Rregullimi i rrugës 10-vjeçare të fshatit turistik Funar ishte ndër premtimet e kryebashkiakut Gledjan Llatja me qëllim zhvillimin e turizmit në Elbasan. Por ndërsa po mbyllet dhe viti 2024, një verifikim i Faktoje.al në terren zbulon se rruga është shtruar vetëm në disa segmente të saj, ndërsa Bashkia heq përgjegjësitë nga vetja
———————————————————
Gjatë fushatës së vitit 2023, teksa kërkonte mandatin e dytë, socialisti Gledjan Llatja përshkroi planin e tij për turizmin dhe theksoi rëndësinë e rrugës së Funarit.
Në Maj 2023, Llatja u premtoi banorëve të Funarit se “këtë vit do të rregullojmë pjesën e parë të rrugës ekzistuese.”
Në faqen zyrtare të bashkisë Elbasan, Funari promovohet si një perlë turistike e pazbuluar me 4 liqene dhe 7 fshatra në administrim.
Megjithatë, në fund të vitit 2024, ky premtim rezulton se ende nuk është mbajtur.
Gjatë verifikimit në terren në fund të Shtatorit 2024, Faktoje vëzhgoi se rruga e Funarit ishte shtruar në disa segmente.
Ndërsa në pjesë të tjera të saj ende nuk ishte vënë dorë. Koha dhe kushtet atmosferike kanë lënë gjurmën e tyre të dukshme.
Në segmentin e parë të rrugës, të cilin kryebashkiaku Llatja premtoi se do të rregullohej vitin e kaluar, evidentuam rrëshkitje dheu.
Në përgjigjen ndaj kërkesës për informacion dërguar nga Faktoje në Shtator 2024, Bashkia Elbasan refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve për projektin e rrugës së Funarit duke deklaruar se “ky investim është kompetencë e këshillit të Qarkut Elbasan.”
Kështu, Bashkia Elbasan, duket se e ka harruar premtimin e kryebashkiakut Llatja, dhe e ka hequr nga vetja përgjegjësinë për rregullimin e rrugës së Funarit.
Ndërkaq, në përgjigjen e një kërkese për informacion dërguar nga Faktoje, Këshilli i Qarkut Elbasan na informoi se “nuk ka kryer asnjë investim për rrugën e Funarit dhe nuk ka parashikuar fond për këtë rrugë.”
Duket se as Bashkia e as Qarku Elbasan nuk kanë patur dorë në shtrimin e pjesshëm të rrugës së Funarit.
Në këto rrethana, premtimin e kryebashkiakut të Elbasanit, Gledjan Llatja, për rregullimin e rrugës së fshatit turistik Funar e kategorizojmë të pambajtur.