Pretendimi: Edi Rama është ekzekutuar dhe zëvendësuar me një klon të tij
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Kryeministri Rama mund të ndjehet krenar që është rreshtuar tashmë ndër udhëheqësit botërorë që pretendohet nga grupimet konspiracioniste se janë ekzekutuar dhe zëvendësuar me klone të kontrolluara. Në Facebook po qarkullon një postim sipas të cilit Rama i është bashkuar Hillary Clinton, Joe Biden, apo George Soros në burgun ushtarak të Guantanamos.
Ky pretendim nuk bazohet në asnjë fakt, por vjen nga teoritë e grupit ekstremist QAnon, një teori konspiracioni, e cila ka lindur online në vitin 2017 dhe që prej atëhere ka përhapur fakte dhe teori të rreme, sidomos kundër politikanëve të majtë. Kjo nuk është hera e parë që teori të tilla janë shpërndarë në mediat shqiptare. Siç e ka verifikuar Faktoje, akuza të tilla janë bërë edhe ndaj presidentit Obama, Joe Biden dhe Papë Franceskut.
Edi Rama, për shembull, ka bërë paraqitje të shumta publike të verifikueshme, duke përfshirë samite ndërkombëtare dhe konferenca për shtyp. Nuk ka asnjë provë të besueshme që sugjeron se ai është ekzekutuar ose zëvendësuar.
Figura 1: Pamje nga fjalimi i Rames ne festivalin nderkombetar të arkitektures me 5 qershor 2025
Përtej pretendimit mbi Edi Ramën, postimi në fjalë përmban disa teori konspiracioni të ndryshme, të cilat përsëri të nuk bazohet në asnjë provë. Për shembull, aty pretendohet se disa liderë botërorë janë ekzekutuar ose janë arrestuar dhe çuar në burgun famëkeq të Guantanamos. Pretendimi se ekzistojnë mbi 700,000 aktakuza të vulosura që do të përndiqen nga gjykatat ushtarake sekrete në Gjirin e Guantanamos është një narrativë e përsëritur e QAnon. Që në vitin 2021, kjo narrativë qarkullonte mbi Hillary Clinton si pjesë e dëmtimit të imazhit të saj si një kandidaturë e besueshme për presidente.
Në bazë të të dhënave të gjykatave, raporteve ligjore dhe njoftimeve për shtyp të Pentagonit, nuk ka asnjë provë se Guantanamo po përgatitet për një aktivitet të tillë. Sipas të dhënave të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA, për momentin në Guantanamo ka vetëm 15 persona, kryesisht të lidhur me akuza terrorizmi. Nuk ka pasur asnjë zgjerim masiv, asnjë aktivitet të verifikuar të gjykatës ushtarake që përfshin figura si Obama, Clinton ose Biden, dhe asnjë provë për “ekzekutime masive” siç pretendohet në postim.
Edhe pretendimi se Trump dërgoi Gardën Kombëtare në Guantanamo nuk është i vërtetë. Garda Kombëtare është një forcë vendase nën autoritetin e guvernatorëve të SHBA-së dhe nuk mund të vendoset në Kubë nga Trump. Për më tepër asnjë burim zyrtar ose mediatik nuk ka raportuar për një ngjarje të tillë, që do të çonte patjetër në një incident ndërkombëtar.
Së fundmi, postimi shtyn pretendime se personat e ekzekutuar apo arrestuar, janë akuzuar për abuzime satanike, kanë sakrifikuar fëmijë dhe përdorin teknologjitë sekrete të alienëve. Këtu bëhet fjalë përsëri për teori konspiracioni.
QAnon është një teori konspiracioni e ekstremit të djathtë që nisi rreth vitit nga 2017 nga postime anonime në internet që pretendonin se një grup politikanësh, personazhe të famshëm, udhëheqës biznesi, janë të angazhuar në trafikimin e fëmijëve, rituale satanike dhe korrupsionin global. Mbështetësit besojnë se Presidenti Donald Trump po punon fshehurazi për të çmontuar këtë grupim dhe se arrestimet masive, gjykatat ushtarake dhe ekzekutimet do të ndodhin së shpejti. FBI ka paralajmëruar se QAnon mund të kthehet në një kërcënim të brendshëm terrorist për shkak të potencialit të tij për të nxitur dhunë dhe për të radikalizuar ndjekësit.