.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookEkzistenca e Zotit nuk u konfirmua nga shkencëtari amerikan

Ekzistenca e Zotit nuk u konfirmua nga shkencëtari amerikan

Një artikull i portalit mediat-shqip.com jep lajmin e mirë (ose të keq, në varësi të bindjeve të lexuesit) se një shkencëtar i famshëm ka arritur të provojë ekzistencën e Zotit. Për më tepër, titulli i shkrimt shkon edhe më tej, kur specifikon se Zoti në fjalë është ai i përshkruar në Kuran. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky artikull është një riciklim i një lajmi të rremë që qarkullon në internet për mbi një dekadë.

Artikulli nuk përmend apo citon asnjë burim. Shkencëtari, të cilit i referohet artikulli, është fizikanti teorik Michio Kaku, dhe nuk është hera e parë që ai citohet sikur ka thënë se ka provuar ekzistencën e Zotit. Ky pretendim ka ekzistuar në internet të paktën që në vitin 2009.

Postimi i mësipërm i vitit 2009 përmend, njësoj si artikulli i 2022, “grimcat e ashtuquajtura takionët primitivë”, me anë të të cilave Kaku kishte arritur në konkluzionin se Zoti ekziston. Kërkimi në literaturën shkencore nuk jep asnjë rezultat për “takionët primitivë”. Faqja zyrtare e Kaku nuk jep asnjë rezultat kur kërkon për takionët. Takionët janë grimca hipotetike. Asnjë eksperiment i verifikueshëm nuk ka mundur të provojë ekzistencën e këtyre grimcave, dhe Michio Kaku, i cili është fizikant teorik dhe jo eksperimental, nuk ka folur asnjëherë (të paktën publikisht) për to.

Sa i përket ekzistencës së Zotit, vetë Kaku ka sqaruar në një intervistë për revistën “Innovation & Tech Today” në 2016 se artikujt që kishin pretenduar se ai kishte provuar këtë ekzistencë e kishin keqinterpretuar. 

Pikëpamja ime,” tha Kaku, “është se as nuk mund ta provosh as nuk mund ta përgënjeshtrosh ekzistencën e Zotit.” Ai vazhdon: 

Shkenca bazohet te ajo çfarë është e testueshme, e riprodhueshme, dhe e përgënjeshtrueshme. Kjo quhet shkencë. Megjithatë, ka disa gjëra që nuk janë të testueshme, të riprodhueshme dhe të përgënjeshtrueshme. Ekzistenca e Zotit është një nga ato.

Për shembull, le të shohim rimishërimin. Nëse dikush në një festë të thotë se është Kleopatra apo Jul Cesari, si mund ta përgënjeshtrosh këtë? Epo, ti i bën disa pyetje të thjeshta dhe ai përgjigjet gabim. Pastaj ti i thua, “Ja! E përgënjeshtrovë pretendimin tënd.” Dhe ai të thotë, “Jo, librat e historisë e kanë gabim…Nga e di unë që librat e historisë e kanë gabim? Sepse unë jam Kleopatra. Unë jam Jul Cesari.

Në atë pikë, biseda ka mbaruar. Ti fillon të kuptosh se nuk ka rëndësi se si ti e përgënjeshtron këtë pretendim, ai mund të kthehet dhe të thotë, “Jo, jo, jo, librat e historisë e kanë gabim.” Dhe si e përgënjeshtron ti këtë? Nuk mundesh. Kështu, janë disa pohime që nuk janë të përgënjeshtrueshme.

E njejta gjë edhe me ekzistencën e Zotit. Nuk mendoj se ka ndonjë eksperiment që mund të krijosh që do të provonte apo përgënjeshtronte ekzistencën e Zotit. Si rrjedhojë, nuk është një pretendim i përgënjeshtrueshëm. Nuk mund të krijosh një eksperiment që përgënjeshtron ekzistencën e Zotit. Pra, është një pohim i papërgënjeshtrueshëm.

[…]

Ekziton një teori rreth a është apo jo universi një simulim i ndonjë lloji, si në filmin The Matrix. Dhe atëherë pyetja është, si do e provosh? Ose si do e përgënjeshtrosh?

Personalisht, unë mendoj se ky është një tjetër pohim i papërgënjeshtrueshëm. Njësoj si “A je ti Kleopatra?”. Njësoj si “A ka një Zot?

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Shënim:

*28 tetor 2022: Portali  https://mediat-shqip.com/ e ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje.  Lajmit të raportuar  https://mediat-shqip.com/2022/10/14/ekzistenca-e-zotit-nga-pikepamja-e-dr-michio-kaku/ i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img