.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookEkzagjerim me trajtimin bimor që mund të zëvendësojë gjinekologun

Ekzagjerim me trajtimin bimor që mund të zëvendësojë gjinekologun

Asnjë bimë nuk mund ta zbehë rolin dhe rëndësinë e një mjeku gjinekolog, pavarësisht sugjerimeve që ofrohen nga portalet. Faktoje verifikoi një artikull të publikuar online, ku jepen këshilla për të trajtuar problemet gjinekologjike me mjekime alternative.

Një artikull i publikuar nga portalet pretendon se ka gjetur një kurë “ideale” për të trajtuar të gjitha shqetësimet gjinekologjike. Për këtë, rekomandohet një bimë që quhet “Manteli i Zonjës, Alchemilla mollis”

Vɑjzɑ dhe grɑ, kjo bimë bên qê tê mos keni nevojê tê shkoni më te gjinekologu”-shkruan portali “Pasqyra ditore”.

Screenshot, artikulli i publikuar nga portali

Ne bëmë fillimisht një kërkim, për të parë se çfarë është kjo bimë. Manteli i Zonjës, “Alchemilla mollis”, është një bimë shumëvjeçare, e njohur për llojin e veçantë dhe interesant të gjethes. Emri i saj i zakonshëm supozohet se vjen nga ngjashmëria e gjetheve të saj të lulëzuara me mantelin e Virgjëreshës Mari, megjithëse ekzistojnë edhe shpjegime të tjera. Me origjinë nga Turqia dhe malet Karpate, bima është përdorur në mjekësi për sëmundjet e stomakut.

Gjithashtu, nga kërkimi online rezulton se kjo bimë ndihmon të problemet me menstruacionet apo edhe presionin e gjakut. Mund të ndihmojë edhe në trajtimin e simptomave të menopauzës, në lehtësimin e diarresë, mbron mëlçinë dhe ka veti antivirale.

Që nga Mesjeta, bimët e mantelit të grave janë përdorur në gjinekologji, për shembull për të trajtuar dhimbjet menstruale ose gjatë menopauzës.

Mirëpo theksohet se kjo bimë nuk duhet të përdoret nga gratë që janë shtatzënë, ato që po planifikojnë të kenë një fëmijë, apo edhe nënat që ushqejnë foshnjat me gji.

Ka disa prova që sugjerojnë se konsumimi i tepërt i bimës së mantelit të grave mund të ndikojë në dëmtimin e mëlçisë. Ndaj specialistët rekomandojnë të konsultoheni me mjekun para se të merrni këtë bimë apo ndonjë tjetër, veçanërisht nëse jeni duke marrë ilaçe ose vuani nga një sëmundje kronike.

Ne biseduam me mjeken gjinekologe, Mimoza Keta mbi këtë bimë dhe sa efektive është ajo në të vërtetë. Specialistja u shpreh: “Bima mund të jetë e mirë ndoshta për të trajtuar problemet gjinekologjike, por duhet të jetë e testuar nga ana farmaceutike. Ne si mjekë gjinekologë nuk e dimë përdorimin e saj.

Por asnjë bimë nuk mund të zëvendësojë gjinekologun. Njëherë në vit çdo grua duhet të bëjë vizitë gjinekologjike për të bërë kontrollet e nevojshme. Nuk të mbron bima nga kanceri i qafës së mitrës. Çdo 30 minuta një grua vdes nga kanceri i qafës së mitrës në botë”, argumenton mjekja Keta.

Për sa më sipër, artikulli duhet marrë me rezerva për titullin “bombastik” dhe efektet çudibërëse të bimës.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img