e kasës dhe u largua pasi e mbylli në banjo. Pak ditë më vonë ai sulmoi një tjetër grua në një lagje të qytetit dhe pas alarmit të dhënë prej saj policia arriti ta ndalojë. Sipas mediave vendase, sulmuesi ishte i njohur për policinë për kriminalitetin e tij, megjithëse ishte zhdukur prej disa kohësh nga qyteti. Pra, nuk bëhej fjalë për një emigrant të ardhur rishtazi në Spanjë, i akomoduar në kampe në pritje të kërkesës së tij për azil.

Spanja ka probleme të hershme me emigracionin e paligjshëm për shkak të pozicionit të saj gjeografik, por edhe mungesës së përballjes me këtë problematikë. Së fundi, parlamenti spanjoll ka pranuar një nismë ligjore të nxitur nga organizatat civile për të rregulluar të drejtat e punësimit të mbi 500 mijë emigrantëve të paligjshëm në vend. Peticioni i organizatave thekson ndihmën që dhanë emigrantët në sektorin e bujqësisë apo kujdesit për të moshuarit gjatë pandemisë së Covid-19 si një kontribut që meriton mbrojtje dhe rregullim ligjor.

Spanja është një vend me nivel krimi relativisht të ulët. Shkalla e përgjithshme e krimit të saj sipas të dhënave zyrtare ishte 48.8 për 1000 banorë në vitin 2022, më e ulët se në shumicën e vendeve evropiane. Nga viti 2019 regjistrohet gjithashtu një ulje në nivelin e krimit të përgjithshëm.

Nevojitet të theksohet se marrëveshja për ndërtimin e qendrave të emigrantëve në portin e Shëngjinit dhe bazën ajrore në Gjadër parashikon që të mbajë të izoluar brenda rrethimit me tela mbi 7 metra të lartë deri në 3 mijë emigrantë çdo muaj. Të dy objektet do të kenë personel italian dhe do të funksionojnë nën juridiksionin italian. Megjithatë, siguria e jashtme do të realizohet nga rojet shqiptare. Në kamp do të jetë vetëm emigrantë nga vende që Italia i konsideron të sigurta, të cilët nuk kanë shanse për të përfituar azilin politik në Bashkimin Evropian.  

Edhe nëse emigrantët do të munden të arratisen nga kampet ata do të tentojnë me siguri që të udhëtojnë drejt vendeve të Evropës veriore, duke lënë pas Shqipërinë. Prej vitesh vendi ynë është pjesë e kalimit tranzit të emigrantëve që largohen nga vendet e përfshira në luftime si Siria, apo zonat e tjera të Lindjes së Mesme, që më parë ishin nën kontrollin e ISIS. Kampet në Lezhë nuk do të ishin burimet e vetme të rrezikut që mund të sjellë emigracioni i paligjshëm.