Pretendimi: Elon Musk zbulon aeroplanin luftarak UFO që kundërshton fizikën.

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————–

Në rrjetet sociale shqipfolëse po shpërndahet lajmi se kreu i kompanisë Tesla, Elon Musk ka hedhur në treg një aeroplan luftarak/anije kozmike “me teknologji shtytëse që kapërcen aerodinamikën e njohur, duke përdorur një sistem lëvizjeje kundër gravitetit të bazuar në parimet e fizikës kuantike.”

Si fillim, duhet vërejtur se imazhi që shoqëron postimin e mësipërm është gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale. Ai është një prej shumë imazheve të tilla të shpërndara në Facebook që tregojnë Musk si një filantrop dhe shpikës gjenial që po zgjidh në mënyrë aktive problemet e Amerikës nga mirësia e zemrës së tij. 

Sipas 404 Media, këto imazhe janë prodhuar nga persona në Filipine, Vietnam dhe Indi dhe postuar masivisht në Facebook. Me gjasa kjo është një përpjekje për të fituar para direkt nga Facebook duke përdorur programin e bonusit të krijuesit, i cili paguan një pjesë të të ardhurave nga reklamat e krijuara nga angazhimi në postime. 

McKenzie Sadeghi, e cila studion inteligjencën artificiale dhe ndikimin e huaj në NewsGuard, gjeti postime të ngjashme AI rreth Musk në YouTube, Threads dhe TikTok.

“Duket se ka pasur një rritje të interesit publik për Elon Musk rreth kohës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA, që përkon me kohën e disa prej këtyre postimeve,” tha Sadeghi për 404 Media. “Nuk jam në dijeni të shtrirjes apo kornizës së plotë kohore të kësaj fushate, por është e mundur që këto llogari po përpiqeshin të përfitonin nga kjo rritje në interes e publikut duke nxjerrë përmbajtje që rrisin klikimet, të krijuara nga Inteligjenca Artificiale, dhe në disa raste, duke i drejtuar përdoruesit të gjejnë një artikull rreth Musk në komente në një përpjekje për të anashkaluar kufizimet algoritmike të Facebook.”

Sa i përket pretendimit për zbulimin e avionit luftarak të Tesla, nuk ka asnjë njoftim mbi të në faqen zyrtare të Tesla apo SpaceX.

Një anije kozmike që sfidon gravitetin, që shkatërron ligjet e fizikës me një “burim të pafund energjie” do të ishte bërë tema e titujve kryesorë në mediat ndërkombëtare, por asnjë raportim i tillë nuk ekziston.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë lajme lidhur me zbulime produktesh fiktivë nga Elon Musk dhe Tesla.