Ekonomia duhet të ishte në të njëjtin fokus me rindërtimin

512

Eduard Gjokutaj

Menjëherë pas tërmetit të vitit 2019 qeveria angazhoi një pjesë të mirë të burimeve të saj buxhetore dhe njerëzore[1] duke krijuar posaçërisht edhe një ministri për rindërtimin[2]. Sipas ministrit të saj “Në këto 30 vite është hera e parë që një ndërmarrje kaq e madhe e kuadruar në një set aktesh nënligjore, ligjit kuadër dhe në një procedurë të detajuar që ka të bëjë me programimin, projektimin, vlerësimin dhe rindërtimin ose rikonstruksionin të realizohet kështu në kohë dhe cilësi.”

Por, nëse shikojmë ecurinë dhe mënyrën si ka konsumuar jo pak fonde nga buxheti i shtetit nuk duket se procesi është realisht në këto koordinata performance.

Në paketën fiskale[3] për rindërtimin pas tërmetit të vitit 2019 shikojmë se një pjesë e burimeve financiare që nga viti 2020 deri në vitin 2023 zënë mesatarsisht deri në 5% të shpenzimeve gjithsej të buxhetit vjetor.

Ato janë orientuar për të mbuluar 120 miliardë lekë (985.07 milion Euro) dëme të vlerësuara pas fatkeqësisë nga tërmeti, sipas Raportit[4] të grupit të punës të ngritur për këtë qëllim nga Kryeministri Rama. Dëmet për tu rikuperuar përfshinin strehimin, prodhimin, arsimin, infrastrukturën, kulturën, mbrojtjen civile dhe shëndetësinë, ku 696 milionë euro u llogaritën si dëme dhe humbje vetëm në strehim.

Në kushtet e emergjencës, menjëherë pas ngjarjes, Qeveria u fokusua tërësisht përmes mekanizmit të Fondit rezervë të Buxhetit të shtetit, duke ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme, në seri kohore të ndryshme:

  • një fond prej 200 milionë lekë u akordua, me qëllim rikonstruksionin dhe rindërtimin e shtëpive të dëmtuara në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë.
  • një fond prej 270 milionë lekë u akordua me qëllim sigurimin e akomodimit të përkohshëm në hotele për të dëmtuarit në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë.
  • një fond prej 70 milionë lekë u akordua për përballimin e shpenzimeve për inspektimin dhe vlerësimin e dëmeve.

Për realizimin e programeve të procesit të Rindërtimit, në Ligjin e Buxhetit për periudhën 2019-2023 u sanksionua krijimi i Fondit të Rindërtimit, burimet e financimit të së cilit ishin mjetet financiare dhe/ose kontributet në natyrë të dhëna nga buxheti i shtetit dhe donatorët, ku:

  • 9 miliardë lekë fonde u akorduan nga buxheti i shtetit për transferta tek individët dhe projekte investimi publik;
  • 8 miliardë lekë janë fonde u akorduan nga buxheti i shtetit për subvencionimin e qirave të strehimit të përkohshëm të familjeve të dëmtuara, nga të cilat 500 milionë lekë janë në plan 2023;
  • 5 miliardë lekë janë grante të huaja apo hyrje në cash janë përdorur për këtë proces;

Deri në mes të vitit 2023, sipas të paraqitjes në interpelancë e Ministres së MFE[5] kostoja totale e procesit të Rindërtimit është 117.6 miliardë lekë, fonde të miratuara me vendime të Këshillit të Ministrave, për kompensime, projekte apo investime. Kjo shumë është financuar, si nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve/investimeve të tjera, po ashtu edhe nga huamarrja.

Një kosto të konsiderueshme financiare, e mbuluar tërësisht nga buxheti i shtetit, ka sjellë edhe politika e Subvencionimit të Qerasë për strehimin e familjeve të dëmtuara. Në vitin 2020, numri i familjeve përfituese nga politikën e strehimit, pra të subvencionimit të qirasë, ishte rreth 14,100, ndërsa sot janë 8,400 familje që marrin bonus qiraje me një vlerë mesatare prej 20 mijë lekësh në muaj.

E gjithë kjo shumë që është alokuar nga buxheti në formën e investimeve dhe shpenzimeve për mbulim të kostove për qeramarrje dhe shpenzime të tjera operative është afërsisht sa 92% e investimeve totale të vendit per vitin 2023 apo sa 25% e gjithë investimeve kapitale të buxhetit të shtetit për vitet 2020 – 2023.

Nëse do të ndaleshim te alokimet sipas viteve, për programin e Rindërtimit, janë përdorur apo në përdorim 93.04 miliardë lekë, ku:

– 540 milionë lekë nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit në vitin 2019

– 16.7 miliardë lekë në vitin 2020

– 29.7 miliardë lekë në vitin 2021

– 29.1 miliardë lekë në vitin 2022

– 17 miliardë lekë në vitin 2023 (5 miliardë lekë në buxhetin fillestar dhe 12 miliardë lekë më vonë)

Ndërkohë, 7 miliardë lekë janë parashikuar sipas projekt-buxhetit 2024 të përdoren gjatë vitit.

Përfituesit nga rindërtimi, sipas statistikave zyrtare granteve të alokuara janë:

  • 38.500 përfitues nga nën programi “Grante Rikonstruksioni”;
  • 1.800 përfitues nga nën programi “Grante Rindërtimi”.

Për sa i takon angazhimit përmes buxhetit të shtetit, për ndërtimin e objekteve të reja, rezulton se:

  • Nga nën-programi i Rindërtimit të Banesave Individuale (Njësitë Zbatuese dhe Donatorë), është financuar rindërtimi i 2552 banesave individuale;
  • Nga nën-programi i Rindërtimit i Banesave Kolektive është financuar rindërtimi i 299 banesave kolektive;
  • Është financuar riforcimi i banesave kolektive dhe individuale, konkretisht 216 banesa kolektive dhe 12 banesa individuale;
  • Rikonstruksioni i 2001 banesave kolektive;
  • Sa i takon infrastukturës publike, kanë përfunduar 9 kantiere në Zonat e Reja për Zhvillim;
  • Janë 182 objekte arsimore të përfshira në Programin e Rindërtimit;
  • 34 Institucione dhe Vepra Publike të financuara nga Fondi i Rindërtimit.

Me qëllim të uljes së kostove për buxhetin e shtetit, qeveria propozoi në Kuvend dhe u miratua prej tij përjashtimi nga TVSH-ja i të gjitha furnizimeve të lidhura me rindërtimin  duke ulur shpenzimet me 20 % i TVSH-së.

Edhe pse procesi i Rindërtimit u deklarua dhe u relatua në relacionet e buxhetit të Shtetit për vitin 2023 se po zbatohet me sukses duke synuar përfundimin e tij brenda gjysmës së parë të vitit 2023,[6] shihet se ende edhe në relacionin e projekt buxhetit për vitin 2024 janë alokuar fonde të reja në shumën 7 miliardë lekë[7].

Nga gjithë sa shikohet në lidhje me procesin e rindërtimit duket se fatura përmbledhëse financiare që po financojmë ne taksapaguesit është shumë e lartë (deri 1 miliardë Euro). Në aspekt të menaxhimit financiar ajo duket e ngjashme me faturën e lartë që u pagua po nga taksapaguesit ndërtimi i “Rrugës së Kombit” përpara 1 dekade në kohën që filloi ky proces krijoi edhe probleme dhe rrisqe të shtuara, ende të paverifikuara deri në fund nga KLSH[8].

Por, përveç faturës së shtrenjtë dhe në disfavor të shpenzimeve që duhet të paguhen për faturat sociale, ashtu si konstatohet nga raporti i vitit 2021 duket se rrisku më kryesor ka qenë ai i zhvendosjes së donacioneve në drejtim të përballimit të COVID-19 në kohë reale.

Ndërkohë, sinjalet nga media investigative erdhën në rritje lidhur me shtimin e nivelit të korrupsionit politik, por edhe kapjes së buxhetit duke shmangur konkurimin dhe përdorimin e fondeve për punë publike në funksion të garës elektorale.

Po ashtu, krijimi i një strukture te re për Rindërtimin, të pakoordinuar me strukturën e emergjencave civile, krijoi probleme të kostove të shtuara administrative për arsye të mbivendosjes së detyrave dhe përgjegjësive që rrjedhin nga ligji Nr.45/2019 “Për mbrojtjen civile”, dhe Akti Normativ Nr.9 datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore.

Rindërtimi si proces zgjati përtej afateve të parashikuara me ndikim direkt në rritjen e kostove të produkteve (pajisje ndërtimi, shërbime etj) tej parashikimeve buxhetore. Kësaj ecurie, që ka arsye të forta për të besuar se pikërisht favorizimet në ndarjen e punëve publike ishin edhe klienteliste ju mbivendos edhe rritja e çmimeve, shtrenjtimi i kredisë për ndërtuesit dhe zhvleftësimi i lekut për prodhimet e brendshme. Kjo situatë e pafavorshme rriti alokimet e buxhetit në fund të vitit 2022 dhe vijoi gjatë gjithë vitit 2023 me të paktën 3 miliard lekë shtesë, ku përfshiheshin edhe punime të tjera jashtë rindërtimit.

Me gjithë sa pati rrisqe, fokusi i qeverisë duket se ka probleme me koordinimin e burimeve dhe mobilizimin e politikave. Ende nuk është vënë në zbatim një politikë kombëtare për zvogëlimin e rriskut prej fatkeqësive[9], e cila do të ndikonte në minimizimin e kostove dhe zvarritjeve të procesit. Mungesa e Strategjisë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë sjell automatikisht edhe mungesën e hartimit të Strategjive Vendore për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë nga ana e Njësive të Vetëqeverisjeve Vendore siç është edhe rasti i Bashkive Tiranë dhe Durrës.

Nga ana tjetër, Plani Kombëtar i Emergjencave Civile duhet të vihet në zbatim bazuar mbi përditësimet dhe situatat aktuale duke qenë se strukturat dhe organizmat kanë ndryshuar me të gjitha ndryshimet e kuadrit ligjor që kanë pësuar emergjencat civile.

Në gjithë këtë proces që tashmë kalon termat afatmesëm të zbatimit nevojitet që të ndryshohet praktika e dëmshme e procedurës për prokutimin e punimeve dhe shërbimeve të rindërtimit, ku qeveria nuk duhet të përdorë edhe më tej procedurat e shpejta, por ato që dikton ligji për prokurimet publike. Kjo ndikon në adresimin e rrisqeve si më lart lidhur me shmangien e përdorimit të fondeve të buxhetit të shtetit për politika elektorale të cilat kanë kosto që ka hyrë në hakun e politikave të tjera sociale dhe zhvillimore. Nga ana tjetër, transparenca e pjesshme dhe e vështirë për tu monitoruar duket se krijon dyshimet e forta edhe për qasje korruptive, të cilat rezultojnë edhe në vijimësi si praktika përfituese dhe përjashtuese[10].

Në mbyllje mund të përmendim se është e vërtetë që tërmetet shkaktojnë një rënie fillestare të prodhimit për shkak të shkatërrimit të kapitaleve njerëzore dhe financiare. Por, për shkak të fluksit të nxitur të hyrjes së kapitaleve të jashtme dhe investimeve, si dhe normës së rikthimit të kapitalit më të lartë pas tërmetit, atëherë trajektorja e vlerës së shtuar në ekonomi si dhe prodhimit të brendshëm të vitit pas tërmetit mund të kthehet në të paktën në nivelin e vitit paraardhës.

Në fakt, rindërtimi si proces mund të ketë ndikuar me të paktën 1% në vit në prodhimin e brendshëm, por në tërësi ato janë lekë që duhet të kishin mundësinë të shkonin në konsum dhe jo të gjitha në sektorin e ndërtimit që është duke tejkaluar kërkesën e tregut dhe ndërvepron pak me ekonominë. Fondet për ndërtime banesash janë kapitale të ngurtësuara që ndihmojnë vetëm indirekt ekonominë.

Tërmeti duket se do të ketë një ndikim më afatgjatë në rastin e Shqipërisë, sepse do të gëzojë akoma stimulimin pozitiv të investimit për rindërtim deri në fund të vitit të katërt, për arsye të funksionimit më të ngadaltë të “mekanizmave të rindërtimit”.

Kompensimi i humbjeve është forca shtytëse e rikuperimit pas katastrofës prej tërmetit dhe produktiviteti social dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik janë baza ekonomike e kompensimit për humbjet nga kjo katastrofë[11].

Për këtë qëllim, zhvillimi ekonomik është dhe mbetet mënyra më efektive për të kompensuar humbjet nga katastrofat.

Ekonomia duhet të ishte në të njëjtin fokus me rindërtimin e infrastrukturës civile, por duket se kjo për qeverinë ishte vetëm për procesin e rindërtimit të dëmeve të tërmetit!


[1] https://rindertimi.gov.al/ligje/

[2] https://rindertimi.gov.al/

[3] https://altax.al/wp-content/uploads/2021/09/PAKETA-FISKALE-2020-PR-RINDRTIMIN-PAS-PASOJAVE-T-TRMETIT-2019.pdf

[4] https://shqiptarja.com//uploads/ckeditor/5e3ab23b4c272raporti%20i%20plote%20i%20termetit.pdf

[5] https://financa.gov.al/ministrja-ibrahimaj-ne-interpelance-procesi-i-rindertimit-teresisht-transparent-mbeshtetem-qytetaret-dhe-bizneset/

[6] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2021/12/Buxheti-per-Qytetaret-2022.pdf

[7] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2023/11/Relacioni-PB-2024-Ripunuar.doc, faqe 15

[8] https://panel.klsh.org.al/storage/phpQ4rBYo.pdf

[9] https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/509

[10] https://sot.com.al/politike/procesi-i-rindertimit-ne-tirane-birn-konflikte-gjyqesore-dhe-qindra-te–i612226

[11] https://altax.al/ndikimi-afatshkurter-i-demeve-te-termetit-ne-ekonomine-e-shqiperise/