Pretendimi: Një eklips i plotë diellor do të verbojë tokësorët më 8 prill

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————–

Një numër portalesh shqipfolëse kanë raportuar se më 8 prill 2024, një eklips i plotë diellor do të “verbojë tokësorët.”

Eshtë e vërtetë se, më 8 prill 2024, Hëna do të kalojë mes Diellit dhe Tokës, duke bllokuar krejtësisht Diellin për disa minuta.

Megjithatë, lexuesi nuk duhet të alarmohet, pasi ky eklips nuk do të “verbojë tokësorët.”

Ky pretendim i mediave shqipfolëse duket se ka ndodhur aksidentalisht, si pasojë e një përkthimi të gabuar të lajmit nga anglishtja.

Artikulli i Sky News, i cili referohet në artikujt e mësipërm, përdor fjalën “dazzle” për të thënë se tokësorët do të mahniten nga eklipsi. Megjithatë, përkthimi automatik me Google Translate e përkthen këtë fjalë në shqip si “verbon.”

Pakujdesia në përkthim dhe redaktim nga ana e portaleve ka çuar në titujt alarmantë të cituar më sipër.

Më tej, fatkeqësisht, ky eklips nuk do të dëshmohet nga gjithë tokësorët. Në Shqipëri, eklipsi nis në orën 20:07 dhe përfundon në 21:46. Kjo do të thotë se Shqipëria, si shumica e Europës nuk do të mund ta vërrejë eklipsin diellor. 
Eklipsi mund të shihet në Meksikë, disa vende Europiane, ShBA, Kanada, vendet e Amerikës Qendore, dhe disa vende në veri të Amerikës Jugore.