Pretendimi: Elon Musk postoi në Twitter kundër George Soros dhe ndikimit të tij në politikën amerikane
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————-
Në rrjete sociale po qarkullon një imazh që pretendohet se tregon një postim në Twitter/X nga miliarderi Elon Musk. “A duhet të ndalohen George Soros, paratë e tij dhe të gjitha organizatat e tij nga politika amerikane?” pyet postimi i pretenduar i Musk.
Megjithatë, siç vërehet edhe në imazhin e mësipërm, llogaria që ka bërë këtë postim nuk është llogaria e vërtetë e Elon Musk, por një llogari e krijuar me qëllim parodie.
Kjo shpjegohet edhe në përshkrimin e llogarisë në Twitter/X.
“Unë nuk jam Elon Musk. Kjo llogari është PARODI. Kjo llogari nuk ka lidhje me elonmusk.”
Musk është shprehur më parë në Twitter/X mbi miliarderin George Soros, por nuk ka bërë ndonjëherë një postim të tillë.
Faktoje ka verifikuar edhe më parë pretendime mbi Soros, që ka qenë prej kohësh shënjestër e një sërë teorish konspirative që e fajësojnë atë për një gamë gati të mbinatyrshme ligësish.
Gjatë këtyre javëve në pritje të marrjes së detyrës nga presidenti i zgjedhur Donald Trump, në rrjetet sociale janë ndarë disa deklarata të pretenduara të tij për ndalimin e aktivitetetit të Soros në ShBA.
Edhe në këtë rast bëhet fjalë për lajme satirike që janë ndarë si të vërteta. Lajmi i shpikur fillimisht u raportua më 5 gusht 2024 në X nga llogaria parodi e Ivanka Trump, vajza e Donald Trump, e cila e shpërndau disa herë. Tweet-et, të cilat morën mijëra shikime, u morën më pas nga llogaritë e MAGA Make America Great Again, mbështetësve të Trump dhe llogaria parodi e presidentit të zgjedhur. Një deklaratë e tillë nuk figuron në llogaritë zyrtare të dy politikanëve. Informacioni nuk është dhënë nga asnjë burim apo media e besueshme dhe për një veprim të tillë nuk flitet as në faqen dhe programin e administratës së ardhshme Trump.